Qeveria nuk përgjigjet në projektin e komunës “Prishtina Parking”,përgatitjet vazhdojnë

0

Komuna e Prishtinës njofton se në kuadër të politikave që do të ndërmarrë për komunikacionin e qytetit, prioritet ka organizimin e parkingjeve, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit në komunikacion.

“Ndonëse tash e 4 muaj jemi në pritje të një përgjigjeje nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) lidhur me themelimin e ndërmarrjes ‘Prishtina Parking’, siç parashihet me ligjet në fuqi, megjithatë përgjigja nga institucionet qendrore për këtë projekt kaq të rëndësishëm për banorët e Prishtinës, vazhdon të vonohet”, thuhet në njoftimin e komunës së Prishtinës.

Inicimi i themelimit të ndërmarrjes “Prishtina parking” është bërë në shtator të vitit 2014 me vendim unanim të të gjithë këshilltarëve komunal të asamblesë komunale.

“Përmes Ndërmarrjes Komunale ‘Prishtina Parking’, model ky që është treguar i suksesshëm në shumë qendra të rajonit dhe Evropës, do të përmirësohet organizimi dhe rregullimi i sistemit të parkingut në qytetin e Prishtinës duke ofruar shërbime që mbështeten në teknologji bashkëkohore. Me këtë rast, kryeqyteti do të ndahet në tri zona: zona I Qendër, zona II dhe zona III. Në këto zona do të ketë kufizime të ndryshme kohore dhe tarifa të ndryshme për parking, sipas specifikave të tyre”, thuhet në njoftim.

Komuna e Prishtinës i ka kryer të gjitha obligimet ligjore dhe financiare për themelimin e ndërmarrjes “Prishtina parking” , ndërsa ndonëse kanë kaluar më shumë se katër muaj, Komuna e Prishtinës nuk ka asnjë përgjigje nga Qeveria.

Sido që të jetë, me përmirësimin e motit, Komuna e Prishtinës ka vazhduar shenjëzimin e parkingjeve publike, respektivisht sinjalizimin vertikal dhe horizontal, ndërsa paralelisht është duke vazhduar edhe projekti i çlirimit të trotuareve në pjesët ku një gjë e tillë është e mundshme.

“Prishtina parking” do të mundësojë të hyra të konsiderueshme për buxhetin e Komunës së Prishtinës të cilat do të përdoreshin për krijimin e hapësirave të reja të parkingut, garazheve nëntokësore, parqeve te reja dhe rrjedhimisht do të ndihmonte në masë të madhe zhvillimin ekonomik të qytetit./

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here