Reformat dëmtojnë seriozisht injorancën!

0

EGZONA KRASNIQI

Universiteti i Prishtinës ka kohë që është dashur t’u nënshtrohet reformave. Madje edhe jemi vonuar shumë në këtë aspekt. Mirëpo, disa “mendje të ndritura” të shoqërisë sonë e shohin sistemin tonë arsimor aq të zhvilluar saqë edhe ngriten kundër tyre. Mendësi të tilla që dalin e hyjnë nëpër Universitetin e Prishtinës duke u integruar edhe në strukturat e tij udhëheqëse po bëjnë që cilësia e studimeve në këtë universitet të bie çdo vit e më shumë. E bashkë me cilësinë, po bie edhe vlera e këtij universiteti.

Arrestime për falsifikime diplomash, regjistrime pa provim pranues, akuza për shitblerje notash kanë bërë që institucioni në të cilin për vite me radhë është ligjëruar për norma dhe ligje, të bëhet “kampion” në shkeljen e tyre. Në këtë universitet tërë këto vite jo që nuk janë zbatuar por edhe janë shkelur pothuajse të gjitha normat ligjore. Është hera e parë që avazi i vjetër po merr një kahje tjetër. Për herë të parë, përmes këtyre reformave titulli akademik po synohet të arrihet mbi baza ligjore e jo për shkak të interesave e preferencave personale. Edhe ashtu në vendin tonë ka pak njerëz që punojnë në harmoni të plotë më ligjet kurse të vetmin njeri që po tenton ta bëjë një gjë të tillë, po ia mbyllim dyert duke mos e lejuar të depërtoj brenda.

“Si është arsimi sot, ashtu është kombi nesër.” Bazuar në këtë thënie, po ta shikojmë sistemin politik e ekonomik të vendit tonë do ta kuptojmë më së miri se në ç’gjendje është ai arsimor e veçmas ai universitar. Po të investonim në këtë të fundit do të “godisnim dy zogj me një gjuajtje”. E kjo ngase një sistem i mirë arsimor mbase jo me efekt të menjëhershëm, do të thotë të ardhura më të larta, stabilitet politik, ekonomik dhe mirëqenie më e lartë për të gjithë. Andaj, në një sistem që nuk funkisonon mirë reformat jo që duhet kundërshuar por duhet pranuar krahëhapur ngase janë janë hapi i parë dhe më efikas drejt sigurimit, ruajtjes dhe forcimit të kësaj cilësie.

Bazuar në ligje dhe rregullore që nga viti 2002, Universiteti i Prishtinës funksionon në harmoni me sistemin e Bolonjës. Por, kur bëhet fjalë për praktikën ky universitet është akoma larg këtij sistemi. Ende nuk jemi integruar në të e për konkurrencë me universitetet prestigjioze të Evropës as që bëhet fjalë. Po deshëm të konkurrojmë me to, duhet të ndjekim rrugët që ato kanë ndjekur. E rruga më e mirë janë pikërisht këto reforma të cilat përpos se janë në harmoni të plotë më këtë sistem, u sigurojnë kuadrove tona pozitë të barabartë në tregun e punës. Tek e fundit, janë dëshmuar në vendet tjera, pse të mos dëshmohen edhe tek ne.

Nga ajo që u tha shihet shumë qartë se nuk e kemi luksin të eksperimentojmë me institucionin kryesor të dijes në vendin tonë. Çdo investim cilësor në të, do të thotë investim në vetveten. Është koha e fundit që udhëheqësia e këtij universiteti dhe Ministria e Arsimit të punojnë në jetësimin e rregulloreve të mbetura vetëm në letër. Assesi nuk duhet të lejojmë që Universiteti i Prishtinës të bëhet pre e pazarllëqeve të të gjithë atyre që duan diploma pa cilësi dhe dituri pa njohuri. Çdo heshtje përballë gjendjes ekzistuese na bënë bashkëpjesëmarrës në të.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here