Rama dhe Balluku “çmontojnë” kupolën e Damian Gjiknurit

0

Edi Rama vendosi në mbledhjen e fund-dhjetorit të Asamblesë së PS-së të aplikonte një operacion “Fshesa” duke shkarkuar 7 nga “benjaminët” e tij, të cilëve u kishte besuar portofolet më të rëndësishme ministrore për më shumë se 5 vite.

Mes tyre emri më i kompromentuar ishte ai i Damian Gjiknurit, pasi për ish-ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë ishin ngritur akuza të rënda në lidhje me ndërtimin e segmentit të Unazës së Re.

Pavarësisht se Gjiknuri u angazhua në mbrojtje të firmës së tij për ndërtimin me koncesion të këtij aksi, Rama nuk e “përkëdheli” siç kishte bërë më parë por e zëvendësoi me drejtoreshën e Albcontrol, Belinda Ballukun.

Largimi i Damian Gjiknurit nisi një erë të re në këtë ministri dhe emërimi i Ballukut nuk qëlloi të ishte një rokadë e thjeshtë për të sfumuar skandalet nga ku buçiste emri i ish-ministrit, por një ndryshim i mirëfilltë politike në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Kjo pasi, ish-drejtoresha e Ramës në Bashkinë e Tiranës nisi me “dorë të hekurt” të zhbëjë punën e paraardhësit të saj, madje duke goditur në “zemër” politikën “1 Miliardë euro” të Partneriteti Publik Privat, ku Gjiknuri ishte investuar shumë fort publikisht gjatë drejtimit të ministrisë.

Në vetëm një javë punë, Belinda Balluku anuloi koncesionin për autostradën Thumanë-Kashar dhe nisi shkarkimet e “Gardës së Vjetër” që la pas Gjiknuri, me kreun e ARRSH-së Afrim Qendro dhe drejtorin e OST-së Klodian Gradeci që ishin dy goditjet më të forta.

Largimi i dy bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Gjiknurit, ishte një sinjal i qartë që Balluku kishte shënjestruar skandalin me kompaninë fiktive “DH Albania”, me synimin për të pastruar imazhin e ministrisë që drejton.

Reagimi ndaj  skandalit me tenderin e “Unazës” dhe linjës Burrel-Peshkopi, që u fituan nga kompania DH Albania ishte një ndryshim i qartë  kursi, por përmbysja e Ballukut  vijoi me vendimin e bujshëm për të futur në një proces skanimi të gjitha lejet për HEC-e që ishin dhënë në kohën e Damian Gjiknurit.

Ky vendim i marrë në kulmin e debatit për betonizimin  kanionit të Holtës në Gramsh, u shoqërua me të tjera shkarkime nga Balluku, një prej të cilëve është edhe ai i sotmi për largimin nga detyra të Etleva Kondit, drejtoreshës së Drejtorisë së Partneritetit Publik Privat në këtë ministri, e cila ka firmosur qindra leje për HEC-e.

Ndërkohë, ministrja e re “hoqi qafe” drejtorin e portit të Durrësit, Afrim Bakaj dhe së bashku me kryeministrin Edi Rama nxorri jashtë loje edhe zëvendësministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enis Aliko.

Me vendim të Ballukut u shkarkua edhe drejtori i Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare, Agron Hetoja, edhe ky një bashkëpunëtor shumë i afërt i Damian Gjiknurit.

Të gjitha këto shkarkime dhe anulime projektesh me rëndësi strategjike që ishin firmosur nga Damian Gjiknuri, të krijojnë idenë se Belinda Balluku me “bekimin” e kryeministrit Edi Rama ka vënë në jetë planin për të çmontuar “kupolën” e paraardhësit të saj në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë./Gazeta Shqip/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here