“Rambos” i erdhi mirë që u arrestua në Slloveni!

0

SHKUMBIN KAJTAZI

Ngjarjet e fundit që rrodhën si shkak i arrestimit të deputetit të AAK-së, shpërfaqin edhe një herë sipërfaqësinë e gjykimit të opinionit të gjerë, dhe venë në pah populizmin e pashoq të kësaj partie, që ekzistencën në skenën politike e garanton, çdoherë, vetëm me fatin e udhëheqësit të saj. Udhëheqësit të AAK-së, edhe ky pjesë e “Krahut të luftës”, ende po i sjellë fryte koha e luftës, veçse tash në angazhimin e tij politik, shpeshherë të pandershëm. Siç dihet botërisht, skena politike kosovare është e monopolizuar nga ky i ashtuquajtur “Krahu i luftës”, dhe kushti kryesor për të qëndruar në lidershipin politik në Kosovë, vazhdon të jetë pjesëmarrja direkte në luftë. Dhe, po lufta, po përdoret për ekzistencën në politikë të shumë karrieristëve të dështuar politik. Ramush Haradinaj, është personi më i thirrur, prej këtyre liderëve politik, pranë drejtësisë për çështje lufte. Dhe, të gjithë triumfimet e tij para drejtësisë, janë përdorur për të garantuar ekzistencën e tij dhe të partisë së tij në skenën politike. Po them “ekzistencën”, sepse për asnjë moment në historinë e pasluftës, AAK-ja nuk ka qenë faktor në Kosovë. Madje, në vëmendje të opinionit vinte vetëm kur ndodhte dicka me liderin e tyre. Partia e Haradinajt, herë të rralla ka qenë bashkëpunëtore në qeverisje(koha kur ishte koalicioni me LDK-në), dhe shumicën e herëve të tjera, ka qenë patericë e partive, herë opozitare e herë qeveritare. AAK-ja e Ramush Haradinajt, përveç 100 ditëshit të bërë të famshëm , jo pse është bërë gjë, por vetëm për shkak të mungesës së diçkaje tjetër për t’u krenuar, s’ka bërë gjë tjetër për ta merituar që të qëndroj kaq gjatë në skenën politike. Madje, është partia që ka qenë më aktivja në pranimin(marrjen) dhe detyrim-lëshimin(largimin), apo edhe shkarkimin e anëtarëve të saj, gjë që tregon (jo)seriozitetin e kësaj partie, apo edhe (jo)gatishmërinë për të luftuar për të qeverisur me vendin. Në mungesë të të gjitha sukseseve të tjera, politike është fjala, Ramushi së bashku me partinë e tij, është dashur ta përdorin ndjeshmërinë e votuesve kundrejt çështjeve të luftës, për të mbijetuar në lidershipin politik kosovar. Kujtojmë mungesën e Ramush Haradinajt në zgjedhjet e mëhershme, dhe kujtojmë “viktimizimin” e partisë së tij: “jemi partia e vetme që garojmë pa lider” – thoshte parreshtur zëdhënësja (jo)zyrtare e partisë së Ramushit, Donika. Gjithashtu, si pikë që përdorej në fushatën e fundit, ku ishte edhe kryetari i AAK-së tashmë, lidhej prapë me fatin e “Rambos”. Prapë në mungesë të theksimit të ndonjë suksesi për t’u përmendur, diskursi dominant në fushatat elektorale të kësaj partie ishte “padrejtësia e disa viteve me mungesën e kryetarit” dhe “prania e Ramushit na bën më të fortë”. Pra, mungesa e sukseseve në të cilat do të thirreshin, dhe gjithashtu mungesa e një plani me potencial që do t’i nxirrte fitues, Partia e Haradinajt, zgjedhë që fatin e prijësit ta bëj bazament të ekzistencës në politikë. Së këndejmi, duke parë mossuksesin e AAK-së në zgjedhjet e fundit, dhe humbjen e përkrahjes pas këtyre zgjedhjeve edhe të kryetarit të tyre, për AAK-në dhe vetë “Rambon”, mund të jetë i dëshirueshëm dhe i mirëseardhur ky “incident diplomatik” që ndodhi në Slloveni. I dëshirueshëm në kuptimin e dhënies së shansit që të garantojnë edhe nji çik mbështetje, të cilën do ta kërkojnë me reagime populiste të anëtarëve të partisë si: deklarata bombastike, thyerje të kartave të bankës sllovene, bojkotimit të operatorit slloven, protestë përpara Ambasadës së Sllovenisë etj. I dëshirueshëm dhe i mirëseardhur edhe në kuptimin e ekzistencës edhe për disa kohë si aktorë të rëndësishëm politik, në mungesë të sukseseve të tjera. Dhe, nëse shikojmë titujt e mediave, lajmet e kohës së fundit, deklaratave të opinionistëve, madje edhe reagimet e gjithë opinionit; ato flasin për një mbështetje aq të madhe ndaj Haradinajt, sa të tillë mbështetje kishte, vetëm gjatë kohës sa ishte në Hagë. Kështu, për “Rambon” dhe partinë e tij, kjo do të jetë mundësia e fundit për të ndryshuar mendësinë e të bërit politikë si “viktimë”, në të kundërt, do të duhej të shpresonin që të ndodhin skenare të tilla për të mbetur pjesë e politikës kosovare edhe më tutje.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here