Pushtetarë me korrespondencë

0
Shkruan Muhamet Hamiti
Presidentja Jahjaga, kryeministri Mustafa dhe zëvendëskryeministri Thaçi, janë solidarizuar ose kanë kërkuar solidarizim me të prekurit nga vërshimet në fshatra e qytete të Kosovës. Me kumtesa e postime në facebook. Asnjëri syresh – ruana Zot!– të vishet me rroba shiu e të mbathë çizme llastiku e të shkojë kund afër, në terren, për të parë me sytë e vet të prekurit nga kjo fatkeqësi natyrore. Thua se frikësohen se do të preken nga të prekurit!
David Cameron-i, kryeministri britanik, u pa këto ditë në rajone të përmbytyra të vendit të vet, veshur e mbathur për rrethana të motit të keq, teksa fliste për çka po bënte dhe do të bënte Qeveria e tij në përballje me përmbytjet atje. Sikur të mos e dinte se solidarizimin me qytetarët e vet mund ta bënte me telefonata nëpunësve qeveritarë dhe kumtesa e postime.
Mundet që ai të mos ketë pasur shumë punë me emërimin në poste të tre zëvndësministrave për një ditë, muaj e vite mbas formimit të Qeverisë, si kjo jona.
Edhe opozita e Kosovës ka gjetur mënyrë solidarizimi me të prekurit: duke iu falënderuar Zotit që fatkeqësia natyrore s’ka marrë jetë njerëzish dhe duke bërë qejfe dioniziake me haje e pije në përgatitje për protestën antiqeveritare. Edhe kjo në korrespondencë me popullin e me Zotin!
(Autori ka qenë ambasador i Republikës së Kosovës në Britaninë e Madhe)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here