RREBELIZMI I HESHTUR

0
( Rreth librit “Fundi i heshtjes” të autorit Muhamet Halili, edituar nga Shtëpia Botuese “BEQIR MUSLIU”, 2014 )
IMER TOPANICA

Kur Vargas Losa, njëri prej nobelistëve në botën e letërsisë, thoshte se ‘letërsia është bota jonë paralele’, asgjëmangut nuk pretendonte të nënkuptonte diçka tjetër me këtë se sa ajo që ne e krijojmë atë, në pamundësi për ta bërë botën reale ashtu siç duam të jetë realisht. Kështu letërsia është bota e heshtur e rebelëve, të cilët kur nuk kanë mundësi të përmirësojnë diçka në realitet, ata e kritikojnë dhe e përmbysin të padëshirueshmen në hapësirën e letërsisë, duke u bërë kështu model i preferuar për t’u ndjekur në realitet.

Me këtë fill meditues të Vargas Losës, deshëm ta nisnim një reflektim mbi një përmbledhje tregimesh të Muhamet Halilit, i cili tash së voni, e pa dritën e botimit. E veçanta e tij, natyrisht, mbetet për t’u kërkuar e ‘shfletuar’ nëpërmjet lexuesve të tij të ardhshëm por, siç e do rendi, ne do të përpiqemi të shpalojmë diçka nga e fshehta që e përbën atë.

‘Fundi i heshtjes’ është një përmbledhje tregimesh që prekin tema dhe çështje të ndërliqshme, që kanë të bëjnë me përditshmërinë tonë. Autori i këtyre tregimeve, jep një pasqyrim besnik (për aq sa bota e artit ja falë një komoditet të këtillë), botës sonë shpirtërore. Ai depërton mjeshtërisht në psikologjinë dhe mendësinë tonë, duke skalitur portretin tonë, me të gjitha ngjyrat e nevojshme.

Ky libër të jep ndjesinë sikur je para një ekspozite fotografish dhe aty për aty po përballesh me një kolazh të përzgjedhur temash, portretesh, karakteresh, peizazhesh nga bota e pasur e vendlindjes. Me një stil të butë, të rrjedhshëm, rrëfimi i tij ngarend që nga bota infantile deri tek ashpërsia e botës së të rriturve.

Kështu bota e karaktereve nga ky vëllim tregimesh, është mjaft e pasur dhe e larmishme. Aty kemi portretin e fshatarit, ikonë e realizuar mjaft mirë brenda narrativës, por aty e kemi edhe humanitetin hipokrit të mjekut, respektivisht, intelektin e rremë në këtë sistem mjaft të paqëndrueshëm vlerash që e ka krijuar shoqëria jonë. Aty e kemi edhe taksistin, sikundër që e kemi edhe shkrimtarin me dramën e shkrimit të tij…

Nga pikëpamja e renditjes tematike, i tërë teksti strukturohet brenda pesë kapitujve të titulluar si vijon:

1 – Hajmali prej qielli;
2 – Fallxhorët e tokës;
3 – Dashuria në shikim të dytë;
4 – Tregimet e suksesit dhe;
5 – Zori.

Sipas një logjike, tregimet e grumbulluara brenda kapitujve, vendosen në sensin e përshtatjes motivore dhe tematike, të cilat nëntitulli pretendon t’ia rrëfej lexuesit në përballjen e parë. Vepra në fjalë, padyshim që sjell shijen e profesionit të parë (atë të gazetarit), që autorit të këtyre shkrimeve, i përvidhet krejt natyrshëm, duke ndikuar në një formësim më të veçantë stilistik.

Elemente periferike deri tek ato që e përbëjnë bazën, pretendojnë një zhvillim më të fuqishëm në të ardhmen, pra që nga titujt e menduar mirë deri tek kompleksiteti i teknikave narrative, madje deri tek strukturimi i shtresimeve motivore, realizimit të idesë etj. Titujt, për shembull, komunikojnë dhe harmonizohen vet me tekstin, duke mos mbetur vetëm sinjalizues tematik, por edhe përbërës apo përplotësues të vet idesë. Njëri ndër tregimet që na ndihmon në këtë interpretim, ndër më pikanti, është ‘(Vetë)vrasja e autorit’. Këtu kemi gjithçka që do ta përbënte interesanten apo të pazakonshmen të letrarizuar. Ka intrigën në titull, zhvillimin dramatik të saj dhe një përfundim që do ta befasojë lexuesin. Vetëm tek përfundimi, lexuesit do t’i implikohen mundësitë e fatalitetit si akt i pakthyeshëm për kryepersonazhin.

Me një fjalë, në këtë përmbledhje, ka mjaft tregime që do të provokojnë lexuesit. Fundja, letërsia shtron pyetje, dilema, këtë e ka për detyrë, jo që t’i zgjidh ato!

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here