Reportazhi i “La Stampa” në Cërrik: Aty ku mblidhen ushtarë për ISIS

0

Giordano Stabile, i dërguari i gazetës Italiane “La Stampa” ka bërë një reportazh në qytetin e Cërrikut rreth grupeve terroriste që rekrutojnë luftëtarë në Shqipëri.

“Jo-besimtarët dënohen në Kuran”, e nis shkrimin gazeta duke cituar imamin Kreshnik Çili, i cili punon si mekanik në një ofiçinë në Cërrik. Sipas autorit të artikullit ky qytet është porta hyrëse në galaksinë e predikuesve xhihadistë shqiptarë që vazhdojnë aplikimin e sheriatit në Ballkan, dhe në bregdetin e Adriatikut. Përsëri duke cituar imamin gazeta shkruan se Çili thotë pa hezitim: “Nuk është e drejtë të vrasësh femra, fëmijë apo të krishterë, por jo-besimtarët dhe ateistët janë të dënuar në Kuran”, transmeton abc news.

I dyshuar për pjesëmarrje në një rrjet rekrutuesish të luftëtarëve shqiptarë që kanë shkuar për të luftuar në Siri, Çili është në mbikëqyrje maksimale. Sipas gazetës italiane këtë e dëshmojnë furgoni dhe makina e policisë që mbikëqyrin në një distancë të afërt. Kundër tij nuk janë gjetur prova të mjaftueshme nga policia shqiptare ndaj imami gjendet i lirë. Xhamia që imami nga Cërriku drejton është një nga ata që kanë refuzuar kontrollin nga Komuniteti Musliman Shqiptar.

Çili mohon se në zonë ka luftëtarë që kanë shkuar për të luftuar në Siri, apo të kthyer, por zona mes Kavajës dhe Cërrikut është ajo më e prekura e cila monitorohet nga ekipet anti-terrorizëm. Është një Shqipëri e varfër, theksohet në artikull duke përmendur zonën përreth lumit Erzen, ku cilësohen shtëpitë e vjetra, dhe rrugët në të cilat vihet re vetëm tabela “Shitet”.

Më tej autori i shkrimit përmend Ebu Merjen, një shkodran që ka shkuar në Siri në vitin 2012 dhe është kthyer në 2013. “Lindur dhe rritur në Shkodër, në veri të Shqipërisë, afër kufirit me Kosovën, Ebu Merjen ka qenë pjesë e Al Nusras që cilësohet si degë e Al Kaedës në Siri, është kthyer përpara ligjit të 2014 që do ta fuste në burg atë”, shkruan La Stampa.

Gazeta përmend dhe rastin e një luftëtari shqiptar Aldo Kobuzi, që ishte i martuar me xhihadisten e parë italiane Maria Xhulja Serxhio. I rritur në një fshat të Lushjnes Kobuzi u radikalizua pas një bisede me mamanë e tij pas divorcit. Tani ai ndodhet në Raka, që cilësohet si kryeqyteti i ISIS, dhe autoritetet italiane po monitorojnë zonën ku ai qëndronte për një kthim të mundshëm. Sipas La Stampa rreth 40 xhihadistë të kthyer në Itali kanë kaluar përmes Ballkanit. Më pas përmend dhe xhihadistin nga Librazhdi Ervin Hasanaj që u vra nga ISIS pasi donte të kthehej në Shqipëri, si dhe xhamitë që nuk janë nën kontrollin e KMSH-së. Gjithashtu shkruan për imamët e arrestuar si rekrutues të shtetit islamik ku përmend se janë përgjegjës për dërgimin e dy adoleshentëve Ervis Alinji dhe Denis Hamzaj në Siri, të cilët janë vrarë

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here