Pse Kosova ende nuk mund të jetë anëtare e Interpolit dhe Europolit?

0

Anëtarësimi i Kosovës si anëtare me të drejta të plota në organizatat ndërkombëtare të sigurisë, siç është Interpoli dhe Europoli mbetet akoma një nga sfidat kryesore për shtetin.

Inkuadrimi i Policisë në këta mekanizma do ta bënte më të lehtë dhe të suksesshme punën dhe përpjekjet e saj në luftën e përbashkët kundër terrorizmit, trafikimit me njerëz, kontrabandës dhe dukurive tjera negative q ë shtrihen përtej kufijve nacional.
Një nga objektivat strategjike të Policisë së Kosovës për vitin 2015 është anëtarësimi në Interpol dhe institucionet tjera ndërkombëtare të sigurisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni ka bërë të ditur për, KosovaPress se vazhdimisht janë duke ndërtuar përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, dhe gatishmëria e tyre për ta realizuar këtë është e pakursyer dhe e përhershme.
Ai ka theksuar se të gjitha takimet që i ka zhvilluar kohët e fundit një nga pikat kyçe ka qenë çështja e anëtarësimit të Kosovës në Interpol.
Hyseni thotë se për këtë janë duke bërë përgatitje dhe do të vendosin në momentin e duhur për të aplikuar por, sipas tij para aplikimit duhet të sigurohen që të kenë votat e mjaftueshme, pasi kjo është paksa më e ndërlikuar.
Por Hyseni thotë se janë duke punuar intensivisht, si dhe duke lobuar që të kanë përkrahje për anëtarësim, tha ai.
Policia e Kosovës ka bashkëpunim me zyrtarët e Interpolit, por jo drejtpërdrejt por nëpërmes mekanizmave ndërkombëtarë.
Sipas zëdhënësit të Policisë Baki Kelani, janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme dhe po punojnë në këtë drejtim pasi ky është njëri nga objektivat kryesore për këtë vit.
“Inkuadrimi në organizatat ndërkombëtare do ta bënte punën më të lehtë të Policisë së Kosovës dhe kjo është një gjë shumë e nevojshme, dhe ne e kemi si objektiva strategjike që të qasemi në mekanizmat ndërkombëtarë sepse është e nevojshme që të prodhoj siguri jo vetëm në Kosovë por edhe në shtetet tjera më të zhvilluara”, ka thënë Kelani.
Sipas tij në disa raste të bashkëpunimit me Interpolin është dëshmuar se Kosova mund të jetë pjesë e këtyre mekanizmave të sigurisë.
“Në raste të përbashkëta me faktorët ndërkombëtar të disa vendeve të ndryshme e ka dëshmuar se ka kapacitete dhe profesionalizëm të lartë që të jetë pjesë e këtyre mekanizmave”, tha Kelani.
Por sipas ekspertit të sigurisë dhe deputetit nga LDK-ja Nuredin Ibishi, Kosova fillimisht duhet të jetë pjesë e OKB-së për të qenë edhe pjesë e Interpolit, dhe ky është një kusht. Mirëpo sipas tij Kosova ka zyrën për bashkëpunim me Interpolin që funksion qysh nga koha e UNMIK-ut, ku tani është si pjesë e veçantë dhe ka një bashkëpunim të mirëfilltë dhe funksional.
“ Normal nuk kemi të drejtë, nuk jemi anëtar fuqiplotë, ajo na pengon shumë, për arsye se ka probleme me shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, është në rajon Bosnja dhe Hercegovina me të cilën e dini kur ka të bëjë me fletë rreshtime kemi probleme të mëdha. Mirëpo besoj që së shpejti do të rregullohet edhe kjo çështje edhe një formë edhe në qoftë edhe në asistim të asociimit të jetë pjesë edhe e Interpolit”, tha ai.
Ndërsa Rexhep Selimi, deputet i Lëvizjes “Vetëvendosjes” thotë se policia ka kapacitete të mjaftueshme për inkuadrim në këta mekanizma por mungon gatishmëria dhe qasja e duhur e Qeverisë pasi, sipas tij kjo do duhej të ndodhte shumë më herët.
“ I shoh dy anë të medaljes të kësaj, sa i përket gatishmërisë së sektorit të sigurisë, pra të policisë mendoj që Kosova ka qenë e gatshme dhe është e gatshme por mbi të gjitha edhe ka nevojë që të jetë anëtare e këtyre mekanizmave ndërkombëtar, e theksoj ka shumë nevojë dhe nevoja është reciproke jo vetëm ne kemi nevojë por edhe mekanizmat ndërkombëtar të policisë kanë nevojë për punën dhe kontributin e policisë. Pra policia jonë do të duhej edhe të merrte edhe të jepte pse jo edhe më shumë të jepte se sa të merrte të sigurisë në përgjithësi”, tha ai.
Por, sipas Selimit qasja e Qeverisë karshi kësaj çështje ka qenë shumë jo serioze deri më tani për shkak se nuk ka bërë as punën më të vogël që Kosova ose Policia të jetë anëtare e këtyre mekanizmave.
UNMIK është i vetmi autoritet në Kosovë për të lëshuar mandat për kërkim-arrest ndërkombëtar.
Procedurat për të kërkuarit në emër të Kosovës i bën fillimisht gjykata e cila paraqet kërkesë për urdhër arrest në Ministrinë e Drejtësisë, e cila e dërgon kërkesën tek organet e EULEX-it, ku më pas UNMIK-ut në bashkëpunim me zyrën ndërlidhëse të Interpolit në Prishtinë mund ta publikojë rastin për kërkim ndërkombëtar.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here