Rregullore e re e Komunës së Prishtinës për menaxhimin e varresave të qytetit

0

Varrezat kryesore në Prishtinë vazhdojnë të jenë gjendje të mjerueshme, me pllaka të thyera dhe të vendosura pa asnjë rregull e kriter.

Në përpjekje për të vënë rregull në këtë çështje, asambleja komunale e Prishtinës sot ka miratuar rregulloren për Menaxhimin e Varrezave dhe Objektit Komemorativ në Komunën e Prishtinës.

Asambleistët e Prishtinës dhanë mendime të ndryshme rreth asaj se si do të duhej të plotësohet kjo rregullore.

Ylli Hoxha, shef i grupit të Lëvizjes Vetëvendosje në Asamblenë e Prishtinës dha idenë edhe për formimin e varrezave familjare.

“Të stimulohet familja e cila vendos që të shfrytëzoj vetëm një hapësirë për varreza”, u shpreh ai.

Ndërsa Visar Arifaj nga Partia e Fortë propozoi që Ndërmarrja për Menaxhimin e Varrezave që është shërbim i Hortikulturës të punojë në bashkëpunim me shërbimet fetare.

“Rregullimin dhe mirëmbajtjen duhet ta ketë NMV-ja në bashkëpunim me bashkësitë fetare ose komunitetin në tërësi”, u shpreh Arifaj.

Ndërkaq Ardian Gashi, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës tha se rregullorja është përpiluar në atë formë që të përmbush kërkesat e të gjithë qytetarëve varësisht nga përkatësia e tyre fetare.

“Janë përfshirë interesat e të gjitha bashkësive fetare por këtu duke mos e anashkaluar edhe jo besimtarët apo ateistët”, u shpreh ai.

Sipas Gashit, propozimet e asamblistëve do të merren parasysh dhe do të futen brenda rregullores.

Kjo rregullore do të mundësojë që të bëhet një menaxhim dhe organizim më i mirë i varrezave në Komunën e Prishtinës duke përfshirë edhe shërbimet si rivarrimi dhe vendosja e gurëve.

Kjo rregullore do të mundësojë që pllakat e vendosura në varre të kenë kritere.

Në këtë mënyrë, do të ndalohet vendosja e mbishkrimeve të cilat mund të jenë fyese për ndonjë bashkësi tjetër fetare apo komunitet dhe do të bëhet rregullimi i hapësirave për pllakat përkujtimore në mënyrë që të mos tejkalohet me përmasa.

Kjo rregullore u votua unanimisht nga të gjithë asambleistët e pranishëm me vetëm një abstenim. /kallxo.com/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here