Rënia në dashuri

0

Njeriu gjatë rënies në dashuri në skanim tomografik dëfton rreth 40 përqind më shumë dopamin — hormon të lumturisë — se nivelet normale. Nuk është që ekziston një “qendër e dashurisë” në tru, po stimulohet fuqishëm tërë sistemi i shpërblimit/andjes. Kjo është një pjesë evolutive e sistemit autonom nervor në tru, i cili rëndom shpërblen me andje aktivitetet jetëmbajtëse, ushqimin, shuarjen e etjes, orgazmën.

Gjatë rënies në dashuri, njeriu mjafton ta kujtojë objektin e gjakimit të vet, e pëson një vërshim të dopaminës, sistemi i shpërblimit i lahet në hormone lumturie. Ndaj shumë të dashuruar e humbin oreksin. E si të konkurrojë me dashurinë,ta zëmë, një tavë Elbasani?

Prof Art Aron, psikolog, dhe prof Helen Fisher, antropologe, nga Stony Brook University në New York, konstatojnë se në aspektin fiziologjik, ky lloj i rënies në dashurie i ngjan fiksit të narkomanit, a zellit të maniakut në disa tipe të sëmundjeve mendore.

Por ka dhe më keq. Truri i njeriut është i prirur të normalizojë tajitjet e dopaminës, për ta mbrojtur njeriun nga mbidoza. Ndaj sado të mundohesh, e sado të kesh rënë kulahum, prapë do të kthehesh në nivele normale herdokur — pas ca ditësh, ca javësh, ca muajsh. Në disa raste ekstreme, gjurmë të lehta çrregullimesh tipike trunore janë regjistruar deri tri vjet pas rënies në dashuri. Por më gjatë, jo.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here