Ramush Haradinaj: “Partitë fituese të zgjedhjeve na turpëruan”

0

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e ka mbajtur sot Kuvendin e Dytë të Punës, në të cilin, pas diskutim-propozimeve të shumta, janë miratuar ndryshimet statutare të saj, ka njoftuar Zyra për Marrëdhënje me Publikun e kësaj partie. Në fjalën e tij para delegatëve të partisë, kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ky kuvend shënon një moment tjetër të rëndësishëm në rrugëtimin e Aleancës drejt zhvillimit të demokracisë dhe funksionimit sa më të mirë. Haradinaj ka shtuar se nga këtu, Aleanca po vazhdon drejt një procesi tjetër të rëndësishëm brenda, në procesin zgjedhor të partisë, që do të nis më 21 mars dhe në kuadër të të cilit Aleanca do të krijojë më shumë hapësirë për kuadra e profesionistë fushash të ndryshme, që përmes Aleancës do ta japin kontributin e tyre për vendin dhe njerëzit e vendit tonë. “Kemi kaluar shumë sfida deri më tash. Kemi qëndruar të palëkundur në besimin tonë dhe idealet për shtetin. Fatkeqësisht, partitë fituese të zgjedhjeve na turpëruan. Ata e sollën Kosovën në gjendje emergjente, dhe me mospunën e injorancën e tyre çdo ditë po dëbojnë qytetarët jashtë Kosovës. Kosovës i duhet Aleanca. Kosovës i duhet ndryshimi. Së bashku do të vazhdojmë më fuqishëm në javët e muajt që po vijnë”, ka thënë kryetari Haradinaj në Kuvendin e Dytë Punues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here