Rrëfimi rreth masakrimit të inspektorit Milazim Shehu

0

Dymbëdhjetë goditje me thikë i kanë marrë jetën 42-vjeçarit Milazim Shehu, inspektor pranë Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (ish-INUK), gjatë një konflikti me djalin e xhaxhait të tij pasditen e së mërkurës. Ngjarja ndodhi në pragun e shtëpisë 3-katëshe të 42-vjeçarit në Kodër-Kamzë, në periferi të kryeqytetit.  Njëra nga goditjet me thikë, sipas mjekëve ka qenë fatale për babain e dy fëmijëve, pasi është goditur në zemër, duke gjetur vdekjen në orët e para të ditës së djeshme.

Nga ana tjetër, policia dyshon se viktima është qëlluar për vdekje nga kushëriri i tij Granit Shehu 32-vjeçar, i cili është identifikuar dhe është shpallur në kërkim. Shkak për këtë ngjarje dyshohet se është bërë një debat banal mes dy kushërinjve, shtëpitë e të cilëve janë vetëm 4 metra larg njëra-tjetrës, ndërsa ngjarja nuk ka lidhje me detyrën e 42­-vjeçarit. Familjarët e kanë fshehur ngjarjen fillimisht, duke raportuar se 42-vjeçari ishte dëmtuar aksidentalisht brenda ambienteve të shtëpisë, por policia konfirmoi se Milazimi ishte goditur nga një mjet i mprehtë, së paku 12 herë. Trupi inspektorit të IKMT-së, është nisur mëngjesin djeshëm nga familja e tij në drejtim të qytetit të Kukësit për të kryer ceremoninë mortore.

Policia: Ka dy pista për vrasjen

Në vitin 2012, një konflikt i vjetër pronësie në Golem shkaktoi dy viktima, një prej të cilëve ishte Sulejman Shehu, babai i autorit të dyshuar të krimit Granit Shehu. Djali i viktimës Sulejman Shehu, Graniti, fajësonte kushëririn e tij Milazimin që, duke punuar në INUK nuk kishte arritur të prishte një urë të ndërtuar si platformë nga pala tjetër dhe që cenonte pjesën e babait të tij, Sulejmanit. Sipas informacioneve, Graniti pretendonte se babai i tij është vrarë edhe për shkak se, kushëriri i tij Milazimi,  nuk kishte bërë aq sa duhet për të zgjidhur konfliktin. Sherri i vitit 2012, i cili degjeneroi në përdorimin e armëve ndodhi në afërsi të bregdetit pranë “Malit të Robit” mes pjesëtarëve të familjes së Ardian Tragaj dhe familjes Shehu, pretenduese të sipërfaqes së tokës që shtrihej para resortit.

Ardian Tragaj qëlloi mbi pjesëtarët e familjes Shehu, të cilët e kishin kërcënuar më herët me armë. Për pasojë, mbeti i vrarë Sulejman Shehu dhe Durim Pashallari, roje në objektin e Tragës. Kjo është vetëm një nga pistat që ka policia për motivin e krimit të së mërkurës, por dyshimet më të forta flasin për një konflikt të ri të lindur mes tyre. Nga mënyra makabre se si është ekzekutuar me thikë 42-vjeçari Milazim Shehu, duke u qëlluar 12 herë me thikë, ekspertët e krimeve të rënda pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, sqarojnë se, autori i dyshuar i vrasjes si Granit Shehu, në momentin e krimit ka qenë shumë emocional, teksa dyshohet se ngjarja e rëndë mund të jetë shkaktuar edhe arsye për xhelozie. Të dyja pistat sipas policisë qëndrojnë, por ende nuk është zbardhur shkaku i vërtetë që i mori jetën inspektorit të IKMT-së.

Ceremonia mortore u zhvillua në Kukës

Trupi i pajetë i 42-vjeçarit Milazim Shehu, i vrarë në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga kushëriri i tij, është dërguar në fshatin e tij të lindjes, në Shtiqen, vetëm 10 minuta larg nga qyteti i Kukësit. Familjarët e viktimës, të cilët prej vitesh banonin në Kodër-Kamëz, mbyllën dyert e shtëpisë, ndërsa të afërmit dhe miqtë e 42-vjeçarit, i pritën për ngushëllim në qytetin verilindor. Po kështu, edhe familja e Granit Shehut, autorit të dyshuar për vrasjen e kushëririt të tij, ishte e kyçur nga frika e ndonjë hakmarrje të mundshme nga vëllezërit e Melazimit. Të dy kushërinjtë, njiheshin për temperamentin e tyre të nxehtë dhe sipas komshinjve, ata shkonim shumë mirë ndërmjet tyre . “I kemi parë shpeshherë bashkë, madje edhe drekonin te banesat e njëri-tjetrit, sepse i kishin vetëm pak metra larg. Kam mbetur e habitur kur e mora vesh ngjarjen dhe në fillim nuk po e besoja se, kjo gjë kishte ndodhur midis dy kushërinjve. Herën e fundit që i kam parë bashkë ka qenë dita e hënë dhe nuk kam parë asgjë të dyshimtë që mund të arrinte deri në vrasje”, shprehet Vera, fqinja e viktimës.

Kush ishte Melazim Shehu

Në vitin 2007, 42-vjeçari Milazim Shehu ka punuar në Komandën e Repartit të Sigurisë (RESI) dhe po atë vit është përjashtuar nga puna nga drejtori i këtij Reparti për shkak të akuzave për abuzim me detyrën, çështje që e ka ndjekur edhe ligjërisht. Pas largimit nga puna Shehu e ka ndjekur edhe ligjërisht këtë largim nga puna, duke fituar edhe procesin gjyqësor në Shkallën e Parë të Gjykatës së Tiranës, por përsëri nuk u rikthye në vendin e tij të punës. Disa vite më vonë Shehu u punësua pranë ish-INUK-ut ose siç njihet sot IKMT-ja, detyrë që e kishte deri në momentin e vrasjes. 42-vjeçari Shehu ishte i martuar dhe kishte 2 fëmijë, një djalë dhe një vajzë.

Dëshmia

Kushërinjtë shkonin shumë mirë me njëri-tjetrin

Ela Marku, nusja e kushëririt të parë të viktimës Milazim Shehu, shprehet për gazetën “Shekulli” se ende nuk e beson atë që ka ndodhur ndërmjet dy djemve të xhaxhait. I gjithë fisi Shehu, është vendosur në pranë zonës së Kodër-Kamzës dhe janë me origjinë nga Shtiqeni i Kukësit. Ajo thekson se ka pak kohë që i njeh të dy personat e përfshirë në konflikt, pasi vetëm para një viti ka ardhur nuse pranë fisit Shehu.

Ku ishit ju ku ndodhi vrasja e Milazim Shehut?

Në shtëpi, pasi kam vajzën e vogël dhe nuk e nxjerr shpesh jashtë banesës. Nuk kam merr vesh asgjë për vrasjen dhe kur u mblodhën shumë njerëz këtu në lagje.

Përse janë të mbyllura dyert e dy familjeve Shehu?

Me sa di unë, trupin e Milazimit e dërguan sot (dje) në mëngjes për në Shtiqën, sepse kështu donin prindërit e tij, ndërsa për familjen e Granitit di vetë që jetojnë pjesa më e madhe në Angli. Edhe Graniti pak kohë ka që është kthyer nga Anglia.

 Ju nuk keni shkuar për ceremoninë mortore në Kukës?

Unë jo, sepse kam vajzën e vogël, ndërsa bashkëshortin e kam në Angli, por shkuan vjehrri dhe vjehrra ime.

Çfarë temperamenti kishin dy kushërinjtë?

Granitin nuk e njoh shumë, madje vetëm disa herë e kam takuar, sepse shkonte shpesh në Angli, ndërsa Milazimin e njoh dhe ishte një njeri me norma dhe familjar. Kaq mund të them nuk di më shumë se edhe unë jam nuse e re dhe nuk i njoh mirë të gjithë.

A është e vërtetë se vrasja e 42-vjeçarit, mund të jetë për motive pronësie?

Çfarë nuk bën vaki, por në dijeninë time nuk më duket e vërtetë që të kenë pasur konflikte pronësie. Të dy  shkonin mirë dhe çfarë tokash kishin për të ndarë ato? Në Kukës pjesën më të madhe të tokave e kishin shitur me kohë, sepse aty pranë është ndërtuar edhe aeroporti i Kukësit.

Sipas jush, cili mund të ketë qenë shkaku për vrasjen e Milazimit?

Sinqerisht nuk di se çfarë të them. Unë për vete kurrë nuk i kisha parë ndonjëherë që të ishin grindur ose të debatonin me njëri-tjetrin. Madje ata vetëm 10 ditë më para ishin të dy në Kosovë, prandaj nuk di se ç’të them më shumë./Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here