Roli i Gjyqësorit Kundër Krimit të Organizuar – Përvoja Italiane 2

0

Ligjërues: z.Giusto Sciacchitano – Prokuror Kombëtar i Antimafias në Itali

Pjesa 2:

Z.Sciacchitano, gjatë ligjëratës, deklaron se deri në vitet ’80 struktura organizative e mafias ka qene plotësisht e panjohur. Sipas tij asnjë prokuror apo sociolog nuk kishte arritur të japë një përshkrim të strukturës se brendshme të mafias dhe operimit të saj. Hapi i parë drejt njohjes së strukturave të brendshme mafioze, sipas z.Sciacchitano, është bërë përmes kontakteve dhe bashkëpunimit me të ashtuquajturit “të penduar” (ish pjesëtarë të Mafias të cilët për hakmarrje personale kishin braktisur mafian dhe kishin filluar të bashkëpunonin me autoritetet shtetërore).
Sipas “të penduarve” mafia fillimisht fillon të operojë brenda vendit për t’u rrjetëzuar, më vonë, edhe në nivel ndërkombëtar.
Në operimin e saj brenda vendit mafia tenton të infiltrohet veçanërisht në politikë, dhe jo në aparatin e sigurimit të shtetit apo forca të rendit, pra thjesht duke tentuar të bëhet pjesë e strukturave politike shtetërore, në nivel qendror dhe lokal, përmes rolit të administratorëve publik.
Kurse, në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, mafia tenton të krijojë rrjete bashkëpunimi me organizatat simotra, si dhe me individë të cilët për të janë të besueshëm. Këtu z.Sciacchitano përmendi mangësitë ligjore të disa vendeve për të luftuar këtë fenomen siç është rasti i Gjermanisë dhe Holandës, të cilat me herët nuk ishin përballur me krimin e organizuar në këtë masë edhe pse mafia Italiane tashmë operonte në vendet e tyre. Sipas z.Sciacchitano, mafia Italiane përdor portet Holandeze për importimin e substancave narkotike nga Amerika Latine dhe Kolumbia, dhe jo portet në Itali. Këtu, z.Sciacchitano, përmendi edhe masakrën në Duisburg të Gjermanisë, ku dy fraksione të mafias Kalabreze “Ndrangheta” ishin përplasur mes tyre duke shkaktuar viktima, dhe se disa anëtarë të kësaj organizate mafioze, të përfshirë në këtë krim, ishin kapur në Holandë.
Gjatë kësaj ligjerate, z.Sciacchitano theksoi se një element shumë i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe mafias është edhe sistemi i burgjeve. Sipas tij burgjet duhet të jenë shumë të sofistikuara dhe të sigurta në mënyrë që të pandehurit dhe të dënuarit mos të kenë mundësi të komunikimit me ambientin e jashtëm dhe të mund të japin urdhra mbi vazhdimin e funksionit të mafias apo edhe të ekzekutimit të rivalëve. Z.Sciacchitano e cilësoi me këto fjalë gjendjen e burgjeve në Palermo të Sicilisë në vitet ’70: “Në Palermo burgjet ishin hotele me katër yje, ku kishe edhe porta rrotulluese, dhe nga ku të pandehurit dhe të dënuarit mund të hynin dhe dilnin pa asnjë problem.”
Në fund z.Sciacchitano, në formë rekomandimi, theksoi se prokuroritë e vendeve të ndryshme duhet të bashkërendohen dhe bashkëpunojnë ngushtë mes tyre, duke u përpjekur që të njohin për së afërmi krimin e organizuar dhe duke i mundësuar organeve të shtetit të shtrihen në të njëjtën mënyrë sikurse strukturat e organizuara të krimit në mënyrë që ato luftohen me sa më shumë efikasitet. Kurse, për studentët e fakultetit juridik z.Sciacchitano kishte këtë rekomandim: “Çdo vend ka nevojë për prokurorë dhe gjykatës të guximshëm, përfshirë edhe vendin tuaj. Megjithatë, nëse dikujt nga ju i mungon guximi atëherë është shumë më mirë qe duke filluar nga ky moment t’i ktheheni detyrës së thjesht si nëpunës administrate dhe jo të mëtoni të bëheni gjykatës apo prokuror.”

Sqarim: Kjo është një përmbledhje e shkurtër e ligjëratës të cilën e ka mbajtur z.Sciacchitano dhe shënimet, si të tilla, nuk janë marrë nga ndonjë procesverbal.

(Fund)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here