Reagim mbi viktimat serbe në hapjen e festivalit “Mirëdita, dobar dan” në Beograd

0

Një burrë rreth të 50-tave, i veshur me të verdha dhe me një fotografi në dorë, ka qenë i pari që ka marrë vëmendjen në Dvorana Doma Sindikata. Në dorë ai ka mbajtur fotografinë me 14 të vrarë nga familja e tij në luftën e fundit mes Kosovës e Serbisë, atë të vitit 1999. Burri, që i ka të shpeshta ndërhyrjet e tilla sipas aktivistëve serbë, ka dalë në fotografi me Ministrin e Kulturës nga Serbia dhe ka treguar se kur një festival mes Kosovës e Serbisë është gati të fillojë, është e rrugës që të dihen edhe viktimat serbe në luftën e Kosovës. Sipas tij, ana tjetër e medaljes.

Megjithatë, burri në fjalë është pajtur me qetësinë dhe ceremoninë e cila hapi edicionin e dytë të festivalit “Mirëdita, Dobar Dan”, i cili ka nisur pak minuta më herët në Beograd. Festivali, një tribut ndaj figurës së aktorit të madh Bekim Fehmiu, sivjet përqëndrohet në temën e të zhdukurve, personave për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë.

Ministri serb i kulturës, Ivan Tasovac, e ka shpallur të hapur festivalin i cili sipas tij është një tjetër hap i mirë drejt përmirësimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

“Kultura na ndihmon ti anashkalojmë keqkuptimet mes vete, sepse ajo nuk njeh kufi. Kultura transformon dhe krijon forma më të lehta për të kuptuar shprehjet e tjetrit. Kësisoj ne e zhvillojmë ndjenjën e përkatësisë dhe shumëllojshmërisë për një botë më të mirë” ka thënë mes tjerash Tasovac.
Përfaqësuesi nga Civic Initiatives nga Beogradi, të cilët bashkë me Integra nga Kosova organizojnë festivalin, tregoi se festivali duhet të festohet si një event kulturor i cili tenton të shkojë përtej paragjykimeve e stereotipeve.

“Gjithcka e krijuar mes dy etniteteve bazohet në stereotipe, prandaj le të shërbejë një organizim për të thyer të tilla ndërtime” ka shtuar Dragan Popovic.

Me fillim prej orës 19:00 në Festival do të shfaqet filmi “Tri dritare dhe një varje” me regji të Isa Qosjës. KultPlus do të raportojë vazhdimisht nga Beogradi mbi këtë edicion të festivalit që tanimë po zë një vend të rëndësishëm në pajtimin kulturor mes dy shteteve. / KultPlus.com

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here