Qorri i Lazit: Rrëfimi i së bijës rreth këngës për babain

0

Në fshatin Qerret të Shijakut banon një grua 90-vjeçare,  Fetije Zeka Iljazi, që është vajza e një prej heronjve me emër të historisë së shkuar të Kosovës,  Adem Reçakut, ose të njohur ndryshe si  Qorri i Lazit, mik dhe bashkëluftëtar me Azem Galicën.

Thuhet se Ademi ishte njeriu të cili Azemi i la amanet që ta digjte në të vdekur, vetëm e vetëm që të mos i dhunohej kufoma nga serbët, e ku ai  gjeti si zgjidhje varrosjen e tij në një shpellë të thellë ku armiqtë s`e gjetën kurrë më.

Adem Reçaku  është dekoruar në vitin1993 nga ish-presidenti Berisha, me motivacionin  “Udhëheqës, propagandues e luftëtar për mbrojtjen nga pushtuesit dhe ripushtuesit, duke qenë shembull për pasuesit në luftën për pavarësi e çlirim.”

Edhe baba i tij, Iljazi, gëzon të njëjtin status si i biri: “Urdhërin për veprimtari patriotike të klasit të parë”.

E bija e Qorit të Lazit, trashëgimtarja e vetme e drejtpërdrejtë e mbetur nga kjo familje historike, tregon me krenari dekoratat. Për Qorrin e Lazit ka shumë variante këngësh ne Shqipëri dhe Kosovë, mes të cilave shquhet varianti i këngëtarit tropojan, Arben Gjeloshi, e cila sjell në memorje të brezave një akt të veçantë trimerie, siç ishte sulmi në burgun e Prishtinës për të nxjerrë të atin prej aty.

Rreth motiveve të kësaj kënge dhe historisë se si ka lindur, nënë Fetija tregon: “Kur kishte ra në burg gjyshi em, baba ishte në Shqipni. Gjyshi kishte dalë në mal dhe e kishin pas kap me gjithë një dajë të vetin. Kur i shkoi fjala babës,  ai u nis për në Kosovë. Atje pyeti se kush ja kishte kapur babën  dhe në cilin burg ishte. I treguan se kush ishte oficeri serb  që e kishte arrestuar dhe se ku ndodhej. Atëherë ka marrë shokët e vet dhe u ka thanë se do ta nxjerrim babën nga burgu me pushkë. Ka shkuar dhe e ka kërcënuar kumandarin e burgut dhe atëherë ai është detyru, siç e thotë edhe kanga që ta nxjerrë gjyshin nga burgu i Prishtinës me pahir…”

Varrosja në shpellë e Azem Galicës

Qorri i Lazit ishte një luftëtar aktiv i çetës së Azem e Shote Galicës.  Në këtë periudhë, kjo çetë, e cila më vonë do të bëhet “Nëna e çetave kaçake të Kosovës”,  zhvillonte  aksione aktive  luftarake duke u dhuruar  ditë  tmerri xhandarëve e postave serbe në Drenicë, si dhe spiunëve të serbit.

Gjatë trembëdhjetë vjetëve, sa ekzisoi kjo çetë, arriti të zhvillojë  mbi shtatëdhjetë beteja të suksesshme e fitimtare. E bija e Qorrit të Lazit tregon se si u fut thellë në një shpellë trupi i Azemit, pasi ai i kërkoi me amanet që trupi i tij të mos binte në duar të armiqve të Shqipërisë e Kosovës.

“Ademi shkoi dhe takoi kur qe plagosur dhe ai i kishte kërkuar duke iu lutur në Zot: “Pash Zotin Adem, më djegni në zjerm dhe mos lejoni me lurue shkjetë me xhenazen teme”! Qorri i Lazit i është përgjigjur: “Pasha Zotin more Azem,  stë djegi  kurrë dhe sa të jem unë gjallë ska për të guxue kush për me të prekë!” Kur ka dekë Azemi, Qorri i Lazit kishte shkue dhe kontrollue se sa e thellë ishte një shpellë.  Dhe, pasi dha shpirt, ata e morën dhe  e ulen e Azemin me shume litarë të lidhur varg në thellësi të shpellës. Dhe skanë mujt për me e gjetë deri tashti që a ba lufta.”

Serbët e vranë Qorrin e Lazit në Shqipëri

Qorri i Lazit u vra në qytetin e Fierit. Për realizimin e kësaj vrasjeje u përdor një mik i tij, tregon e bija, Fetije Iljazi. Ndërsa këtë enigmë të vrasjes nga miku i tij të Adem Iljazit,  e zbërthen Selim Shpuza në një studim të tijë shkencor të bazuar në dokumentat arkivore të asaj periudhe.

Sipas Selim Shpuzës, në librin e tij “Vitet ‘20-‘30”, prapa kësaj vrasjeje qëndron policia e fshehtë jugosllave. Ai thotë se për vrasjen në Fier të  heroit  të  Drenicës, Adem Iljazi, (Qorr Iljazi), u paguan 1 milionë 500 mijë dinarë serbë.

Për të qenë me konkret, po sjellim një variant me të hershëm të këngës së Qorrit  të Lazit, të botuar në Kosovë ndër kohëra më të hershme:

Iliaz Reçoku një burrë drague

Votkan shkiet ma kan rrethue

Në burg Prishtinës ma kanë çue

Qat herë Iliazi asht mendue

Nji letër e ka shkrue

Qorri t`Lazit ja ka çue

Merr kaçorri letrën me knue

Lot për faqsh i kan shkue

Shokët e vet e kan diktue

Ça ke Qorr që je ngushtue

Nji bab plak në shpi m`ka qëllue

Kan vot shkiet ma kan rrethue

Burg t`Prishtinës ma kan çue

A ka djal që vjen me mue

Iliaz Reçokun për me shptue

Të dy n`kam me hier jan çue

Kan marr rrugën me i her me shkue

Tek nji kafe kur kan mbri

Ja kan nis tuj pie raki

Vikan gotat dy e nga dy

Ty bre Qorr po t`shohin budall

Iliaz Reçokun bab me e pasë

Nqat Prishtin spo mujt me ardh

Të dy t`pa besë paskan kanë

Merrka Qorri rrugën n`kam

Me nji pajton është takue

O pajton, o pajtonxhi

Për pesë sahat nPrishtin me mshti

Pesë sahat nuk jan maru

Qorri Lazit në Prishtin ka shku

Tek nje kafe kur ka hy

Po e njef kapedani n`sy

More djal ore djal i ri

Qe gjashtë vjet që rri n`Prishtin

Nuk kam pa djal si ty

S`ke faj mor kapedan

Se gjashte vjet kaçak kam kanë

E mos ban gabim me u çue n`kam

Se menjiher ta lëshoj nagam

Me shokët e mi t`kam rrethue

Shpejt babën prej burgu me ma lirue

Kapedani qënka ngushtue

Merr nje letër e paska shkrue

Një gardiani ja ka çue

Ilia Reçokun me njher me e lirue

N`tesha të reja me e nderue

Shpejt tek kafja me ma prue

Se biri vet na ka rrethue

Iliaz Reçoku ke kafja kur ka shkue

Kapedanit i ka tregue

Sa t`kem unë Qorrin gjallë

Ska hapsane në Serbi që mmban…

/tesheshi.com/

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here