Qeveria shqiptare: Zhvillimet dramatike në Kumanovë kanë cenuar marrëdhëniet ndëretnike

0

Qeveria shqiptare ka reaguar pasditen e së dielës në lidhje me ngjarjet e ndodhura në Kumanovë. Në këtë deklaratë thuhet se qeveria ka ndjekur me vëmendje të veçantë dhe shqetësim të madh zhvillimet tragjike të orëve të fundit në Maqedoni.

“Duke shprehur keqardhjen më të thellë për humbjen e jetëve njerëzore, Qeveria e Shqipërisë mbron bindjen se në asnjë rrethanë nuk mund të lejohet që kriza në Maqedoni të përshkallëzohet. Zhvillimet dramatike të ditëve të fundit në Kumanovë kanë cenuar normalitetin dhe marrëdhëniet ndëretnike, të cilat mbeten ende të brishta për shkak të moszbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, por pa dyshim janë jetike për ekzistencën e shtetit maqedonas”-, thuhet fillimisht në këtë deklaratë.

Qeveria shqiptare ka kërkuar transparencë të plotë për gjithë atë që ka ndodhur orët e fundit në Kumanovë, ku mbetën të vrarë 22 persona.

“Reja e paqartësisë mbi të gjitha orët e renda të Kumanovës, te cilat u përjetuan me ankth nga shqiptaret kudo ku jetojnë, duhet t’ia lere vendin sa me pare transparencës së plotë për këtë ngjarje. Përveçse policëve të vrarë dhe të plagosur, ende nuk është thënë asgjë për jetët e qytetarëve të pa mbrojtur të Kumanovës, për arratinë e tyre, për pronën e tyre të bastisur, djegur dhe shkatërruar. Padyshim kjo paqartësi shqetësuese nuk ndihmon në kthimin e plotë të normalitetit. Por po ashtu kjo e bën edhe më imediate nevojën për kthjelltësi, qartësi dhe durim për t’i shkuar të vërtetës deri në fund”-, vazhdon deklarata e qeverisë shqiptare.

Po ashtu, qeveria ka kërkuar autoriteteve ligj zbatuese në shtetin fqinj, që të kryejnë një hetim të plotë, të shpejtë dhe të thellë, sepse vetëm në këtë mënyrë, qytetarët do të rikthejnë besimin në institucionet maqedonase, si dhe do shërbejnë që të mos përsëriten ngjarje të tilla.

“Qeveria e Shqipërisë e mirëkupton shprehjen e revoltës qytetare të shprehur përmes mjeteve të komunikimit, ndaj humbjes së jetëve njerëzore në kushte të një ankthi e paqartësie kaq të madhe. Por Qeveria e Shqipërisë thekson me forcë po ashtu se do të ishte e papranueshme humbja e drejtpeshimit në raport me këtë ngjarje dhe kurrsesi nuk duhet lejuar që kriza politike e Maqedonisë të konvertohet në një krize ndëretnike, e cila do të ishte shkatërrimtare për Maqedoninë. Republika e Shqipërisë bën thirrje për qetësi, vetëpërmbajtje dhe një zgjidhje të duhur të krizës në shërbim të qytetarëve dhe aq të domosdoshme në funksion të stabilitetit”-, përfundon deklarata e qeverisë shqiptare.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here