Qeveria shqyrton mundësinë e faljes së borgjeve të para vitit 2008

0

PRISHTINË, 5 SHKURT – Qeveria e Republikës së Kosovës, e ka miratuar sot në mbledhjen e saj të rregullt vendimin për themelimin e një Komisioni Ekzekutiv për shqyrtimin e mundësisë për faljen e borxheve të personave fizik dhe juridik, ndaj institucioneve shtetërore dhe ndaj ndërmarrjeve publike në Republikën e Kosovës, deri më 31 dhjetor 2008. Komisioni sipas vendimit brenda një muaji do të shqyrtojë të gjitha mundësitë dhe do t’i rekomandojë vendimin Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kryeministri Isa Mustafa ka vlerësuar se ky vendim do të stimulojë edhe më shumë zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës. Ministri i Financave i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka thënë për media se ky vendim është i rëndësisë kapitale. “Viti 2008 normalisht është vit i ndryshimeve të mëdha kapitale që kanë ndodhur në Republikën e Kosovës, është shpallja e pavarësisë, Kushtetuta, kanë përfunduar ligjet e UNMIK-ut dhe kanë filluar të funksionojnë ligjet e Republikës së Kosovës, është e nevojshme që të kemi një fillim të ri tani me Qeverinë e re, por të kemi edhe një shkëputje prej të kaluarës, dhe të merremi edhe me të ardhmen”, ka theksuar ministri Hoti. Sipas tij janë bërë vlerësimet paraprake për borxhet që bizneset dhe qytetarët kanë ndaj ATK-së, doganave, tatimit në pronë, dhe borxhet ndaj ndërmarrjeve publike në energji, ujë, mbeturina dhe ngrohje dhe se në afat prej një muaji ky komision do të del para Qeverisë me propozimin për nivelin e këtyre borxheve, dhe procedurat e mëtutjeshme për të legalizuar komplet këtë vendim në instancat e duhura të Republikës së Kosovës. “Ne gjithashtu do të shqyrtojmë edhe mundësinë që pas 31 dhjetorit të vitit 2008, që të falim edhe ndëshkimet edhe interesin për borxhet që qytetarët dhe bizneset nuk kanë paguar gjatë kësaj periudhe, në mënyrë që të kemi një fillim të ri, një perceptim të ri, për të bërit biznes dhe për jetë më të mirë në Republikën e Kosovës”, është shprehur ministri Hoti.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here