Qeveria e Kosovës miratoi një varg projektligjesh

0

Në fjalën e hapjes në mbledhjen e 19-të, të rregullt të Qeverisë së Republikës së Kosovës kryeministri Isa Mustafa ka folur para kabinetit për pakon e projektligjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut që përbëhet nga Projektligji për Barazi Gjinore, Projektligji për Mbrojtje nga Diskriminimi, dhe Projektligji për Avokatin e Popullit. Me këtë rast, kryeministri Isa Mustafa tha se Qeveria e Republikës së Kosovës, duke pasur parasysh rëndësinë e krijimit të një kornize ligjore të përgjithshme, e cila avancon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, në Programin Legjislativ të saj për vitin 2015 ka paraparë edhe Pakon e këtyre Projektligjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. “Konsiderojmë se nxjerrja e këtyre projektligjeve nga Qeveria, konsiston në objektivin kryesor të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për krijimin e një sistemi të mirëfilltë ligjor dhe efikas, për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të njeriut, në përputhje me Direktivat Evropiane dhe me standardet më të mira ndërkombëtare. Përmes këtyre projektligjeve synohet të arrihet përmirësimi i infrastrukturës ligjore për promovimin e të drejtave të njeriut, ndërmarrjen e masave pozitive lidhur me jetën ekonomike, shoqërore dhe kulturore, si dhe gëzimin e të gjitha të drejtave kushtetuese dhe ligjore për të gjithë personat që jetojnë në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri. Ai poashtu theksoi se pakoja e këtyre tri projektligjeve del edhe si kërkesë nga Raporti i Komisionit Evropian për përmbushjen e kritereve lidhur me liberalizimin e vizave dhe se është e rëndësishme të potencohet që këto projektligje janë të bazuar në aktet legjislative të Bashkimit Evropian. “Prandaj, duke u bazuar në atë që e theksova dhe që është e përmbajtur në këto projektligje, konsideroj se arsyeja e nxjerrjes së Projektligjit për Barazi Gjinore, Projektligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe Projektligjit për Avokatin e Popullit, identifikohet me rregullimin e kornizës ligjore për mbrojtjen nga diskriminimi, parandalimin, luftimin e diskriminimit, ngritjen e shkallës së barazisë përpara ligjit, dhe realizimin e parimit të trajtimit të barabartë përpara ligjit, të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa. Në vazhdim të mbledhjes, u miratuan Projektligji për Barazi Gjinore, Projektligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Projektligji për Avokatin e Popullit. Në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka marrë miratimin edhe Projektligji për Provimin e Maturës Shtetërore. Projektligji rregullon organizimin, përmbajtjen, kushtet, kriteret dhe procedurat e provimit të maturë shtetërore në Republikën e Kosovës. Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës. Kabineti qeveritar i ka dhënë dritën e gjelbër edhe Projektligjit për Armë, që rregullon kushtet për blerjen, posedimin, armëmbajtjen, ruajtjen, prodhimin, çaktivizimin, riparimin, tregtimin, importimin, transitin, shitjen, transportimin dhe shënjimin e armëve dhe municionit për personat fizik dhe juridik, brenda territorit të Republikës së Kosovës, si dhe eksportimin nga Republika e Kosovës të destinuara vetëm për përdorim civil. Edhe Projektligji për Letërnjoftim është miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Pajisje me Armë, Municion dhe Pajisje përkatëse të sigurisë për Institucionet e autorizuara Shtetërore për Siguri. Po ashtu u miratua edhe Koncept-dokumenti për Rregullimin e Fushës së Mjekësisë Ligjore.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here