Reagon Doshi: Rama më kërkoi prova për atentatin e organizuar ndaj meje

0

Deputeti Tom Doshi ka reaguar në Facebook pas deklaratave të bërë gjatë ditës së sotme, ku ka akuzuar kreun e Kuvendit, Ilir Meta se ka organizuar një atentat ndaj tij.

Doshi është shprehur se gjatë debateve në grupin parlamentar të PS-së, ku u mor vendimi për përjashtimin e tij, kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga ai që të paraqes provat për akuzat që bën ndaj Metës.

“Sot, më kërkoi Edi Rama prova, në fakt mesa duket kryeministri nuk e njeh rendin e punëve, provat duhet t’i gjeje shteti jo unë edhe pse unë i kam ofruar çdo informacion që kisha dhe prova (i porosituri per të kry krimin) i ka shkuar në zyrë vetë Ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të policisë të shtetit dhe i ka treguar për porosinë dhe porositësin”, shkruan Doshi.

Deputeti shkodran ka thënë se e gjithë kjo situatë nuk është e papritur për të dhe se ka qenë në pritje të zbardhjes së atentatit që prej 5 muajsh. Doshi ka deklaruar se për këtë çështje ka biseduar me Metën, të cilin e akuzon si orkestures të këtij atentati.

“Për mua nuk ishte e papritur kjo që ndodhi. Ka kohë që unë jam në pritje të zbardhjes të organizimit të atentatit ndaj meje dhe askush nuk lëvizi për plot 5 muaj. Ku na çon ky fakt? Ne mbrojtjen e krimit. Kjo është Rilindja? Unë bej pjesë në grupin e njerëzve që e besuan Rilindjen por si ta besoj më kur unë kam 5 muaj që kam informuar Prokurorin e Përgjithshëm, Ministrin e Brendshëm, Kryeministrin dhe vetë Ilir Metën për faktin dhe përgjigja ishte vetëm heshtje dhe mbulim. E thërrita vetë Ilir Metën dhe i’a thashë në sy sepse unë nuk kam asgjë që mund të më heqi guximin të përballem me këdo”, ka thënë Doshi.

Më tej deputeti shton: “Këto janë të vërtetat e mija të nderuar miq, dhe me gjithë këtë problem mbi kry pata durimin për të prit në heshtje. Edhe reagimi im në media nuk u lidh me faktin e eleminimit tim fizik. Reagimi im erdhi si rezultat i problematikës në zonën time. Unë kam një problem, kontrata me qytetarin e cila është thyer. Unë tashmë nuk bëj më pjesë në grupin parlamentar socialist por ama jam kryelartë përballë të gjithë bashkëqytetarëve të mi që më besuan, kryelartë sepse të paktën sot të gjithë jemi në një stad, të zgjënjyer. Unë nuk kam hyrë në politikë për t’i bërë lajka drejtuesit të rrallës por për të mbajt premtimet e bëra. Megjithatë unë per ju të nderuar bashkeqytetarë do jem gjithmonë një derë e hapur”.


Tom Doshi pas përjashtimit nga  PS-ja ka bërë akuza të ashpra ndaj Edi Ramës dhe Ilir Metës. Ai ka deklaruar se kanë tentuar ta vrasin dhe se personi që e ka marrë përsipër ka takuar Sajmir Tahirin. Po kështu Doshi ka përmendur edhe se ka video për këtë gjë.

“Edi Rama ka një tutor që quhet Ilir Meta që ka pagu lekë për me vra mu dhe Mëhill Fufin.Ka 5 muaj që ia kam bërë të qartë edhe Metës edhe Edi Ramës, prokurorit të Përgjithshëm,  Prokurorisë së Krimeve të Rënda . Unë kam informuar Senatin Amerikan për këtë punë. Ia bëra të qartë edhe Edi Ramës për 21 janarin. Personi që ka marrë përsipër për të kry këtë akt është taku edhe me ministrin Tahiri. Kam video. Nuk dal prej politikës. Ia bëra të qartë edhe Edi Ramës që nuk shkoj në asnjë parti tjetër. Do t’i dal me 61 kandidatë në zgjedhje.”, deklaroi Doshi.

Tom Doshi ka marrë pjesë në mbledhjen e grupit që do të diskutojë për deklaratat e tij, por e ka lënë atë menjëherë sapo ka dëgjuar propozimin për përjashtimin e tij, pa pritur marrjen e vendimit.  ”Nuk jam i shqetësuar aspak për vendimin e grupit”, tha Doshi kur po hynte në seli, para mbledhjes.

Pak minuta para nisjes së mbledhjes së grupit socialist Koço Kokëdhima ka deklaruar se nuk do të ketë përjashtime ”Nuk bëhet fjalë për prerje kokash”, ka deklaruar Kokëdhima. Në selinë e PS-së ka mbërritur edhe kryeministri Rama. Deputetët Blushi, Fino, Stërkaj dhe Gaçi duke hyrë në seli nuk kanë dashur të bëjnë asnjë koment për qëndrimin e tyre, duke thënë se do të flasin pas mbledhjes.

Deputeti ka sulmuar javën e kaluar kryeministrin Rama, duke I shpallur luftë atij. Doshi tha se Rama duhet të bëjë transparencë për ministrat dhe drejtorët e tij, duke i akuzuar këta për vjedhje dhe për performancë të dobët. Nga ana e tij, kryeministri Rama në një takim me deputetë të Ps-së, mësohet se ka thënë që sulmet  e Doshit ndaj Ramës dhe qeverisë së tij janë vetëm për arsye personale dhe pa baza.

Për të qetësuar situatën janë futur në lojë deputeti Koço Kokëdhima,  Gramoz Ruçi dhe ministri I Brendshëm Sajmir Tahiri.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here