Rama, mjekëve dhe infermierëve: Mos ikni në Gjermani, do fitoni sa atje

0

Kryeministri Edi Rama iu drejtoi sot një apel mjekëve dhe infermierëve që të mos largohen nga Shqipëria drejt Gjermanisë, duke thënë se këtu paguhen mirë dhe se kanë më pak taksa.

Deklarata e tij u bë gjatë një aktiviteti ku u prezantuan ambulancat e reja.

Për këtë ai tha se drejtuesi i urgjencës është kthyer nga jashtë vendit dhe po udhëheq transformimin e këtij reparti në sistemin shëndetësor.

Ai bëri me dije se pas janarit do punësohen 300 mjekë të rinj në sistemin shëndetësor, duke nënvizuar se ata që do zgjedhin të punojnë jashtë zonave të tyre të banimit, do përfitojnë edhe bonusin prej 2 mijë dollarësh.

“Kemi ata që derdhin lot krokodili se po na largohen mjekë dhe infermierë. Por Urgjenca sot drejtohet pikërisht nga një mjek i kthyer nga jashtë për të reformuar këtë sistem dhe që është protagonisti kryesor i këtij transformimi. Janë 4 mijë infermierë që duan të hyjnë në sistem dhe janë në Shqipëri, jo në Gjermani, janë në portal, por ndryshe nga sa ka ndodhur për 25 vjet, nuk hyn më në punë përmes partisë e parasë, por përmes pikëve të fituara në testimin kombëtar të infermierëve”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se për të gjithë ata që do kontribuojnë në ato zona që janë jashtë zonave të tyre të banimit, do të marrin aq sa do merrnin nëse do ta fillonin punën në Gjermani.

“Aq marrin të gjithë mjekët që shkojnë jashtë Tiranës për të shërbyer si specialistë. Marrin rrogën si mjekë dhe marrin mbi rrogën 2 mijë deri në 2500 dollarë në muaj. Taksat këtu janë pesëfish më të ulëta se në Gjermani dhe këtu llogaritë iu dalin më mirë”, deklaroi Kryeministri.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here