Qeveria e miratoi amandamentimin e Kushtetutës “që të heqë retë e zeza mbi shtetin e Kosovës”

0

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të 17-të e ka miratuar Propozimin për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, para kabinetit qeveritar ka thënë se me këtë amendamentim po përmbushen obligimet që ka marrë Qeveria nga Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar, për themelimin e Gjykatës Speciale. Amendamentimet e reja përfshijnë ndryshimet që dalin nga përmbushja e obligimeve ndërkombëtare, në lidhje me Raportin e Asamblesë së Përgjithshme dhe të Këshillit të Evropës, Dokumenti 12462, datë 7 janar 2011. Sipas kësaj, Republika e Kosovës mund të themeloj Dhoma të Specializuara, me Zyre të Prokurorit të Specializuar, në kuadër të sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës. Organizimi, funksionimi dhe juridiksioni i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar rregullohet edhe me një ligj të veçantë. “Është një obligim që e kemi marrë karshi bashkësisë ndërkombëtare edhe me letërkëmbimin e Presidentes së Kosovës me baroneshën Ashton. Ne e kemi vlerësuar, dhe e vlerësojmë edhe sot se është vendim i drejtë kryerja e këtyre obligimeve, në mënyrë që të zbardhet e vërteta rreth pretendimeve të padrejta që iu kanë bërë Kosovës, dhe Kosova ta heq këtë barrë të rëndë nga supet e veta, apo këtë re të zezë që po qëndron mbi shtetin e Kosovës. Prandaj, duke marrë parasysh këto rrethana, dhe obligimet që dalin nga qëndrimi dhe vendimi i Kuvendit të Kosovës, mendojmë që Qeveria e Kosovës të dërgoj në Kryesi të Kuvendit dhe pastaj Kryesia e Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka theksuar zëvendëskryeministri Thaçi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here