Reagon Presidenca e Kosovës:Presidenti serb Nikoliq na sulmoi,ne iu përgjigjëm

0
Zyra e Atifete Jahjagës ka konfirmuar se kryetarja e shtetit dhe Republika e Kosovës janë sulmuar dhe akuzuar rëndë nga i pari i Serbisë, Tomislav Nikoliq, gjatë samitit “Brdo-Brione”, të hënën në Budvë. Sipas një deklaratë që iu dërgua “Klan Kosovës”, gjithçka ndodhi pasi Nikoliq nuk mundi ta kapërdinte faktin se Jahjaga dhe Republika e Kosovës, po përfaqësoheshin në këtë takim, në mënyrë të barabartë si vetë Nikoliq dhe Republika e Serbisë.
Presidenca e Kosovës ka pranuar se kryetari i Serbisë, Tomislav Nikoliq, ka bërë sulme dhe akuza të rënda në adresë të së parës së Republikës, Atifete Jahjaga.
Kjo si reagim në ato që shefja e shtetit të Kosovës ka thënë gjatë samitit Brdo-Brioni, që u mbajt të hënën në Budvë, ku siç thuhet, Jahjaga dhe Republika e Kosovës u paraqitën si pjesëmarrëse e barabartë me Republikën e Serbisë.
“I indinjuar me faktet e hedhura para tij dhe me trajtimin e barabartë dhe serioz që po i bëhet Republikës së Kosovës në çdo forum rajonal dhe ndërkombëtar, Presidenti Nikoliq iu kthye retorikës së tij tashmë të njohur, duke e shkaktuar një situatë paradoksale”, thuhet në një deklaratë të presidencës, dërguar Klan Kosovës.
“Derisa ai (Nikoliq) fliste për Kosovën si shtet që nuk ekziston dhe problemin që ai kishte me Presidenten Jahjaga për përfaqësimin e Republikës së Kosovës gjithandej, Presidentja Jahjaga ishte e ulur përreth tryezës me të gjithë homologët e saj nga rajoni dhe presidentin austriak, Fischer, të gjitha këto shteteve që njohin pavarësinë e Kosovës, për të diskutuar për bashkëpunimin rajonal që me plane strategjike të bëhen pjesë e hartës infrastrukturore dhe energjetike të Bashkimit Evropian”.
Deklarata e dërguar nga Garentina Kraja, këshilltare e presidentes Jahjaga thotë se “nuk është hera e parë që presidenti serb Nikoliq bënë akuza ndaj Kosovës apo proteston ndaj fjalimeve të presidentes Jahjaga në forume rajonale dhe ndërkombëtare, ku Republika e Kosovës është pjesëmarrëse e barabartë me Republikën e Serbisë”.
“Ngjashëm edhe gjatë procesit të Brdos që u mbajt në Budvë, presidenti serb, duke reaguar në fjalimin e Presidentes ku ajo foli për bashkëpunimin ndërshtetëror në aspektin ekonomik dhe të sigurisë, dhe shembullin e mirë që Republika e Kosovës, si shteti më i ri në rajon, po jep në këtë aspekt, ka lansuar një sërë sulmesh dhe akuzash ndaj Kosovës dhe presidentes Jahjaga, sidomos për incidentet në Kumanovë”, thuhet në deklaratën e dërguar për “Klan Kosova”.
Kraja ka bërë të ditur se “presidentja Jahjaga, para të gjithë të pranishmëve e ka ‘falënderuar’ presidentin Nikoliq për ‘brengën e tij’, dhe në vazhdim ka sqaruar se tashmë me presidentin Ivanov (të Maqedonisë) kanë diskutuar për këtë çështje, duke e shprehur pozicionin e Republikës së Kosovës rreth zhvillimeve në Maqedoni dhe bashkëpunimin ndërshtetëror mes dy vende në fushën e sigurisë për të ndihmuar me procesin e hetimeve.
E duket se as Jahjaga nuk ka lënë pa i treguar pjesëmarrësve të samitit se çfarë është duke bërë Serbia, lidhur me këtë problem. “Duke u ndërlidhur me çështjen e terrorizmit, presidentja ka përmendur rastin e qytetarit të Serbisë që është arrestuar në posedim të 14 kilogramëve eksploziv ushtarak në prag të festave të fundvitit në qendër të Prishtinës dhe dështimin e Republikës së Serbisë për të sqaruar incidentin apo për të bashkëpunuar me institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here