Rrëfimi rreth Liqenit të Gazivodës

0

Liqeni Gazivodës pritet të jetë “beteja” e rradhës mes Prishtinës dhe Beogradit, për fatin e së cilës do vendoset në Bruksel. Por çfarë rëndësie ka për Kosovën ky liqen në ujrat e së cilit gjendet kufiri me Serbinë? Për të, na flet dhe një peshkatar serb, emrin dhe pamjen e së cilit jemi detyruar ta fshehim, pasi ai i përket një komuniteti aq shumë ekstremist nacionalist, që do ta shqyente të gjallë nëse e dallonte se ka folur për një gazetar, shqiptar të Kosovës…   

Liqeni i Gazivodës konsiderohet si bukuri përrallore, shpirti dhe jeta e Kosovës. Ky liqen shtrihet në veri-perëndim të vendit, në luginën e Kollashinit që ndan malet e Mokra Gorës dhe parkun nacional të Dubeqakës në njërën anë, me malet e Rogoznës në anën tjetër.

I ndërtuar në fund të viteve `70 nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, shtet ky tanimë i vdekur, ai të enjten rrinte i qetë para një furtune politike që së shpejti do ta godasë në tërë gjatësinë e tij prej 23.3 km, në gjerësinë mesatare rreth 300 e thellësi mbi 100 m.

Ndërtimi i digës së liqenit ka filluar në vitin 1978 dhe ka përfunduar një vit më vonë, pra më 1979. Liqenit i janë dashur plot 4 vite që të mbushet me këtë sasi të ujit që e ka sot, thonë banorët lokalë.

Liqeni me ujin dhe hidrosistemin e ujitjes së ‘Ibër-Lepencit’, i jep shpirt qyteteve, fshatrave, e tokës pjellore të një pjesë të madhe të rrafshit të Kosovës.

Por liqeni i Gazivodës po thyen shtizat në mes të Serbisë dhe Kosovës se kujt i takon.

Fati i këtij liqeni nuk do të përcaktohet në Prishtinë apo Beograd, por në një vend tjetër: në Bruksel, aty ky delegacionet e dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, janë ulur ‘këmbëkryq’ për t`i zgjidhur problemet e vjetra në mes veti.

“Liqenin, Zoti ia ka dhënë Kosovës për të shfrytëzuar ujin për për të pirë, për industri e për ujitje të tokës, ndërsa Serbisë, Zoti ia ka dhënë këtë ujë vetëm për turizëm”, thonë banorët.

Nga gjatësia e liqenit prej 23.3 km, pjesa dërmuese prej 16 km gjendet në  territorin e Kosovës, ndërsa 7 km janë në territorin e Serbisë, sqarojnë banorët e Zubin Potokut.

“Në pjesën e Kosovës, për shkak të thellësisë së madhe dhe konfiguracionit shumë të pjerrët të brigjeve të tij, është shumë i vështirë zhvillimi i turizmit, ndërsa shfrytëzimi i ujit për pije, industri dhe ujitje i takon dhe do t`i takoj Kosovës”, ka thënë një banor serb me kusht të anonimitetit, që po peshkonte sakaq në ujrat e tij.

“Ju duhet ta dini se ura që përshkon andej-përtej liqenin në Bërrnjak, është kufiri që ndan Kosovën me Serbinë dhe nga aty, brigje e lumit janë më të shtrira, më të rrafshët, ku ka disa plazhe, por edhe uji është më i cekët; pra turizmi është shumë herë më i madh”, thotë peshkatari.

Kosovës, Zoti me këtë liqen i ka dhënë ujin, ndërsa Serbisë turizmin; e nëse Serbia nuk pajtohet, atëherë le ta kthejë ujin përpjetë” ka thënë ai për portalin ‘tesheshi.com’.

Hidrosistemi ‘Ibër-Lepenc’, ka 49 km kanal të mbyllur e të hapur e që ujit gjysmën e rrafshit të Kosovës; dhe gjithashtu, nga ky kanal furnizohen me ujë të pijshëm këto qytete: Mitrovica, Zveçani, Vushtrria e Skënderaj, si dhe shumë fshatra përreth; ndërsa që nga viti 2016  pritet që me ujin e liqenit të Gazivodës të furnizohet edhe Prishtina.

“Ne vendasit, banorët e thjeshtë jemi të lodhur. Të gjitha kafiteritë dhe bujtinat që janë në pjesën e Kosovës në brigje të liqenit janë të mbyllura, pasi që nuk ka mysafirë. Nuk ka mysafirë se nuk ka siguri dhe këtë po e bëjnë politikanët me qëllim të përfitimit të tyre”, ka thënë peshkatari serb.

Po të kishte siguri do të kishte edhe mysafirë, të gjithë shqiptarët do të ndaleshin në kafiteritë dhe lokalet e fshatit të Koshtovës. Po të vinin këtu ekonomia do të ngjallej, por këndej vijnë vetëm trafikantët e kontrabandistët”, thotë banori i Zubin Potokut që po peshkonte në liqen ilegalisht.

Më tej ai vazhdon:  “Nuk dua të flas për qeverinë e Serbisë se ajo po gabon gjithmonë, por hiç më mirë nuk po vepron as qeveria e Kosovës.

Nëse qeveria e Kosovës e do liqenin, atëherë duhet t`i dojë edhe banorët; pra të investojë më shumë në këtë pjesë e kryesisht në blegtori, pasi që bujqësia këtu është shkatërruar për shkak të liqenit.

Edhe ajo pak tokë e bukës që na ka mbetur, ne nuk mundemi ta ujisim pasiqë uji është shumë i ftohtë.

Uji nga diga del në 60 m thellësi për shkak të presionit që duhet të ketë uji për të futur në funksion turbinat e Hidrocentralit të Gazivodës, ndërsa temperatura e ujit është vetëm 6 gradë Celsius.

Liqeni ka mbetur jetim pa përkujdesjen e askujt, flora dhe fauna janë dëmtuar shumë nga prerja e pyjeve pa asnjë kriter, si dhe nga peshkimi i egër me dinamit dhe energji elektrike”, shprehet peshkatari.

Tjetër hall, si për liqenin e si për banorët, është fakti se gati 30 fshatra në të dy anët, i derdhin ujrat e zeza në liqen, çka përbën një katastrofë më vete.

Dhe peshkatari thotë se ka vite të tëra që askush nuk ka peshkuar apo të ketë parë aty ndonjë gaforre të kuqe, të cilat liqeni i ka patur me bollëk, pikërisht për shkak të ujërave të zeza që po derdhen. “Gaforret e kuqe janë zhdukur”, thotë ai, bukur i brengosur për këtë fakt.

Sido që të jenë vendimet dhe marrëveshjet e politikanëve të Beogradit e Prishtinës, liqeni i Gazivodës do të jetë këtu, sipër Zubin Potokut, e uji do të rrjedh si ngahera.

“Liqeni i Gazivodës ka përjetuar shumë furtuna, por të gjithave iu ka mbijetuar, do t`i mbijetojë edhe kësaj furtune”, thotë peshkatari serb që me barkën e tij fillon të futet në zemrën e liqenit për të peshkuar ilegalisht./tesheshi.com/

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here