Reshjet, ja situata në qarqet kryesore të Shqipërisë

0

Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë krijuar problematika me qarkullimin në mbarë Shqipërinë. Ministria e Punëve të Brendshme dhe të gjitha strukturat në varësi të saj, njoftojnë se kanë vijuar gjatë gjithë natës dhe ditës së sotme të ndjekin hap pas hapi situatën e krijuar.

Aktualisht po punohet në të gjitha qarqet që kanë problematikë për shkak të kushteve  të motit. Forcat e Policisë së Shtetit, FNSH Shkodër, Tiranë Fier, forca ushtarake, zjarrfikëset, punonjësit e OSHEE-së, punonjësit e bashkive dhe administratorët e zonave problematike, po punojnë me të gjitha kapacitetet njerëzore për të mbajtur nën kontroll situatën dhe për të bërë të mundur evakuimin e banorëve atje ku do të shikohet e arsyeshme për të mos rrezikuar asnjë jetë njerëzore.

Në terren janë angazhuar forca të FNSH-ve, policia lokale, Forcat e Armatosura, ku numërohen 124 forca, 12 mjete transporti, 3 ekskavatorë, 1 fadromë dhe 3 varka. Situata deri në orën 15:30 paraqitet si më poshtë:

QARKU TIRANË

Rruga “Shaban Bardhoshi” në Kombinat ka prezencë të madhe uji në oborre dhe në banesa.

Në Lundër tek Arshiva e Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurimeve Shoqërore, janë dërguar 2 fadroma nga SHPFA, për të punuar për eliminimin e përmbytjeve.

 QARKU LEZHË

Në fshatin Pllane, njësia administrative Zejmen, bashkia Lezhë, si pasojë e reshjeve janë evakuar 10 familje nga FNSH Shkodër dhe punonjësit e Policisë Lezhë. Janë duke u evakuuar dhe 4 familje të tjera.

Rruga e Kombit në sensin lëvizës Kukës – Rrëshen është e bllokuar si shkak i rënies së inerteve. Lëvizja e automjeteve po kryhet me një sens kalimi dhe nën monitorimin e Policisë Rrugore.

Në fshatin Fushë Kuqe, Bashkia Laç, është normalizuar situata për shkak të pushimit të reshjeve. Aktualisht ka prezencë uji vetëm në disa sipërfaqe të tokës bujqësore.

 QARKU DURRËS

Në Fushë Krujë dhe fshatin Derven i Poshtëm, situata është drejt normalizimit.  Prezencë   uji ka vetëm në sipërfaqe të tokave bujqësore.  Në  terren janë forcat e Policisë së Shtetit, administratori i zonës dhe punonjës  të Bashkisë  Fushë Krujë.

 QARKU DIBËR

Rrezikohet argjinatura e lumit Drin në fshatin Gjoricë e Poshtme të Bashkisë Bulqizë. Në vendngjarje forcat e Policisë së Shtetit. Pritet mbërritja e forcave ushtarake për të bërë të mundur punimet në argjinaturë dhe evakuimin e banorëve nëse situata do të jetë kritike.

Aktualisht lumi Drin është tejet i fryrë dhe rrezikon daljen nga shtrati.

Në Fushë Bulqizë rrezikohen disa banesa nga fryrja e një përroi, i cili është fryrë nga reshjet e shumta që kanë rënë. Në vendngjarje po punojnë forcat e bashkisë dhe një mjet ekskavator që po bën të mundur hapjen e kanaleve. Situata po shkon drejt normalitetit.

Nga qarqet e tjera të vendit nuk raportohen probleme për shkak të kushteve të motit.

Gjithashtu u kërkohet qytetarëve që për të gjitha rastet e emergjencave të telefonojnë në numrin 129 të policisë së Shtetit apo në numrin 128 të Shërbimit zjarrfikës./Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here