QYTETARËT SHKARKOJNË JABLLANOVIÇIN

0

URAN KRASNIQI

Aleksandër Jabllanoviç nuk është më ministër për Kthim dhe Komunitete. Kur Isa Mustafa e prezantoi lajmin të martën, e vërtetë se nuk u përgjigj në pyetjet e gazetarëve se a u shkarkua nga ndokush apo dha dorëheqje, por sido që të ketë qenë, të gjithë e dimë kush e shkarkoi në të vërtetë atë. Qytetarët. Ata, në stilin e demokracisë antike të drejtpërdrejtë, dolën në temperatura të ftohta dimri, treguan se nuk i pranojnë fyerjet e motivuara nga nacionalizmi, duruan edhe kërbaç, por ia dolën…

Është e vërtetë që Jabllanoviqi ishte problem i vogël në raport me shumë të tjerë që i Kosova, por cilësimet e tija në drejtim të nënave të të pagjeturve ishin kripë në plagë të vjetra, dhe reagimi i tillë i masës ishte i arsyeshëm. Lista Serbe gjatë dy ditëve të ardhshme pritet që të japë opinionin e saj se a dëshiron apo jo që të qëndrojë edhe më tutje në koalicion me PDK-në dhe LDK-në, porse një gjë dihet: nëse do të qëndrojë, cilido që të jetë përfaqësuesi i saj në Qeveri në vend të Jabllanoviçit, do të jetë më i disiplinuar dhe do të ketë kujdes në përdorimin e gjuhës në raport me etnitetet e tjera që jetojnë në Kosovë. Ndryshe paradigma se çfarë i ndodhë tashmë është. Mos të pasurit pozicion në Qeverinë e Kosovës.

Nga rasti Jabllanoviç mund të mësojë edhe Beogradi, por edhe komuniteti serb që jeton në Kosovë në përgjithësi. Zyrtarët qeveritarë në Beograd duhet ta dinë se ata edhe mund të ndikojnë përmes ndërmjetësimit të Brukselit se kush do të jetë përfaqësues i serbëve në institucionet e Kosovës, porse në rast se personat e tillë përdorin një gjuhë që nuk është në përputhje me standardin normativ dhe kushtetues të shtetit, atëherë një gjë e tillë mund të prodhojë situata që vetë qytetarët nuk do t’i pranojnë. Gjithashtu edhe populli serb në Kosovë duhet ta ketë parasysh që komuniteti shqiptar është për bashkëjetesë me të gjithë të tjerët, mirëpo fyerjet në drejtim të tyre për sa i takon të së kaluares, e cila dihet nga të gjithë se çfare ka qenë, kush çfarë kujt i ka bërë, janë të papranueshme, ndaj edhe modeli i përzgjedhjes së përfaqësuesve në mesin e tyre nuk duhet të jetë për aso që shkaktojnë skandale deklerative pasojat e të cilave mund të jenë me përkeqësim më të madh të raporteve ndëretnike. Përqafimi i botëkuptimeve të Sllobodan Millosheviqit  është ai me të cilin shqiptarët nuk pajtohen, ngase ndaj tij kanë luftuar, por ata nuk kanë asgjë kundër botëkuptimeve të Çedomir Jovanoviqit, të cilat janë të pranueshme. Qëndrimi i Millosheviqit është mur ku në të dy anët ka viktima, ndërsa qëndrimi i Jovanoviqit është urë mbi të cilën pjesëtarët e të dy popujve mund të ecin të qetë e pa iu rrezikuar jeta askujt.

Sa i takon vendimit të lëvizjes Vetëvendosje për anulimin e protestës është i drejtë për qytetarët, po në të njëjtën kohë edhe zhgënjyes për teoricientët se “po do që ta marrë pushtetin me dhunë, qëllimi është të krijojë luftë civile, është e shtyrë nga Serbia etj. etj.”. Ky subjekt tregoi që nuk ndihet inferiore karrshi politikës së Beogradit dhe se pavarësisht pozicionit të saj të pavolitshëm institucional – prezencë vetëm në Kuvend – ia del që ta imponojë qëndrimin e saj, në mbrojtje të interesave të shumicës shqiptare. Përfaqësuesit e saj në Kuvend duhet ta kuptojnë nga afër çfarë po ngjanë me kombinatin “Trepça” dhe në momentin që e shohin se ajo po do që të shtrohet në dialog me Serbinë, të thërrasin vazhdimin e protestës. Është e vërtetë ajo që kryeministri Mustafa thotë se pasuria e Kosovës i përket asaj dhe se ajo nuk do të hudhet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, por ai i përket njërës prej partive politike të cilat ani pse thonin se veriun e Kosovës nuk do ta dialogojnë me Serbinë, prapë se prapë pati ndodhur e kundërta.

Protesta në demokraci është praktikë e mirë kur vihet në funksion për korrektimin e politikës, por në të njëjtën kohë gjithmonë duhet ruajtur atë për të mos e shndërruar në tjetër gjë, për shkak se dëmtohet vetë ajo dhe rrezikon të humbet si mjet.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here