Ramush Haradinaj i mbështetë dhe do t’u bashkohet protestave

0

Ramush Haradinaj është rreshtuar në mbështetje të protestës së të shtunës. Lideri i AAK-së në një postim në rrjetin social Facebook ka thënë se protestat në Kosovë janë të arsyeshme.

Teksti i plotë i  Haradinajt:

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Aleanca e sheh me shqetësim të thellë gjendjen e përgjithshme në Kosovë. Tanimë është evidente se pushteti i instaluar nuk e ka për qëllim rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe zhvillimin e vendit, por akomodimin e aparatqikëve partiak dhe zaptimin e mëtutjeshëm të shtetit. Ky pushtet iu ka premtuar qytetarëve rritje të pagave prej 25 deri në 43 për qind vetëm sa për t’i marrur votat e tyre, ndërsa vetëm dy ditë pas instalimit në pushtet e karritur numrin e ministrive dhe të të emëruarve politik. Kjo qeveri nuk gjen mjete për rritje të pagave, por pa problem gjen mjete për rritjen e shpenzimeve qeveritare.

Ky pushtet i fyen qytetarët e vet pa pikë respekti dhe në vend se të merret me ndryshimin e disponimit të qytetarëve dhe zgjidhjen e problemeve të tyre provon në mënyrë të padinjitetshme ta relativizojë secilin problem.

Ky pushtet ende pa e nisur punën e ka filluar ndarjen partiake të pozitave nëpër borde të institucioneve të pavarura, prapë për akomodime partiake e jo në interes të qytetarëve. Të dy partitë në pushtet po bëjnë plane për zaptimin e plotë të shtetit e jo për lirimin e tij.

Ky pushtet po e zapton mëtutje mediumin publik dhe po iu bën presion mediave tjera. Ky pushtet menjëherë pas instalimit ka filluar t’i shantazhojë dhe t’i kërcënojë edhe bizneset private.

Se këtij pushteti nuk i intereson fare zgjidhja e problemeve tregon edhe sjellja e tyre me Trepçën. Duke provuar ta shpëtojnë vehten nga problemet që po i krijojnë, këta i fyen edhe më tepër si minatorët, ashtu edhe gjithë qytetarët e Kosovës duke i ndryshuar vendimet e veta brenda natës dhe duke e turpëruar shtetin duke u nënshtruar.

Këtij pushteti nuk i intereson fare fakti i hidhur se qytetarët tanë po ikin nga vendi, sepse e kanë humbur shpresën për jetë më të mire. Në vend se të fillojnë të gjejnë zgjidhje për hallet e qytetarëve, ky pushtet, prapë, provon ta relativizojë problemin duke u sjellur kinse asgjë serioze nuk po ndodh.

Ky pushtet e ka nisur punën me mashtrim dhe me mashtrim po vazhdon.

Aleanca beson se në demokraci qytetarët kanë të drejtë të protestojnë kur pushteti fillon t’i cenojë interesat e tyre. Shteti është i qytetarëve e jo i pushtetit. Në këto rrethana qytetarët më shumë se kurrë kanë arsye për të protestuar kundër ngulfatjes së lirisë dhe perspektivës së tyre për një jetë më të mire.

Për këto arsye Aleanca i mbështet dhe do t’iu bashkohet protestave gjithpopullore.

RH

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here