Qyteti pa mushkri

0

Tmerr i vërtetë, që ngjet ditën për diell dhe në sytë tanë… Tmerr dhe zezonë që na prek të gjithëve, sot dhe nesër. Tmerr që jo vetëm shkatërron hapësirat e gjelbra, por vë në rrezik jetën e njerëzve. Tmerri bëhet më i frikshëm, kur mendon se ata që e kanë për detyrë të ndalin shkatërrimin e liqenit kanë dhënë lejet e ndërtimit për pallate. Në fakt kanë shitur lejet, kanë shkelur ligjet e këtij shteti, që duket si fantazmë. Tirana pa kodrat e liqenit është si njeriu pa mushkri, pa shansin që të marrë oksigjen… Pushteti pasi ka larë duart zhduket në drejtim të paditur, zhduket për të numruar paratë e pista, që ka përfitur në kurriz të qytetit… Pushteti, vendor apo qëndror, ka një fytyrë të vuvosur dhe të ngurtësuar, që vetëm fërkon duart pasi firmosur shkatërrimin… Ka bërë gjëmën që as nëpër mend nuk çohet, pallat nën digën e liqenit të Tiranës… Pas themeleve të hedhura e ka radhën liqeni, pas liqenit pemët, pas pemëve qielli, zogjtë… Fitimi i pushtetarëve, i puthadorëve të tij, nuk njeh kufi, nuk ka limit, nuk njeh normë e ligj… Vampirët e korrupsionit janë aty, në zyrat e pushtetit vendor dhe qendror, që majmet me të sotmen dhe të nesërmen, që çdo ditë vret pa mëshirë ardhmërinë e qytetit, e banorëve të tij… Nëse kemi mundësi të mendojmë, le ta bëjmë, nëse kemi zë le të flasim, nëse duam ndryshimin, koha është që fatet e jetës, të jetës së qytetarëve të Tiranës nuk lihen në duar të mbrapshta…

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here