Rama: Mundësi historike për paqe mes dy vendeve. Vuçiç: Kosova është pjesë e jona

0

Në një konferencë për shtyp pas takimit me kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç, kryeministri Edi Rama, tha se ardhmja e rajonit duhet t’i shohë të gjitha vendet të bashkuara, pa konflikte dhe në një bashkëjetesë të qëndrueshme, ndërfetare dhe shoqërore.
Rama i shprehu mirënjohjen Vuçiç për marrëveshjen reciproke të diplomave.
“Falënderoj kryeministrin Vuçiç për këtë vizitë dhe shpreh që në fillim bindjen se këto 24 orë qëndrimi në Tiranë, do jenë një shtysë që të rikthehet me kënaqësi në vendin tonë, – tha Rama në fillim të fjalës së tij. – Uroj që mbresat pozitive të vizitës së tij, ta nxisin atë që të inkurajojë qytetarët e vendit të tij, sidomos gjatë verës, t’i sigurojë se do të gjejnë vendpushimet, ushqimin dhe mikpritjen më befasuese në Shqipëri.
Me këtë takim, ne thyem kohën e gjatë të akullit mes dy shteteve pas dhjetëra dekadash, edhe pse jemi larg të qenit dakord për gjithçka. Sot shqiptarët dhe serbët kanë mundësi historike që ta kthejnë paqen e meziarritur në rajon, në një paqe që ia vlen të jetohet”.
“Ne shqiptarë e serbë, kemi mundësi të bëjmë për të mirën tonë, atë që francezët e gjermanët bënë për vetveten e europën pas luftës së dytë botërore, – vazhdon Rama. – Ne duam axhendën e një rajoni pa kufi, mes shqiptarëve, serbëve e të tjerëve, të bien barrierat tregtare, shoqërore, kulturore e ekonomike, që na kanë penguar të ecim përpara së bashku në rrugën e integrimit të Bashimit Evropian. Ne jemi shumë të vegjël për të mos u bërë bashkë, për të rritur ekonomikë tonë. Kam bindjen se suksesi ynë i përbashkët është e vetmja rrugë në këtë rajon, ku qëndrojnë të ndërlidhura fatet tona. Ne të gjithë jetojmë me një pjesë të tjetrit, ku edhe me tjetrin jemi ndarë”.
“Fakti që edhe një top futbolli rrezikoi të na rrokullisë në pikën zero, ishte mjaft domethënës që na bën të reflektojmë në një fazë të re bashkëjetese, pavarësisht se mes nesh ka një moskarodësi sa një mal lidhur me çështjen e Kosovës.
“Ne jemi kundër çdo forme të ndasisë ndëretnike, ksenofobie dhe larg thirrjeve dhe nxitjeve konfliktuale në Maqedoni dhe jo vetëm. Ngjarja tragjike në Kumanovë, tregoi se rajoni i Ballkanit është delikat”.
Në fjalën e tij gjatë konferencës për shtyp, kryeministri Aleksandër Vuçiç tha se pvarësisht nga qëndrimet e kundërta me Tiranës zyrtare, Kosova konsiderohet një pjesë e Serbisë. Ai falënderoi kryeministrin Rama për mikpritjen bujare dhe uroi që të dyja vendet të ecin në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.
“Jam krenar që jam kryeministri i parë serb që vij në Shqipëri pas dekadash. Ne dëshirojmë marrëdhënie të mira. Shkëmbimi tregtar dhe ekonomik është në interes të dy vendeve, – tha kryeministri serb. – Kemi biseduar edhe për zhvillime të turizmit që të vijnë sa më shumë turistë në Tiranë dhe anasjelltas. Është fakt që nuk pajtohemi me Kosovën dhe Metohinë, pasi Serbia e konsideron si pjesë të vetën. Ne i kemi bisedat mes Prishtinës e Beogradit në mënyrë miqësore. Nuk pajtohemi për statusin e Kosovës”.
“Ne do të jetojmë së bashku dhe ne jemi një popullsi e madhe dhe nuk ka nevojë për luftëra për t’i rregulluar këto punë. Nga e shkuara nuk mund të ikim, duhet të shikojmë të ardhmen. Unë dëshiroj t’i zgjas dorën popullit shqiptar. Ne mendojmë ndryshe dhe deklaratat i kemi ndryshe, por kjo nuk i cenon marrëdhëniet tona në të ardhmen. Kjo është një marrëdhënie miqësore dhe ekonomike. Falënderoj Ramën për mikpritjen. Ne flasim hapur edhe kur nuk kemi qenë dakord. A e mbajti fjalën Rama që nuk do të provokoheni në Tiranë? Nuk kam asnjë vërejtje me mikpritjen, organizimin shumë të mirë, bëmë shaka edhe me Ramën. Serbia e Shqipëria kanë marrëdhënie shumë më të mira se në të shkuarën dhe në të ardhmen do të jenë akoma më të mira”./Gazeta Shqip/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here