“Pse nuk martohesh ti?”, fraza fatale që çoi në vrasje e plagosje…

0

Specialisti i taktikës humb në betejën e besimit, pasi personi që kishte përballë, në fakt, përveç armës në duar, nuk kishte asnjë veti tjetër të arsyes së shëndoshë! Arma në duart e tij, bëri gjëmën: i mori jetën pikërisht specialistit, atij që prej një jete iu kishte përkushtuar pikërisht përballjes me të keqen, me atë të keqen që rëndom shitet e blihet në vendin tonë. Simon Gjeta vritet ndërsa vendos të kryejë një kontroll në ikje e sipër, si për tu garantuar se njeriu i armatosur nuk ka hyrë në shtëpi. Aty bie, në pragun e derës së Ruzhdi Arishtës, burrit që ishte i sëmurë mendërisht dhe që ishte braktisur nga të gjithë, aq sa edhe i riu, që u plagos prej tij, bënte shaka të tepruara me njeriun “psikopat”. “Pse nuk martohesh, ti?”-kjo ishte fraza fatale që solli gjithë atë çmenduri 12 orëshe, me komandantin e vrarë, me autorin të vrarë, me djalin, që nisi sherrin të plagosur, dhe me një mori pse-shë, që asnjë autoritet shtetëror, vendor dhe as ligjor, kurrë nuk ka me kthyer për to një ‘sepse’ të vetme.

Vetëm pas vrasjes së Simon Gjetës, njeriut që ishte në misionin e ruajtjes së jetës së tjetrit, gjithë shtetit dhe familja e Ruzhdi Arishtës kthyen vështrimin nga ky i fundit, i cili i futur në një aneks të vogël kishte mundur të bënte rezistencë policisë për gjithë natën. Ruzhdiu nuk iu përgjigj më askujt, por ka qëndruar aty në skutën e vdekjes, ndërsa policia ka mundur të thyejë rezistencën e tij pa ndonjë humbje tjetër. Vrasësi i Simonit ekzekutohet, kurse Krimet e Rënda kanë lajmëruar ditën e djeshme nisjen e hetimeve për aksionin policor!

12 orët e “ferrit”

Gjithçka ka nisur pasditen e së mërkurës kur Ruzhdi Arishta, 52 vjeç është konfliktuar me të afërmin e tij, njëkohësisht dhe komshi, 21-vjeçarin Besar Sherbela. Grindja, që në mes kishte zënkat e përditshme, Besari i ka shtuar edhe një shaka që lidhej me të jetuarit vetëm të Ruzhdiut, të cilit i ka kërkuar llogari për tu martuar. Kaq ka mjaftuar që Ruzhdiu, i cili njihej se ishte problematik dhe i dhunshëm, ka hyrë në shtëpi ka marrë armën dhe ka qëlluar mbi të riun. Djali është nisur me shpejtësi në drejtim të spitalit të Shkodrës me qëllim për ta mbajtur në jetë dhe për fatin e mirë, mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Nga spitali është lajmëruar edhe policia e Shkodrës për një person të armatosur, i cili është edhe me probleme mendore. Në drejtim të Oblikës është nisur një grup i gatshëm i FNSH-së që drejtohej nga Simon Gjeta. Fillimisht, personi i armatosur mësohet se ka qenë i fshehur në disa shkurre.

Ka qëndruar aty deri sa ka rënë nata. Duke parë rrethimin e policisë, i armatosur, Ruzhdi Arishta është tërhequr në drejtim të shtëpisë së tij. Nuk dihet se nga ka hyrë brenda, pasi policia sipas të dhënave e kishte kryer rrethimin e shtëpisë së tij. Meqë kishte rënë nata dhe duke patur parasysh rrezikshmërinë e personit të armatosur, policia ka bërë të largohet, që të zgjerojë rrezen e rrethimit të zonës, ndërsa në ikje e sipër, Simon Gjeta, duke qenë gjithnjë në krye të djemve të skuadrës së tij, është kthyer të kryejë edhe një këqyerje të fundit të banesës. Sapo i ka rënë derës për të hyrë brenda, nga përballë ka ardhur një breshëri kallashnikovi. Tre plumba kanë marrë komandantin; një në kokë dhe dy në pjesën e qafës! Nga brenda agresori ka vijuar të qëllojë pa pushim, ndërsa pjesa tjetër e grupit janë përpjekur të ndërhyjnë për të tërhequr Simonin, me qëllimin për ta mbajtur në jetë. Ka vijuar shkëmbimi i zjarrit për disa minuta, thotë policia, dhe në shkëmbim zjarri është bërë e mundur të ndërhyhet për të larguar nga sheshpushimi i shkallës së shtëpisë së Arishtës, Simonin e pajetë.

Trupi i komandantit të FNSH-së është kthyer për në morg, ndërsa në drejtim të Oblikës janë nisur forcat RENEA dhe krerë të policisë së shtetit. Gjithçka duket se ka nisur nga e para. Është kryer rrethimi, por policia bën me dije se në fakt, në të gjitha orët e përballjes me të e deri në momentin e vrasjes, në orën 07.10 minuta të mëngjesit të djeshëm, është krijuar ideja se personi që kishte vrarë policin ishte një strateg i vërtet lufte e jo një i sëmurë mendor. Janë përdorur kundër tij të gjitha mjetet e mundshme, por pa arritur të dorëzohet, madje vetëm falë një skafande të madhe, mbulojë trupore, ka qenë fati që dy efektivët që kanë hyrë në banesë janë gjallë. Ruzhdi ka qëlluar me breshëri mbi ta, por plumbat janë ndaluar në mbulojën metalike,  ndërsa më pas është ekzekutuar në skutën në të cilën kishte qëndruar për rreth 2 orë e gjysmë pa lëvizur.

Fakte tronditëse të përballjes së policisë më Ruzhdi Arishtën

Me të mbërritur në Shkodër, RENEA ka marrë përsipër gjithë operacionin në vazhdim. Është tërhequr FNSH-ja, ndërsa është kryer rrethimi i banesës me një rreze të përcaktuar nga ekspertët e operacioneve të tilla. Është urdhëruar fikja e dritave në zonë, ndërsa familjarët e Ruzhdi Arishtës, kanë mohuar njeriun e tyre duke mos tentuar të kryenin asnjë lloj ndërhyrjeje për të bërë të mundur negocimin me të. Pas fikjes së dritave, policia ka krijuar terrenin e duhur, por sipas të dhënave që vijnë nga grupi që kreu operacionin deri në vrasjen e Arishtës, bëhet me dije se Arishta kishte mundur të krijonte probleme të mëdha për policinë. Referuar të njëjtave informacione, saktësohet se djemtë e RENEA-s kanë mbajtur për gjatë gjithë kohës afër dhe të siguruar një banorë të zonës që njihte mirë shtëpinë e Arishtës, ndërsa ai provokonte herë pas herë me të shtëna nga dritaret. Sipas policisë mësohet se përgjatë gjithë natës, deri rreth orës 05.00 të mëngjesit, Arishta ka lëvizur nëpër shtëpi, duke përdorur dritaret dhe duke qëlluar prej aty jashtë dhe ndonjëherë me të shtëna teke, në ambientet e brendshme të shtëpisë.

Ndërhyrja

Policia ka nisur praktikën e përdorimit të bombave me gaz lotsjellës, pasi ka bërë të mundur edhe prishjen e njërit cep të murit të banesës, pasi ishte mundësia e vetme për të futur brenda ambienteve të banesës pikërisht gazin lotsjellës. Sipas të dhënave mësohet se 8 herë policia ka tentuar me bombat molotov dhe në asnjërën prej tyre, saktësohet se Arishta nuk është dëgjuar as të kollitet njëherë të vetme. Deri në mëngjes herët, është ndjekur strategjia e vënies në lëvizje të tij, me qëllimin që të dalë nga aty dhe të dorëzohet, ose së paku të gjuajë derisa t`i mbarohet municioni,  por me sa duket Arishta i kishte bërë mirë llogaritë. Pas orës pesë të mëngjesit, ai mësohet se nuk ka lëvizur më ndaj edhe është krijuar ideja se mos kishte vrarë veten.

Por policia është treguar e matur. Nuk ka tentuar të hyjë brenda deri në të zbardhur, pasi me anë të një tentative të tillë ishte vrarë edhe Simoni. Pasi ka zbardhur, policia ka përdorur dylbitë për të bërë të mundur gjetjen e vendndodhjes së tij. Në cepin e aneksit, i kanë parë këmbët poshtë një batanijeje. Një burim policor, që ka marrë pjesë në operacion, tregon se kur u pikas të krijohej ideja sikur ishte i shtrirë. Dy efektivët kanë marrë përsipër hyrjen në banesë. Të mbrojtur tërësisht ata kanë shpërthyer derën dhe janë gjendur përballë tij në korridor, ku ai sipas tyre iu është përgjigjur me breshëri, por për fat, kësaj here mbrojtja ka qenë e përgjithshme dhe dy specialët e RENEA-s kanë mundur të shpëtojnë. Ruzhdi Arishta ekzekutohet dhe trupi i tij dërgohet në morgun e spitalit të Shkodrës, ndërsa Prokuroria dhe Policia do të nisin hetimet për ngjarjen e rëndë që i mori jetën komandantit të FNSH-së, Simon Gjeta, 49-vjeçarit që jetonte vetëm me nënën e tij!

Rrëfimi i banorëve të Oblikës

Banorët e fshatit Oblikë, në njësinë administrative Ana e Malit në bashkinë e Shkodrës kanë përjetuar orë terrori si shkak i ngjarjes së rëndë të ndodhur në këtë fshat. Sipas tyre, autori i ngjarjes njihej si njeri problematik që konfliktohej me këdo dhe për asgjë, dhe që njihej si person me ç`rregullime mendore , madje për një kohë ishte mjekuar për këtë. Ruzhdi Arishta jetonte i vetmuar në një banesë një-katëshe,të vjetër dhe të amortizuar, ndërsa tre vëllezërit e tij jetojnë në Shkodër. Familjarët e tij kanë qenë bashkëpunues me policinë, por pa rezultat. “Ishte një person që të mbeste në dorë, dhe bëri atë që bëri. Familjarët nuk kishin çfarë t`i bënin se ai nuk jetonte dot me askënd. Kushdo që e njihte mundohej të mos kishte punë me të dhe të gjithë i rrinin larg”, shprehen banorët e Oblikës që e kanë njohur Ruzhdi Arishtën. Banorët shprehen dhe për terrorin që kanë përjetuar nga rrethimi i autorit nga policia dhe të shtënat e armëve ndërsa shprehen të pikëlluar për vrasjen e oficerit të policisë.

Krimet e Rënda hetojnë operacionin

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për vrasjen e komandantit Simon Gjeta, pasditen e së shtunës në Shkodër. Hetimi synon të zbardhë nëse policia veproi dhe zbatoi planin operacional gjatë ndërhyrjes në banesën e 52-vjeëarit që pas plagosjes së një 21- vjeçari, vrau me armë zjarri drejtuesin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Gjithashtu, hetime do të zhvillohen edhe lidhur me aksionin e RENEA-s për kapjen e Ruzhdi Aishtës dhe ekzekutimin e tij pasi thirrjes së policisë për t’u dorëzuar, të cilës iu përgjigj me zjarr. Paraprakisht mësohet se në krye të hetimit është prokurori Besim Hajdarmataj, i cili ndodhet në Shkodër bashkë me dy oficerë të Prokurorisë, që në momentin që është nisur operacioni i dytë për arrestimin e tij. Bëhet me dije se do të jenë të shumtë personat që do të dëshmojnë në lidhje me gjithçka ka ndodhur që në momentin kur është rrethuar Arishta e deri në momentin e ekzekutimit. Gjithashtu  mësohet se objekt i hetimit do të bëhet edhe spitali në të cilin ka qenë duke u kuruar autori i vrasjes së efektivit të Policisë së Shtetit.

Simon Gjeta, “Dëshmor i Atdheut”

Dje, rreth 24 orë pas vrasjes, kreu i FNSH-së së Shkodrës është nderuar me titullin “Dëshmor i Atdheut”. Ai ra në krye të detyrës, ndërsa ishte në radhët e Policisë së Shtetit që në vitin 1997, si një prej specialistëve më të mirë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Madje kishte edhe pozicionin e specialistit të taktikës pranë kësaj force policore, pikërisht falë aftësive të tija të shumta taktike për të realizuar operacione të tilla. Djali nga Mirdita, i cili ishte shkolluar në Akademinë Ushtarake, ishte thirrur në radhët e policisë së Shtetit, pikërisht në kohën e përballjes së çmendur në vendin tonë. Ishte vendosur në Komisariatin e Laçit, pikërisht në një prej zonave më të vështira të vendit. Më pas kishte punuar kudo që ishte lëvizur dhe emëruar derisa rreth 10 vite më vonë, largohet nga policia. Ishte viti 2007 që punonjësi i policisë Simon Gjeta do të gjendej i papunë. Thuhej për shkak reforme, ishte shkrirë pozicioni i punës së tij, ndërsa kthehet në radhët e policisë së shtetit pesë vite më vonë. Shkon në Fier dhe qëndron atje për disa kohë më pas kthehet në Shkodër dhe për më shumë se një drejtonte këtë forcë policore.

Simoni, i cili jetonte vetëm me nënë e tij,ishte i pamartuar dhe se sipas të gjithë miqve të tij, ai ishte aq i përkushtuar ndaj punës së policisë, sa rrallë haset në radhët e bluve në vendin tonë. Policia e Shtetit ka lajmëruar ditën e sotme edhe homazhe në nder të figurës së Simon Gjetës, 49-vjeçarit që humbi jetën në një përballje të pabesueshme me Ruzhdi Arishtën, i cili e goditi me tre plumba në kokë duke i marrë jetën në vend. Familja e tij në Tiranë ka hapur dyert e mortit ndërsa mësohet se Simon Gjeta do të prehet përkrah Ibrahim Bashës, efektivit tjetër që ra në Lazarat, po në krye të detyrës. Një sërë eksponentësh të lartë të Policisë së Shtetit ka kanë kryer vizita në familjen e Simonit, ndërsa orëve të mbrëmjes së djeshme në familjen Gjeta ka mbërritur edhe Ministri i Brendshëm.

Politika “përleshet” për policinë

Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit dhe kreu i Opozitës kanë shprehur ngushëllimet e tyre ditën e djeshme për humbjen e jetës së oficerit të policisë,  Simon Gjeta, i cili ishte në krye të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ndërsa dha jetën në operacionin për kapjen e një të armatosuri. Katër liderët politikë kanë shprehur mbështetjen për Policinë e Shtetit duke iu bashkuar dhimbjes së humbjes së jetës së Simonit, ndërsa orëve të pasdites mes shefit të qeverisë dhe atij të opozitës ka patur edhe replika të ashpra për shkak të ngjarjes së rëndë. Ndërsa Lulzim Basha ka kërkuar sërish dorëheqjen e ministrit të Brendshëm duke e akuzuar atë për lidhje me njerëz të inkriminuar, Rama i është përgjigjur në rrjete sociale me faktin se as në ditën kur vritet një punonjës policie, opozita nuk pushon duke nxjerrë llum!/Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here