Robert Ndrenika mbush 73 vjeç

0

Robert Ndrenika, një nga aktorët më të mirë shqiptarë ka mbushur dje 73 vjeç. Ai ka lindur më 10 janar të vitit 1942. Me një portret të dashur dhe zërin që di të futet në lëkurën e çdo personazhi, prej vitit 1970 kur hyri si aktor në teatrin “Skampa” të qytetit të Elbasanit, e deri më sot ai vijon të rrisë dimensionin e tij artistik. Në shkurt të vitit që shkoi ai u shfaq i jashtëzakonshëm, te komedia “Djemtë gazmorë” me regji të Sulejman Rushitit, ku nën shoqërinë e Viktor Zhustit tregoi se mund ta sfidonte kohën.

Willi Klark (Ndrenika te kjo komedi) ishte një aktor që përmes situatave komike të humorit, tregoi se skena, kjo magji së cilës i është bashkuar herët është e vetmja gjë që e shndërron. Këtë vit Ndrenika u zgjodh nga regjisori Erion Kame të interpretonte rolin e Orgonit në komedinë e Molierit “Tartufi”. Kjo vepër do ta vendoste sërish Ndrenikën në krah të aktorit Viktor Zhusti, i cili është zgjedhur për të interpretuar rolin e Tartufit. Por disa probleme shëndetësore kanë bërë që Ndrenika të mos jetë më pjesë e trupës së kësaj vepre. Premiera e “Tartufit” e menduar të ishte javët e para të janarit, tashmë do të shtyhet deri në gjetjen e një aktori tjetër që do të zëvendësojë Ndrenikën.

Në role të tjera në këtë vepër interpretojnë aktorët: Rajmonda Bulku, Vasjan Lami, Justina Aliaj, Gent Deçka, Vangjel Toçe, Lulzim Zeqja, Mehdi Malka, Olta Daku, Niada Saliasi. Teatri nuk është e vetmja dashuri e Ndrenikës. Një mori personazhesh na e sjellin në kujtesë nga interpretimet që ka pasur në kinematografi.

Ka interpretuar mbi 30 filma, midis të cilëve mund të përmendim “Horizonte të hapura”, “I teti në bronz”, “Kapedani”, “Shtigje lufte”, “Në shtëpinë tonë”, “Koncert në vitin 1936″, “Bolero” etj. Në teatër ai ka interpretuar në vepra si “Besa” e Sami Frashërit, “Ura” e Minush Jeros, “Prefekti” i Besim Levonjës, “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës, “Bashkë me agimin” e Kolë Jakovës, “Midis dy njerëzve” e Kiço Blushit, “Skënderbeu” i Lec Shllakut, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Stinë e mërzitshme në Olimp” të Ismail Kadaresë, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” të Shekspirit, “I sëmuri për mend” dhe “Kopraci” të Molierit, “Udha e largët” e Arbuzovit, “Luiza Miler” e Shilerit, “Prometeu” dhe “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut, “Dashuri e tillë” e Kohoutit, “Banja” e Majakovskit, “Arturo Ui” e Brehtit, “Vdekja e një komisioneri” e Millerit, “Vizita e damës plake”e Dyrrenmatit etj.

Në vitin 1979, Ndrenika u nderua me çmimin “Artist  i Merituar” dhe në vitin 1988 titulli “Artist i Popullit”. Është nderuar me Kupën për Aktorin më të mirë në Festivalin Kombëtar të Teatrit, më 1994, për rolin e Di Spetes në shfaqjen “Magjia e Madhe”, të De Filipos dhe në Festivalin e Filmit të vitit 1979, për rolin e prefektit në filmin “Koncert në vitin 1936″. Në këtë ditëlindje ne i urojmë aktorit jetë të gjatë dhe sa më shumë role të tjera në skenë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here