Qeveria e Kosovës: DASh konfirmoi se demarkacioni me Malin e Zi është i rregullt

0

Përmes  një deklarate për shtyp, qeveria e Kosovës ka shprehur mirënjohje për punën verifikuese dhe ka përshëndetur deklaratën e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me raportin për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Qeveria e Kosovës konsideron se qëndrimi i DASH-it dëshmon se procesi i shënimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është kryer në përputhje me të gjitha aktet juridike dhe realitetin faktik në terren.

“Duke pasur parasysh përkrahjen e jashtëzakonshme e të gjithanshme të SHBA-ve për Kosovën, si dhe rishikimin e detajuar të vijës kufitare nga ana e Departamentit të Shtetit, qeveria e Republikës së Kosovës fton të gjithë përfaqësuesit politikë që të punojnë për avancimin e proceseve dhe të perspektivës integruese euroatlantike të Kosovës, duke filluar nga liberalizmi i vizave që pritet të finalizohet së shpejti. Qeveria do të jetë e hapur për të diskutuar çdo vërejtje të mundshme të qytetarëve dhe të përfaqësuesve politikë lidhur me të gjitha proceset e rëndësishme për vendin”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Gjithashtu, qeveria e Kosovës, me këtë rast, shpreh mirënjohjen e qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për mbështetjen e përhershme që SHBA-të po japin për Kosovën, duke theksuar njëkohësisht përkushtim të plotë për fuqizimin e marrëdhënieve dhe partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here