Qëndresa Halili: Kjo është kohë ku njeriu mund të jetoj vetëm nga letërsia dhe e vërteta

0

Autorja e disa romanave, Qëndresa Halili, ka thënë se ka shumë motive që e nxiti ta marrë lapsin dhe të shkruaj, por e përbashkëta e tyre është dhembja nga njerëzit, për njerëzit dhe tek njerëzit. Ajo tregon se ka shumë autorë që i pëlqejnë, por që e tërheqë më shumë është Letërsia klasike. Në një intervistë ajo sqaron raportin e saj me shkrimin, ndikimin nga autorë të caktuar, relacionin me zhanret e Letërsisë etj.

Pse shkruani?
Të shkruash është diçka që nuk e di nga vjen, psed he si. Shpeshherë e mendoj si mallkim e rrallë si bekim! U kam thënë edhe të tjerëve se saherë që të më shihni duke shkruar dijeni se, kam një dhembje, m’u shtua edhe një dhembje.Thjesht: shkruaj nga dhembja…

Çfarë motive ka proza juaj?

Ka shumë motive, por e përbashkëta e këtyre motiveve është dhembja nga njerëzit, dhembja për njerëzit, dhembja tek njerëzit. Në proza e nis fillimin çdoherë me një femër, e sjell tek dhembja, lëviz me të deri tek përfundimi që është femra me dhembjen. Nuk e di nga cila kemi lindur ne: Nga femra – dhembja a nga dhembja – femra?!
Këto dy motivet e mia përse shkruaj: Femra dhe dhembja!


Cilët autorë ju pëlqejnë, ndërkombëtarë po edhe shqiptarë?

Nuk e di. Ka shumë pak autorë që më pëlqejnë, sa shumicën e librave që i kam marrë për lexim i kam lënë në gjysmë. Letërsinë e huaj e lexoj më shumë, atë kalsike; Dostojevskin, Tolstoin, Pushkinin, Balzakun, nga ata të ekzistencializmit është Albert Kamy, Kafka. Nga Realizmi është Gabriel G. Markez.


A mund të jetohet sot nga Letërsia?

Letërsia për mua është një gjuhë që s`të le kurrë pa gojë, një fe që s`të lë kurrë pa zot, një dritë që s`të lë kurrë në errësirë. Mendoj se po, mund te jetohet nga Letërsia, por varet si ne e kapim Letërsinë, nga i nisemi, dhe me çfarë qëllimi e mendojmë. A e mendojmë Letërsinë si përfitim? A e mendojmë Letërsinë si gjuhë (që jemi sakat pa e njohur e ditur)? A e mendojmë Letërsinë si diçka të kotë, lehtë, punëdore?
Duke e ditur që jemi në një kohë ku dihet çmimi e pak vlera, në një kohë ku as fëmija më duket s`qan pa qëllim, dhe asnjë dorë nuk zgjatet pa nevojë, është e vështirë të thuhet se jetohet sot nga Letërsia (për ata qe e mendojnë si letërsinë si përfitim), është e lehtë të jetohet me Letërsinë për ata që e shohin si gjuhë që s`munden së paku një ditë pa e folur (një ditë pa shkruar), dhe është e vështirë për ata që e shohin Letërsinë si diçka të kotë e punëdore (sepse kotësia gjithmonë kjo i ka efektet e veta, që, fatkeqësisht tek ne njihet si, të bëhurit sefa)
Kjo kohë me kaq shumë jonjerëz është kohë ku njeriu mund të jetoj vetëm nga letërsia dhe e vërteta!


A shkruani vetëm prozë apo edhe zhanre të tjera?


Fillimisht, hapat e parë si çdo krijues i kam pasur në poezi, pastaj kam vazhduar me prozë, tash i jam kthyer prapë poezisë, por e di se, në të ardhmen, Qëndresa do t`i përket më shumë prozës.
Harrova, se kohëve të fundit më pëlqejnë shumë edhe tregimet e shkurtëra.

Cilat janë synimet tuaja si krijuese?

Nuk e di. Që e vogël kam pasur shumë synime, mandej kur u rrita deri para do kohe kam pas menduar për shumë gjëra të mëdha, ndoshta më të mëdha edhe se vet mosha e gjyshes sime, sa shumë herë ju thosha njerëzve me habi se, pse ata merreshin me gjëra kaq të vogla, të imta e të parëndësishme. Kam menduar çdoherë ta ndryshoj botën, por a mundet një femer e vetme ta ndryshoj një botë të madhe?
Tani kam kuptuar se, gjërat e imta,të vogla, të padukshme në shikim të parë, qenkan në fakt shumë të rëndësishme, sa edhe mund të sjellkan ndryshime aq të mëdha, ku ta di unë, ndoshta edhe të kësaj bote të madhe, që mua dita -ditës më duket më e vogël, më e imtë, më e padukshme!
Synimet e mia si krijuese e re, normalisht janë shkrimet, asgjë tjetër…

Një pyetje jashtë Letërsië. Aktualisht gjendeni në SHBA, çfarë ishte Amerika për juve?


Ka kohë… që në fëmijëri e kam ëndërruar Amerikën. Gjithmonë e kam menduar si engjull dhe shpëtimtar. Mandej kur erdha këtu pashë të vërtetën se, po vërtetë e kisha takuar këtë engjëll. Amerika është vendi më i bukur i kësaj bote, normalisht pas Kosovës e Shqipërisë sime. Këtu kam akumuluar shumë, kam shkruar dhe kam pasur fatin të rri me njerëz që gjithmonë i kisha kërkuar. Amerika më ka sjellë shumë inspirim, përvoja të reja, njohje të reja, sa shpesh po them me vete se, Amerika më ka rilindur mua, se di, ndoshta po shprehem kështu duke e ditur se fëmijërinë time ma ka pas marrë lufta e keqe dhe se më është dashur një lindje e re. Si çdo fëmijë kosovar i dalë nga lufta, me gjithë mundimet, traumat dhe trembjet që kemi pasur, Amerika për mua është dhe mbetet engjëlli im mbrojtës.
Jam me fat, më shumë se fat, që kam pasur rastin ta takoj këtë engjëll!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here