Restaurimi i Hamamit

0

ARBËR SALIHU

Lufta e fundit la shumë ndërtesa me rëndësi arkitekturale, kulturore e historike të shkatërruara, tërësisht të demoluara apo pjesërisht të shkatërruara. Po ashtu edhe vetë koha, mungesa e dorës institucionale, por dhe vjetërsia si proces normal kanë bërë që disa sosh të kenë nevojë për ndërhyrje, restaurim e konservim të tyre. Duke mos pasur as qasje serioze ligjore e institucionale, por edhe duke pasur deficit profesional në raport me qasjen e problematikës së restaurimit e konservimit të këtyre objekteve, shohim se shumë objekte në vendin tonë janë shpërfytyruar deri në atë masë saqë kanë humbur edhe pamjen edhe vetë efektin arkitektural e historik.

Po që se e shohim se çka dhe si e përcakton ligji një objekt të tillë si trashëgimi kulturore, si dhe konsiderata si thesar që i jep, ne vërejmë që ky vend njëmend ka keqpërdorues të thesarit të popullit dhe të identitetit kulturor dhe këtë e bëjnë sistematikisht.

Ka disa objekte të cilat ose kanë shkuar në vetëshkatërrim ose janë degraduar deri në atë masë saqë janë bërë objekte me rrezikshmëri për shoqërinë. Disa objekte tjera, duke qenë me pozicione strategjike të volitshme ekonomike, herë u janë rezervuar zgjidhje natyrale (shpesh ka rënë zjarr mbi to) e herë zgjidhje të volitshme, ku ligji nuk e ka vërejtur, kurse komunës respektive nuk i ka penguar dhe kështu të dy palët kanë bërë rrugën e tyre në këtë tranzicionin politik e shoqëror që po kalojmë.

Restaurimet e hamameve në vendin tonë u bënë sipas emërtimit të tyre siç duket. Këtë fat kishte Hamami i Prishtinës. Përveç lojës se kush po investon (Komuna apo Ministria) dhe kush po inspekton e urdhëron punimet në objekt, si dhe në emër të restaurimit të Hamamit atij iu ndryshua pamja, destinacioni, por dhe iu cenua thellësisht vlera e saj pamore në tentim të adaptimit për qëllim tjetër të objektit.

Sikur të mos mjaftonte kjo që u bë në Prishtinë, sot shohim se në Prizren po bëhet një tjetër restaurim i Hamamit dhe që nuk duhet një sy prej arkitekti për ta vlerësuar shëmtinë që është duke i ndodhur objektit.

Hamami i Gazi Mehmed Pashës, i ndërtuar para më shumë se 440 vjetësh, është objekt nën mbrojtjen e UNESCO-s. Si i tillë objekti në fjalë është duke u degraduar në masë nga vetë natyra dhe sipas disa shkrimeve të kohës teksa niveli qendror dhe ai lokal e hedhin topin tek njëri-tjetri se kush duhet ta ruajë e ta mirëmbajë atë gjendja po përkeqësohej edhe më. Në Konferencën e Donatorëve (sipas shkrimeve të kohës) që UNESCO-ja kishte bërë për të marrë fonde për Hamamin në vitin 2005 edhe kishte siguruar fondet për të filluar punët për restaurim. Tani ky investim shumë pak çon peshë se kush po e bën sepse po u bë nga investitorët vendas ata kanë shkelur Kushtetutën dhe ligjet respektive të fushës, po u bë nga UNESCO-ja ajo ka shkelur konventat ndërkombëtare dhe rregulloret e tjera respektive të fushës.

Ligji për Trashëgiminë Kulturore me Nr. 02/L-88 përcakton qartë që nga elementet se çka konsiderohet trashëgimi arkitekturale e deri tek ajo se kush dhe sa mund të ndërhyjë në këto objekte.

Lidhur me rastin besoj shumë që edhe vetë UNESCO-ja ka një ligj dhe rregullore, e cila i përcakton asaj të drejtat dhe detyrimet, si dhe mundësinë se deri në çfarë mase guxon të ndërhyjë në objektet, të cilat i ka në listën e saj.

Gjithsesi ligji ynë përcakton qartë në Nenin 4.14 kur thotë se: “cilado ndërhyrje që ndikon në tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, si dhe nenet pasuese në kapitullin “Konservimi dhe restaurimi i trashëgimisë kulturore” kushtëzohen veprimet e mëtutjeshme. Për të gjithë trashëgiminë arkitekturale ligji në fjalë e kodifikon në Nenet 3 dhe 4, gjithashtu edhe Kushtetuta e Kosovës merret me mbrojtjen e këtyre objekteve, si dhe konventat ndërkombëtare për trashëgiminë botërore. Ndërsa institucioni, i cili merret me ruajtjen e këtyre objekteve, është Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK). Në të dyja rastet shohim se edhe ligji, por edhe institucioni, kanë dështuar më vetë Hamamin e Gazi Mehmed Pashës, si dhe në shumë objekte e zona të trashëgimisë kulturore në vendin tonë.

Mjafton të kujtojmë objektin e njohur në popull si “Xhamia e Llapit”, e cila u dogj nga forcat serbe gjatë luftës dhe që pasluftës në emër të ndërtimit e të konservimit iu ndërrua e gjithë pamja e saj. Gjithashtu një ndërhyrje deri në degradim, por që në këtë rast erdhi nga autoriteti komunal i Gjakovës, është edhe “Çarshia e Madhe”, e cila thuajse pësoi deri në atë pikë sa iu ndërrua edhe destiacioni edhe struktura e saj veçuese kësaj radhe nga vetë shqiptarët pas shkatërrimit që iu bë gjatë luftës. Gjersa autoritetet qendrore dhe lokale u dakorduan se kush sa guxon të ndërhyjë e “të ndërtojë”, opinioni dhe qytetarët panë që “Çarshia” po prishej e po ndryshohej.

Hamami i Prishtinës, i vjetër më shumë se pesë shekuj, pësoi ndryshime gjatë restaurimit të tij. Edhe në këtë rast kishim një keqkuptim ndërinstitucional të dy niveleve qeveritare, atij komunal dhe qendror, dhe në ndërkohë pasojat mbi Hamam u lanë kur puna u përfundua.

Një politikë tjetër menaxhuese e objekteve me rëndësi kulturore e trashëgimi arkitekturale është edhe strategjia e harrimit deri në degradim, pastaj rrënimi i saj. Këtë fat kishte objekti i njohur hotel “Unioni”. Ndaj këtij objekti u përdorën gjithfarë makinacionesh e politikash, por zjarri i “rastësishëm” ishte zgjidhja më e mirë.

Së fundmi në listën e menaxhimit me “zjarr” hyri dhe shtëpia e Xhafer Devës, ministrit të Brendshëm në qeverinë shqiptare të kohës. Për qytetin e Mitrovicës ky objekt kishte rëndësi kulturore e historike, por moskoordinimi institucional dhe qasja joserioze ndaj këtij objekti thuajse rrezikuan shkatërrimin e tij të tërësishëm.

Vendi ynë në emër të së resë dhe të frymës a ideologjive të ndryshme ka pësuar nëpër shumë etapa, diçka e tillë e re ndodhi edhe në kohën tonë me objektin e “Rilindjes” tash objekti qeveritar. Prishtina u betonizua në kohën e regjimit jugosllav ku u shkatërrua qendra e vjetër apo e njohur si “Qendra Historike”. Fat të tillë kishin edhe vendet tjera, të cilat sadopak karakterizoheshin me diçka të vjetër për nga arkitektura trashëgimore e historike.

Listës së dështimeve institucionale e ligjore i shtohet dhe rëndesa e kohës, e cila është e natyrshme, por shumë e rëndë së paku për vendin tonë. Derisa listimit mund t’i shtojmë edhe neglizhencën dhe reagimin e qulltë të opinionit qytetar a shtresës intelektuale e të fushës, atëherë duhet të mësojmë ca lutje të mundshme që do ta mbronin këtë fushë e këto objekte, ndryshe këtë pjesë identitare e kulturore do ta bëjnë me lustrën e modernes si  me Hamamin e Prizrenit.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here