Ramdan Muja para gjyqit: Të gjitha i kam bërë për qytetarët

0

Ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj Ramadan Mujës dhe të akuzuarve tjerë, zyrtarë komunale të komunës së Prizrenit të cilët janë dënuar për korrupsion nga Gjykata Themelore e Prizrenit.

Mbrojtja dhe të akuzuarit kanë paraqitur faktet e tyre në lidhje me ankesën që kanë bërë në Gjykatën e Apelit me të cilën kanë kërkuar lirimin e tyre nga aktakuza.

Kryetari i Trupit Gjykues u ka thënë palëve se vendimi do të merret ditëve të ardhshme.

Ramadan Muja është dënuar me dy vjet burg ndërsa me burg janë dënuar edhe zyrtarët tjerë të komunës së Prizrenit.

Ata akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Muja ka thënë se është i pafajshëm. Ai ka theksuar se tërë jetën ia ka kushtuar kontribuimit për shoqërinë e Kosovës, e në veçanti asaj të Prizrenit.

“Veprimet për të cilat po akuzohem i kam bërë në interes të shoqërisë, në veçanti të qytetarëve të Prizrenit, të cilët tri herë radhas mi kanë dhënë më se 30 mijë vota”, ka thënë Muja në seancë.

Muja ka thënë se e tëra që ka bërë ai ka qenë zvogëlimi i papunësisë dhe krijimi i një institucioni arsimor.

“Deri sa të kem energji fizike dhe mendore do të bëj prapë përpjekje të kontribuoj në të mirë të shoqërisë. Juve ju mbetet ta merrni vendimin e drejtë në të cilin nuk dyshoj”, ka shtuar ai.

Avokati Tomë Gashi, në vazhdën e paraqitjes së mbrojtjes për Ramadan Mujën, ka kaluar në segmentin fetar katolik. Madje, Gashi ka tërhequr paralele midis Ramadan Mujës dhe Jezu Krishtit

Gashi ka thënë që pikërisht si Ramadan Muja, që është shpallur fajtor sepse punën e tij e ka kryer drejtë, ashtu është dënuar edhe, siç ka thënë ai, biri i Zotit, Jezu Krishti, raporton Gazeta Express.

“Nëse doni ta kryqëzoni Mujën për shkak se e ka kryer në mënyrë të drejtë punën e tij, atëherë shpalleni fajtor, sepse po vërehet se gjykimi i tij është politik”, ka shtuar Gashi.

Ruzhdi Berisha, avokati i Ramadan Mujës, ka kërkuar nga trupi gjykues në Gjykatën e Apelit që “të prishet aktgjykimi i shkallës së parë për fajësinë e klientit të tij.
Në seancën e sotme, avokati Berisha kërkoi që klienti i tij Muja të lirohet nga akuza ose çështja të kthehet në rigjykim.

Të njëjtat kërkesa i patën edhe Sahit Bibaj, avokat i të akuzuarit Sadik Paçarizi; Rexhep Hasani, avokat i të akuzuarit të tretë Avni Ademaj; Brahim Sopa, avokat i të akuzuarit Kadri Ukimeri; Skender Morina, avokat i Ibrahim Tejecit si dhe mbrojtja e të akuzuarit Minir Krasniqi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here