Publicistja dhe gazetarja Vjollca Hajdari kërkon që BE-ja të hapë kufijtë për Kosovën

0

“Evropë hapi kufijtë! Liberalizim vizash për Kosovën, vendin e vetëm të izoluar në Evropë”. Kjo ka qenë thirrja e aktivistes, njëherësh publicistes dhe politologes Vjollca Hajdari drejtuar dje Bashkimit Evropian, gjatë një debati publik lidhur me kufijtë që po ngre Evropa ndaj fluksit të refugjatëve dhe migrantëve. Veprimtarja shqiptare, e cila po bën bujë në Gjermani me aktivitetet e saja  rreth Kosovës dhe shqiptarëve, ishte e pranishme në këtë debat publik të organizuar nga Qeveria Federale, Përfaqësia e Saarlandit në Berlin. Qëllimi i këtij apeli publik për mundësimin e lëvizjes së lirë është për aktivisten shqiptare në njërën anë krijimi i një dialogu aktiv me Bashkimin Evropian, dhe në anën tjetër edhe një thirrje që Evropa mos t’i trajtojë shqiptarët si qytetarë të dorës së dytë.

“E dini përse Deti Mesdhe është bërë varr masiv i qindra refugjatëve? Sepse Evropa ka mbyllur kufijtë. Ajo është bërë fortesë, e ku për të arritur brenda saj, njerëzit duhet të zgjedhin ikjen ilegale – vdekjen
gjatë rrugës. Nuk dua të imagjinoj se çfarë skenash tragjike do përjetonim, sikur më shumë se 60.000 shqiptarë që kanë braktisur Kosovën, do duhej të kalonin përgjatë detit. Mjafton të mendojmë në vdekjen e shqiptarit në kufi të Hungarisë dhe viktimave të lumit Tisa në Vojvodinë.
E të mos flasim për përfitimin marramendës të rrjeteve të organizuara, që pasurohen në kurriz të refugjatëve e të emigrimit ilegal”, ka potencuar ajo.

Kosova mbetet sipas saj fatkeqësisht vendi i vetëm i getoizuar brenda Evropës, ndaj ajo e sheh si objektiv politik dhe moral që të angazhohet në këtë drejtim. Hajdari me këtë rast ka përmendur lëvizjen e lirë si një nga elementet kryesore të të drejtave të njeriut. “Koha e globalizimit dhe shpërëbrjes së kufijëve nacionalë, është me rëndësi sidomos për brezin e ri dhe krijimin e të ardhmes së tyre. Një izolim në shekullin 21, do të thotë cungim i zhvillimit dhe cenim i të trejtave të njeriut, njashtu i të
drejtave qytetare” ka thënë ajo.

Sipas politologes që jeton e vepron në Berlin, Kosova dhe shqiptarët duhet të jetë pjesë përbërëse e aktiviteteve, angazhimeve dhe jetës civile brenda Evropës, ndaj siç thekson Hajdari, mu për këtë ata duhet të jenë me proaktiv në kërkimin e të drejtave të tyre thelbësore. “Të participosh në
jetën publike, në proceset zhvillimore – sociale e politike, do te thotë të jesh i denjë për të marrë vendime por edhe për të drejtuar proceset civile në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.” Në këtë mënyrë ajo ka aluduar për një përkushtim më të madh nga ana e  Evropës në lidhje me Kosovën, duke kujtuar se  Bashkimi Evropian nuk bën ta largojë vëmendjen dhe përgjegjësinë ndaj shqiptarëve si qytetare të
këtij kontinenti.

Krahas përgjegjësisë evropiane, Vjollca Hajdari ka thirrur për një angazhim më aktiv e më serioz nga politikanët shqiptarë dhe institucionet vendimmarrëse. “Keni parasysh, Kosova dhe shqiptarët kanë popullin më të ri në Evropë! Mbi 60% të popullatës janë të rinj të moshës 25 vjecare. Ky potencial i
fortë nuk bën të ngulfatet, ndaj atdheu ynë duhet të luftojë me çdo mjet që t’u ofrojë një perspektivë në të ardhmen qytetarëve të tij. Përndryshe, bllokada politike, mjerimi, pabarazia sociale dhe pakënaqësia do të rritet. Kosova, Shqipëria dhe më gjerë do të vazhdojnë të përjetojnë
skenarin e braktisjes masive siç është duke ndodhur momentalisht.”
Në lidhje me përgjegjësinë e Bashkimit Evropian si dhe pranimin e refugjatëve në proces të azilit, njashtu per shansat rreth migrimit dhe tregun punues, ajo ka folur edhe në intervistën, e cila do të pasojë së shpejti.

Debati publik që është mbështetur nga Universiteti i Lirë i Berlinit dhe nga fondacioni Robert Bosch, është mbajtur në „Sallonin e Katërt Evropian“me temën „Shpërbërja e kufijëve të shtetit dhe garantimi i të drejtave të njeriut? Perspektivat e politikës Evropiane të Migrimit”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here