Qeveria e miratoi pakon e projektligjeve që ndërlidhen me liberalizimin e vizave

0

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt, sot miratoi pakon e projejktligjeve të propozuara nga Ministria e Drejtësisë që ndërlidhen me liberalizimin e vizave.
Kabineti qeveritar shqyrtoi dhe miratoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-224 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, me të cilin eliminohen pengesat dhe vështirësitë e identifikuara të ligjit aktual, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-223 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, i cili ka për qëllim rritjen e efektivitetit dhe efikasitetit të punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës, përcaktohet përbërja e Këshillit, si dhe mënyra e funksionimit të administratës së Këshillit dhe të prokurorive. U miratua edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-225 për Prokurorin e Shtetit. Plotësim ndryshimet e përfshira në Projektligjin për Prokurorin e Shtetit i referohen krijimit të infrastrukturës së përgjithshme për një funksionim të sistemit Prokurorial. Më tutje, kabineti qeveritar, pas shqyrtimit e miratoi edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-199 për Gjykatat. Ky projektligj ka për qëllim eliminimin e të gjitha mangësive, zbrazëtirave dhe vështirësive të evidentuara gjatë zbatimit të ligjit nga ana e gjykatave të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, u miratua edhe Projektligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit, cili rregullon të drejtën e kompensimit financiar të viktimave të veprave të dhunshme penale dhe të vartësve të tyre, autoritetet vendimmarrëse si dhe procedurat për realizimin e të drejtës për kompensim në situatat vendore dhe ndërkufitare.
Kryeministri Isa Mustafa ka folur për rëndësinë e pakos prej pesë ligjeve në fushën e drejtësisë, të miratuara në këtë mbledhje. “Kjo ka qenë dhe mbetet ndër prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që ndërlidhet me përmbushjen e kushteve dhe kritereve që janë të listuara për liberalizimin e vizave dhe si parakusht për marrjen e vendimit politik të Bashkimit Evropian me qëllim të heqjes së regjimit të vizave për Kosovë”, theksoi kryeministri Mustafa, duke falënderuar Ministrinë e Drejtësisë, që ka punuar në këtë fushë. Kryeministri Mustafa po ashtu theksoi se tashmë janë siguruar ligjet, të cilat i sqarojnë kriteret për përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe poashtu sigurojnë pavarësi të gjyqësorit dhe prokurorisë. Ministria e Drejtësisë përmes një komunikate ka njoftuar se finalizimi i këtyre projektligjeve është bërë në konsultim dhe koordinim të ngushtë me partnerët vendor dhe ndërkombëtarë, duke i falenderuar të gjithë akterët e involvuar në proces.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here