Qeveria e Kosovës nuk di ku t’ua bëjë vendin 383 pjestarëve të “Mbrojtjes Civile” të serbëve të Veriut

0

Procesi i shpërbërjes së “Mbrojtjes Civile” në veri të vendit ngërthen në vete një mungesë të transparencës nga ana e Qeverisë së Kosovës, Qeverisë së Serbisë dhe Institucioneve të BE-së.

Kështu u tha në konferencën e përbashkët rajonale të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Qendrës së Beogradit për Politika të Sigurisë dhe Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), me ç’rast u lancua edhe publikimi i përgatitur nga BCSP dhe monitoruar nga QKSS me titull “E ardhmja e ‘Mbrojtjes Civile’ në pjesën veriore të Kosovës”.

Maja Bjelosh, hulumtuese nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, tha se marrëveshja që është arritur në Bruksel për “Mbrojtjen Civile”, edhe pse ka pasur për qëllim integrimin e saj në sistemin e Kosovës, nuk ka qenë aspak e saktë, pasi që, sipas saj, nuk përmendet askund emri saktësisht i “Mbrojtja Civile”, por përmenden vetëm “strukturat e tjera të sigurisë që duhet të integrohen”.

“Qëllimi i përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës ka qenë që të gjitha strukturat paralele të sigurisë të shpërbëhen dhe të integrohen në sistemin e Kosovës në mënyrë që të bëhet integrimi i bashkësisë së komunitetit serb në strukturat e sigurisë dhe në shoqëritë Kosovare. Bashkësia serbe, veçanërisht ajo në veri të Kosovës ka dashur më shumë që ta mbajë mbrojtjen civile. Megjithatë, më duhet të them se marrëveshja në vetvete në një mënyrë është jo aq e saktë, kështu që ka mbetur që më vonë përfaqësuesit e Serbisë dhe të Kosovës të mbushin këto boshllëqe që janë lënë në marrëveshje, që në ato momente nuk i kanë marrë parasysh Thaçi dhe Daçiq. Kështu që duhet të krijojnë një plan të detajuar për zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe të shohim se si do të zbatohet ajo”, tha Bjelosh.

Hulumtimi, pos tjerash, ka gjetur se marrëveshja e arritur që pasqyron premtimin e Qeverisë së Kosovës për integrimin e 483 pjesëtarëve në Institucionet publike të Kosovës, ende nuk është e qartë, pasi që nuk dihet se ku do të sistemohet pjesa më e madhe e tyre. Po ashtu, sipas gjetjeve të kësaj analize, nuk dihen kapacitetet financiare të Qeverisë së Kosovës për integrimin e këtyre pjesëtarëve.

Isidora Stakiq, po ashtu hulumtuese në Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë, e pyetur për profilin e pjesëtarëve të “Mbrojtjes Civile”, tha se asnjëri nga ta nuk ka qenë ish-ushtar dhe asnjëri nga ta nuk ka pasur ndonjë trajnim në frymën ushtarake.

“Nga të punësuarit e rinj, të cilët janë punësuar më vonë në këto valë të reja të punësimit, asnjëri prej tyre nuk është ish-ushtarak, asnjëri prej tyre nuk e ka një beckgraund të tillë dhe, çka është më e rëndësishmja, të punësuarit e rinj nuk kanë kaluar në asnjë trajnim, as nuk kanë të kaluar ushtarake, as nuk kanë frymë ushtarake, as përmes ndonjë ushtrimi apo trajnimi të cilët duhet të kenë mbrojtësit civilë. Kështu që kemi marrë informata se disa prej këtyre të punësuarve të rinj kanë shkuar në trajnime në Beograd, megjithatë këto janë vetëm informata jozyrtare, pasi që ata nuk kanë marrë asnjëherë ndonjë certifikatë”, tha Stakiq.

Ndërkaq, Edita Tahiri, ministre pa portofol në Qeverinë e Kosovës, tha se Institucionet e Kosovës dhe Eulexi e njohin në detaje këtë proces dhe i njohin mirë të gjithë ata që kanë punuar në këtë strukturë paralele Serbe në Kosovë, profesionet e tyre dhe, para se ata të vihen në listë, janë bërë vlerësimet e sigurisë nga ana e institucioneve tona. Por, sipas saj, negociatat në Bruksel janë zhvilluar në një drejtim tjetër. Në atë se sa Serbia pretendon se ka pjesëtarë dhe sa vlerëson Republika e Kosovës se mund të integrohen në institucionet e saj.

“Numri që Serbia ka paraqitur – 751, për ne ka qenë një numër i ekzagjeruar dhe pastaj, kur janë bërë analizat, është parë se ka prej tyre që janë para pensionit, një numër. Dhe një pjesë tjetër nuk janë fare qytetarë të Kosovës, por janë infiltruar në këtë strukturë dhe një pjesë e tretë nuk e kanë kaluar verifikimin e sigurisë. Prandaj, në negociata dyvjeçare është arritur pajtimi për numrin që do të integrojmë. Fjala është për 383 pjesëtarë që do të integrohen, ku 50 prej tyre do të jenë përmes fondit të kontigjencës, ndërsa të tjerët do të integrohen apo punësohen në institucionet civile nacionale”, tha Tahiri.

Me fjalën “institucione civile nacionale”, ajo iu referua asaj se ata nuk do të jenë pjesë as e Institucioneve të Sigurisë, pra as të Policisë e as të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ekipi hulumtues ka dhënë një varg rekomandimesh dhe alternativash në funksion të zbatimit sa më të shpejtë dhe më të mirë të marrëveshjes për “Mbrojtjen Civile”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here