Rrëfimi rreth bunkerit nëntokësor në qendër të Tiranës

0

Ish- shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare 1991-’92, Kostaq Karoli rrëfen për funksionin e ambienteve nëntokësore, që ndodhen midis Ministrisë së Mbrojtjes, së Transporteve asaj të Planifikimit dhe Teatrit Kombëtar. Ai për herë të parë zyrat nëntokësore i ka parë nga afër në vitin 1991, për shkak të detyrës, dhe për të bërë disa ndërhyrje në to. Ndërsa për përdorimin real të këtyre zyrave është menduar në vitin 1998, në kohën e grushtit të shtetit.

Zyrat janë hapur vetëm një ditë nga Shtabi i Përgjithshëm për të komunikuar me Ministrinë e Brendshme. Sipas tij, këto ambiente do të përdoreshin për mbrojtje në kohë lufte, sikurse përdoreshin dhe vendkomandat e rretheve në mbarë vendin. Ndërsa situatën e ditës së hënë, ku ish-të përndjekurit u mblodhën pranë MPB-së, për të protestuar kundër ndërtimit të këtij bunkeri, Karoli e konsideron si të pakuptimtë, pasi ai objekt nuk mund të konsiderohet si simbol i komunizmit.

Zoti Karoli, ç’mund të na thoni për ndërtimin e strehimeve nëntokësore në Shqipëri?

Ligji i Mbrojtjes Civile pas viteve ‘70 dha orientime, që asnjë pallat të mos ndërtohet pa strehim poshtë. Të gjithë pallatet që janë bërë asokohe janë me strehim, diku janë dy dhoma me stola për të ndenjur dhe tualet. Por dhe me daljet e emergjencës dhe ajrimit, që kishin si qëllim mbrojtjen e popullsisë. Kështu që, çdo institucion zyrtar ishte i detyruar, që përkrahë perdes së bukur të kishte dhe perden e errët, të zezë, në rast se jepeshin sinjale nga sirenat. Tirana kishte pesë sirena lajmërimi, ku e gjithë popullsia gra dhe fëmijë, që nuk u takonin strukturave, sepse të tjerët mbathnin opingat dhe shkonin te repartet, te vendet e tyre. Fëmijët, gratë dhe pleqtë të futeshin aty poshtë.

Ndërkohë kjo është e njëjta strukturë, që e ka çdo shtet i botës. Zvicra ka 250 vjet, që nuk ka bërë luftë dhe ka autonomi të garantuar. Dy luftëra botërore u bënë dhe i erdhën rreth e qark Zvicrës, por asnjë nuk hyri në Zvicër. E ka të detyruar çdo familje, shtëpi që të ketë strehim për 3 ditë, me veshmbathje, ushqim dhe ujë të shkojë në strehim. Këto janë masa, që janë marrë se në fillim ishte Lufta e Ftohtë, në dukje ishte ajo e nxehtë, sepse të dy blloqet ishin gati, sepse vetëm në Evropë ishin 1 milion e gjysmë ushtarë përballë njëri-tjetrit, 20 mijë avionë, 30 mijë tanke, mijëra gryka zjarri, artileri etj. Por nuk përmendet asnjë.

Bunkeri që po ndërtohet…

Nuk është si ai i BunkArtit. I ka ambientet më të vogla. Nga hyrja, aty ku ka qenë drejtoria e personelit dhe tani është Ministria e Financave, janë tre shkallë poshtë, këtu ngjitesh vetëm në katin e parë dhe këtu futesh. Janë ambientet e punës, që do të përdoreshin në rast agresioni apo bombardimi. Normalisht Shtabi i Përgjithshëm duhet që të vinte te vendkomanda, por deri në momentin e rrugës që do vinte, një pjesë e Shtabit qëndronte atje për të mbajtur drejtimin e forcave. Kur vinin këta atje shkëputeshin, dhe ata atje merrnin drejtimin. Pra ishte e përkohshme, por ishte përgjithësisht e pranueshme për të punuar.

Kur mendohet se është ndërtuar?

Është ndërtuar rreth viteve ’70. Më vonë iu bë një lidhje për të kaluar me Ministrinë e Brendshme, por mesa mbaj mend unë nuk është përdorur. Vetëm në vitin 1998 është hapur, në kohën e grushtit të shtetit u bën ca komunikime me Ministrinë e Brendshme. Nuk ishte se është ndonjë çudi, sepse nuk është asgjë e veçantë nga ato që kanë shtetet e tjera. Unë jam kurioz se, çfarë do të tregohet. Do të tregojnë se ka qenë strehimi? Ka qenë vendkomanda. Madje dhe Shtabet e Mbrojtjes së Rretheve kanë pasur vendkomandot e tyre për në kohë lufte, Shtabi Ushtarak dhe ata të Rretheve, që drejtonin forcat vullnetare. Nuk po them për Tiranën, por në Krasë të Elbasanit, në pjesën veriore nga ana e parkut të mallrave, janë tunelet e mbrojtjes së Shtabit të Rretheve, që mund të hysh me makinë. Pra çdo Shtab Mbrojtje Rrethi ka pasur vendkomandën, e cila ka qenë e tipit tunel ose nëntokë. Kjo për mua ka qenë normale në kushtet që ishin në atë kohë. As vetë nuk e di, jam i çuditur, por do të shkoj ta dëgjoj se çfarë do të thonë kur ta hapin. Përse po e hapin?!

Është thënë se kanë qenë zyrat e qeverisë së Enver Hoxhës?

Njëherë dëgjova se ka qenë Enveri, por as që mendohej. Pavarësisht se Enver Hoxha shkonte aty ku donte, se kishte këtë problem. Por ato nuk kanë qenë të Enverit, por të Shtabit për të përballuar një situatë luftarake. Asgjë më shumë.

Ambientet brenda si ndahen?

Është e ndarë me dhoma të vogla. Për shembull, mund të mendohej se drejtoria operative mund të kishte katër apo pesë zyra, drejtoria e personelit kishte dy zyra, ata të logjistikës kishin vend dhe këtu, edhe në Bërzhitë. Ka një vendkomandë në Bërzhitë, që është shumë më e madhe se kjo, por ka pasur lagështirë. Atje kishim dhe arkivin, por i hoqën dokumentet. Këto kanë qenë në të gjithë vendin. Këto janë punime që janë bërë në rast të bombardimeve, të luftimeve ushtarake, apo të një lufte në qytet, që mos të bëhej komunikim në sipërfaqe, por të bëhej nëntokë.

Çfarë objektesh ruhen në këto dhoma?

Tavolina dhe telefona.

Sa arrin numri i sistemeve të fortifikimit në vendin tonë?

Qendra zjarri janë 176 mijë. Llogarit, që disa kanë qenë të italianëve e disa të ndërtuara më herët, shkojnë 180 mijë, më tepër jo. Të gjitha brigadat e tankeve në rajonet ku ishin kanë pasur një sistem tuneli. Edhe tunelet e Brigadës së Saukut atje janë, të Zallherit, të Laçit, të Korçës, Gjirokastrës, të gjitha janë me sistem tuneli.

A mund të quhen këto objekte simbole të komunizmit… Kohët e fundit janë  diskutuar nën këtë term…

Përse janë simbole të komunizmit?! Përse nuk quhet simbol komunizmi dhe Fierza, Vau i Dejës, Komani? Të gjitha ato që janë bërë. Prandaj u shkatërrua tërë ajo industri se, ishin simbole të komunizmit? Prandaj u prenë të gjitha ato vreshta se ishin simbole të komunizmit? Kjo nuk është asgjë, veçse mosdije. Çdo shtet ka ushtrinë, të tjerët bënin raketa dhe bomba bërthamore. Shteti ynë nuk kishte asgjë. Vinte ushtari dhe oficeri punonin dhe bënin tunele dhe qendra zjarri, sepse nuk kishte ku t’i merrte më, pasi u prishëm me Kinën edhe me Traktatin e Varshavës. Një rrugë ishte kjo, që të mbronim vendin. A do të mbrohej vendi? Atëherë një nga rrugët ishte sistemi i fortifikimit.

Ka të metat e veta, plotësisht. Mund të përmend më shumë nga ato që shkruhen, apo që flet ndonjë politikan. Por ama kishte një qëllim, ushtari duhet të luftonte në një qendër zjarri. Ata të Perëndimit thoshin se, një ushtar i plagosur është në gjendje që të përballojë 10 deri në 20 ushtarë që mësynë, kjo është mëse normale. Një bombë bërthamore si ajo e Hiroshimës, nuk mund që të shkatërrojë më shumë se 3 qendra zjarri nëse bie atje. Sot ka bomba që i përdorën dhe amerikanët në Afganistan, që pasi futen në tokë shpërthejnë, por në atë kohë nuk bënin gjë, sepse nuk ishte kjo teknik. Teknika ka qenë në të gjithë botën më përpara, po predhat e artilerisë mund të përballoheshin.

Dikush mund të thotë se ky paska nostalgji. Jo nuk kam nostalgji, unë po them një të vërtetë. Nëse këtë të vërtetë e merrni nostalgji apo kritikë, është tjetër punë. Unë flas me fakte, si specialist i kësaj pune, nuk flas me polikë. Ajo le të bëjë të vetën. Por nuk mund të them simbole të komunizmit. Përse kështu? Cili shtet në botë nuk ka forcuar mbrojtjen? Edhe shteti më i varfër dhe greku vajti në krizë, sepse brenda 4 vjetësh bleu 3 miliardë armatime, bleu raketat e rusëve, bleu 36 aparate, të cilët ua zënë në fyt. Në një kohë që nuk kishte pse t’i blente, sepse ishte Nato, dhe turku dhe bullgari etj., por ama i bëri. Ishte gabim apo jo, këtë le ta gjejnë ata që e kanë gjykuar.

Mundet që për kohën të ketë qenë e drejtë dhe tani duket gabim, por ama i bëri këto shpenzime. Dhe shteti më i rrjepur interesohej për mbrojtjen? Thashë se Zvicra ka 250 vjet që ka autonomi të garantuar, dy luftëra botërore u bënë në kufijtë e saj dhe nuk hyri ushtri në të. Armatimet dhe mbrojtjen civile e ka në mënyrë të përsosur. Për çfarë i duheshin këto Zvicrës? Nëse shtrojmë këtë pyetje, që bëjnë te ne, se përse duhet ushtria? Duhej ushtria, sepse e tillë ishte situata. Normalisht që unë nuk mund që t’i quaj si simbole të komunizmit, sepse ato janë një pjesë e sistemit të mbrojtjes, si grusht i shtetit. Mbrojta civile, që ka qëllim mbrojtjen e popullsisë, ashtu siç në çdo shesh-lagjeje ka ndërtuar strehime.

Për mendimin tim nuk ka përse të bëhet kjo. Me ato lekë që po hidhen atje, mund të ndërtohet një shkollë e re apo një kopsht. Për mua nuk ka përse, sepse janë bërë me djersë dhe me gjakun e ushtarëve, sepse dhe ushtarë na janë vrarë. Nisën tunelet, që nga garda dhe duhet të dilnin matanë te Brigada e Tankeve, por u ndërprenë punimet se toka nuk mbante. Këto ndërtime janë bërë pas viteve ‘74-‘75-’76, pra janë punime që çdo shtet në botë i realizon.

Ju mendoni se ne duhet që t’i ruajmë sikurse janë?

Ato që duhen ruajini, nuk ka përse të transformohen dhe të bëhen publike për gjëra që nuk kanë ndonjë vlerë. Çfarë duhet treguar?! Janë thjesht ambiente pune të oficerëve, që janë bërë për një situatë, po të vinte. Çajupi ka një vjershë, nga e cila mbaj mend vetëm ca vargje: Luftën që shkatërroi njerëzinë, s’do ta dëshiroja kurrë, në më prekshin kufijtë do të luftoja si burrë. S’u bë luftë, fat për njerëzit. Aman njerëzit punuan dhe qëndruan në gatishmëri, në pozicione sipas situatave, sepse thonë: Çeli gjethja lëvizin mushkonjat, vinte prilli fillonte gatishmëria, deri në shtator. E kanë vuajtur shumë këtë oficerët dhe ushtarët.

Po protestën e ish-të përndjekurve, para dy ditësh, si e shihni?

Nuk e di përse i bëjnë. Nuk e di. Që mos të jetë bunkeri se është simbol i komunizmit. Ata nuk kanë lidhje fare me atë aty, si fuste askush për të punuar të përndjekurit. Aty futeshin ushtarë të Brigadës së Tankeve, të ndërlidhjes. Të përndjekurit punonin në terren, në xhenio. Për mua nuk kanë pse ta bëjnë. Edhe këta që bëjnë protestë e kanë kotë, sepse i nxisin.

Përgjatë viteve të punës, nga objektet ushtarake që keni parë, a mendoni se ka të tilla, që mbartin histori dhe që që njerëzit duhet t’i shohin?

Unë jam i mendimit se, ato që duhet dhe mund të duhen, nuk ka përse të hapen. Nëse e mendojnë si interesante, le të tregojnë një Brigadë Tankesh, të tregojnë tunelet dhe pjesët e tankeve atje, që t’i shohin njerëzit. Këtu, çfarë ka për të treguar?! Le të vijnë te pallati im, aty kam strehimin poshtë tij, te “Pazari i Ri”, janë tre dhoma e kuzhinë, me banjën dhe ambientet për të ndenjur. Disa janë bërë klube, dhe po të duan atje hynë njerëzit. Le të tregojnë. Por duhet thënë se përse kanë qenë. Kanë qenë për të mbrojtur popullsinë, Shtabin që të drejtonte, sepse dhe ushtarët ishin të mbrojtur, aq sa u takonte. Atij që i takonte që të dilte në shesh do të dilte në shesh. Shtabet e batalioneve, të brigadave kanë qenë të gjithë me sistem tuneli. Nuk ka asnjë çudi, për mua flas. Por me to mund të çuditen adoleshentët e sotëm, që nuk janë të informuar dhe që nuk lexojnë…

Po për ishullin e Sazanit, çfarë mendoni?

Për Sazanin mund të tregohen ngjarjet dhe jo shishet e rakisë. Ka tjetër mentalitet mes brezash. Në Sazan nisete puna në pesë me ushtarët e lihej në katër… Në një vend që vetëm klubi të mbledh se në shtëpi nuk ke se çfarë bën do pihej. Përsa i përket furnizimit mund të ishte më mirë sesa vetë Vlora. Mund që të tregohet sistemi i ujit, që vinte me cisternë. Kishte aktivitete të ndryshme, sistemi shëndetësor ishte shumë i mirë. Spitali ushtarak nga një muaj dërgonte kirurgët, ortopedët etj., Sazani ishte i dubluar dhe kishte rezerva në ushqim dhe karburant, për 6 muaj. Që nga kopsat e vogla, të mëdha, fije të bardha, të zeza dhe qafore, këpucë dhe veshmbathje për 6 muaj për 5000 burra, që të hanin, të visheshin, të flinin, pa marrë asnjë furnizim as nga ajri dhe as nga toka.

Jam plotësisht dakord që të tregohet Sazani në të gjitha aspektet, edhe andej nga ishte posta e zbulimit, te fusha etj. Mjafton që të tregohet sesi duhet, jo të tregohen hyrjet e tuneleve, por nuk dihet se ku të nxjerrin. Por ama Sazani ishte një klub që mendoj tepër strategjik, se zotëronte hyrjen e Otrantos dhe shumë të tjera. Ke Karaburunin, tregoje. A mund të bëhet për vende pushimi dhe pse s’ka kapacitet për plazh. Nganjëherë ka të shara, që të lavdërojnë. Ata që janë specialistë të huaj dhe të mençëm do të thonë ka qenë shumë mirë. Atëherë i ndërtonte shteti, sepse mendonte dhe mbrojtjen dhe për të siguruar jetën e njerëzve. Shumë apo pak, ky është tjetër problem.

Sazani duhet treguar, sepse atje kanë jetuar tërë ata njerëz, që kanë sakrifikuar jetën e tyre. Këtë çdo specialist i huaj do ta vlerësonte me nota të larta, sepse është një mendim shumë i mirë dhe kështu e kanë pasur të gjithë vendet, nuk e kemi shpikur ne. Ne në shumë raste kemi qenë viktima të tyre, ishim të detyruar, do të merrnim masa për të mbrojtur vendin. Të tjerët blinin tanke, transportues, avionë, ne nuk kishim në Shqipëri, dhe gjeje këtë rrugë që ishte më e thjeshtë edhe që kishte dhe mbrojte. Nën-komandat në të gjithë botën janë nëntokë. Pikat e drejtimit janë pika nëntokë, ose dhe ato që mund të jenë pjesërisht gjysmë nëntokë, gjysmë nënsipërfaqe, që janë të siguruara nga bombardimet. Unë nuk jam në gjendje që të them se çfarë do të tregojnë, prandaj pres me kuriozitet, që ditën që do hapet të shkoj jo për ta parë, se e kam parë, por për të dëgjuar.

Shkreli: Zyrat e qeverisë së Enver Hoxhës

Këshilltari i Kryeministrit Artan Shkreli rreth hapjes së këtij objekti është shprehur për mediet se: “Në hapësirën midis Ministrisë së Mbrojtjes, së Transporteve asaj të Planifikimit dhe Teatrit Kombëtar, në këtë katërkëndësh të madh, që duket i lirë, poshtë është një bunker antiatomik, që janë gjithë zyrat e qeverisë së Enver Hoxhës, nga fillimi deri në fund. Në qendër të Tiranës. Flitet për një labirint, por të gjitha këto labirinte, mund të përmblidhen në 70-80 zyra. I mbajtur shumë mirë, nuk ka mobilie, por ka disa karrige dhe shtretër dhe tavolina hekuri”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here