Qeveria i riprocedon amandamentet për FAK-un në kuvend

0

Qeveria e Republikës së Kosovës, i ka miratuar draftamendamentet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Draftamandamentet e miratuara do të procedohen për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Kosovës. Miratimi i këtyre draftamendamenteve i hap rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe themelimit të Forcës së Armatosur të Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa tha se kemi të bëjmë me procedurë të riprocedimit të këtyre amendamenteve, meqenëse ato i ka aprovuar Qeveria në mandatin e kaluar dhe i janë dorëzuar Kuvendit, por që nuk kanë kaluar procedurën në Kuvend për shkak të zgjedhjeve.

Duke bërë të ditur se në këto amendamente nuk ka asnjë ndryshim, në krahasim me ato që kanë qenë më parë, kryeministri Mustafa tha se një përparësi është dhënia e mendimit të Gjykatës Kushtetuese, sa kanë qenë në procedurë në Kuvend.

“Propozimi është që amendamentet t’i procedohen Kuvendit, ndërkaq aprovimi i këtyre amendamenteve në Kuvend kërkon dy të tretat e votave të deputetëve të Republikës së Kosovës. Kjo natyrisht nënkupton procedurat që janë paraparë për amendamente, që do të thotë se për aprovimin e tyre ne do të kemi pajtueshmërinë edhe të dy të tretave të deputetëve, edhe pajtueshmërinë në Kuvend të deputetëve të pakicave, ashtu siç është paraparë me Kushtetutë”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa theksoi se është esenciale që nuk po ndërtohen forca të armatosura mbi baza etnike, as mbi baza etnike të shumicës shqiptare, as mbi baza etnike të etniteteve tjera, për të cilat ka pasur trumbetime mjaft të mëdha në opinion së fundi. “Është një forcë unike, në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, që përfshinë të gjithë pjesëtarët e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë, është në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Prandaj, ju ftoj që ne të procedojmë këto amendamente, ndërkaq në Kuvend ne poashtu do të punojmë bashkërisht me të gjithë deputetët, edhe me përfaqësuesit e komuniteteve që të kemi pajtueshmërinë e tyre më vonë për aprovim në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Vendimi për aprovimin e draftamendamenteve është aprovuar me dy vota kundër.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here