Rrëfimi i gruas së Melazim Shehut: Burri im u vra për 12 mijë lekë

0

Kanë kaluar 9 ditë nga vrasja e inspektorit të IKMT-së ose (ish-INUK), Melazim Shehu, i cili u qëllua plot 12 herë me thikë nga kushëriri i tij në pragun e shtëpisë. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, gruaja e viktimës, Vilma Shehu rrëfen të gjithë ngjarjen dhe motivin e vërtetë e vrasjes së Milit (Melazimit) nga Granit Shehu, i cili është edhe djali i xhaxhait të tij. Sipas të vesë, Mili është vrarë për 120 mijë lekë të vjetra, pasi Graniti pretendonte se ato para i kishte marrë vajza 8 vjeçe te shtëpia e tij.

“Ja për këtë arsye, ai i pabesi, ma ka vrarë burrin mua dhe jo për çështje pronësie”, shprehet Vilma. Më tej nëna e dy fëmijëve të mitur tregon edhe momentin se si i ka dhënë ndihmën e parë bashkëshortit të saj, ndërsa autorit të vrasjes i thotë vetëm dy fjalë, “dorëzohu në polici, ose më mirë vrit veten”. Prej ditës së enjte të datës 17 shtator, familja e Granit Shehut është “shpërngulur” nga banesa e tyre, e cila ndodhet në lagjen “Horizont”, ndërsa dy shtëpitë e kushërinjve janë vetëm 4 metra larg njëra tjetrës në zonën e Kodër-Kamzës.

Zonja Vilma, cila është e vërteta e ngjarjes sipas jush? Çfarë keni parë atë ditë kur është qëlluar me thikë Melazini?

Kot nuk thotë populli, “atë që ta bën i joti nuk ta bën askush” dhe ja ku më ndodhi mua e gjithë kjo hata. Më vjen zor ta tregoj, por burri im iku nga kjo botë vetëm për 120 mijë lekë të vjetra. Granit Shehu, djali i xhaxhait të Milit (Melazimit), pretendonte se vajza ime 8-vjeçare, kishte marrë te shtëpia e tij një shumë parash që ajo kurrë nuk e pranonte se e kishte bërë.

Në këto momente vajza u mek së qari dhe Mili (Melazimi) më thotë, “futu brenda dhe jepi ujë vajzës”! Kjo ka qenë fjalia e fundit e burrit tim para se të ndërronte jetë. Sa kalova portën për t’i dhënë ujë vajzës, vetëm kur dëgjoj disa të bërtitura dhe shkoj me vrap te dera për të parë, por ç’të shikoja? Burri im ishte qëlluar barbarisht nga njeriu më i afërt i familjes sonë. Menjëherë i dhashë ndihmën e parë dhe nuk e dija se Mili ishte qëlluar në zemër. Më e keqja, e di se cila është, se pasi e qëlloi disa herë me thikë, Graniti iku dhe u fsheh brenda në shtëpinë e tij. Ok, e qëlloi disa herë pas shpinë me thikë, po pse nuk i dha ndihmën e parë burrit tim që ishte kujdesur shumë për atë. Përse?!

A mbërriti i gjallë në Spital dhe kush ia dha ndihmën e parë?

Unë kujtova se ishte goditur vetëm te krahu dhe nuk mendova më të keqen. Kur e pashë që po i rridhte gjak nga krahu i zemrës, fillova të kërkoj ndihmë për ta dërguar në spital. Mjekët fillimisht na dhanë shpresë se ndoshta ai do ta kalonte këtë situatë të vështirë, por njëra nga goditjet me thikë, kishte depërtuar 2 centimetra në zemër dhe më pas burri im ra në gjendje kome. Melazimi humbi shumë gjak nga goditjet e atij të bukëshkelësit. Nuk dua ta besoj se, Mili (Melazini) nuk është më! Tani do të bëhem e fortë për të rritur dy fëmijët e mi. Djalin e madh e kam 12 vjeç, ndërsa vajzën e vogël e kam 8 vjeçe.

A është e vërtetë se burri juaj është vrarë për çështje pronësie?

Këto janë trillime. Askush nuk më ka trokitur në derë për të mësuar të vërtetën. Madje as policia nuk ka ardhur për të marrë dëshminë time. Dua ta them publikisht se burri im u vra për një sherr banal, e theksoj për 120 mijë lekë nga Granit Shehu dhe jo për çështje  pronësie. Sot ta bën gropën i joti! Për një fjalë goje burri im po tretet atje nën dhe. Mendo, edhe sikur burri im ta kishte goditur Granitin, ai prapë nuk duhet ta bënte atë veprim. Por nuk ke se çfarë të bësh, i joti qenka më keq se hasmi!

Me familjen e Graniti si i keni raportet?

Lus Zotin që të kapet nga policia, ose të vrasë veten! Vetëm këtë dua! Në këtë mënyrë mund të qetësohet situata ndërmjet dy familjeve tona. Si t’ia shpjegoj unë njerëzve? Do më thonë, kush ta ka vrarë burrin? Si t’i them unë, që e vrau “vëllai” i tij, sepse Melazini kështu e quante Granitin! Po i ikën truri të gjithë fisit. Të gjithë janë me ne! Kush e ka njohur burrin tim të gjithë e vlerësonin. Punonte në shtet, punonte në privat, vetëm për t’i siguruar mirëqenie familjes dhe të ardhme fëmijëve të tij. Kjo e keqe që na ndodhi mos i ndodhtë as hasmit! Po pse keq për 120 mijë lekë ishin ne? As Graniti nuk ishte keq për 120 mijë lekë.

Po pse, do t’i merrte vajza ime ato lekë, për çfarë i donte? Babai i saj ia plotësonte të gjitha! Për të qetësuar situatën unë i thashë Granitit: lekët do t’i jap unë. Isha e bindur që ato para nuk i kishte marrë vajza ime. Në ato momente del im shoq nga shtëpia dhe situata u agravua më tej. 2 metra burrë sot tretet nën dhe. O Zot, pse duhet të më ndodhte mua kjo gjë! Përse! (qan). Unë me burrin tim, ia kemi bërë dasmën dhe ne i kemi përgjigjur sa herë kishte nevojë Graniti. Por, nuk qenka mirë, kur i bën mirë, njeriut tënd!

Granit Shehu ende në arrati

Kur kanë kaluar 10 ditë nga vrasja Melazim Shehut, policia ende nuk e ka prangosur autorin e dyshuar të vrasjes, i cili është Granit Shehu, kushëriri i parë i viktimës. Sipas uniformave blu, kapja e autorit po bëhet akoma më e vështirë, pasi ai mund të jetë larguar nga territori shqiptar nëpërmjet pikës kufitare me Kosovën. Nga ana tjetër,  policia pohon se është njoftuar 5 orë me vonesë nga momenti i goditjes me armë të ftohtë të Melazimit dhe në këtë mënyrë, autori ka pasur 5 orë në dispozicion që, jo vetëm të largohet nga vendi i krimit, por edhe mund të ketë dalë nga territori shqiptar. Graniti Shehu, sipas policisë, mund të jetë larguar nga vendi ynë, pasi kishte një identitet të dytë, ndërsa në sistemin TIMS, ai nuk figuron që ka dalë nga Shqipëria me emrin tij dhe nënë këtë mënyrë po bëhet akoma më e vështirë prangosja e tij./Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here