Pse kopjojnë disa politikanë?

0

SILVI BAKIRI

“Lider lind, nuk bëhesh!” Ky postulat është pjesërisht i vërtetë dhe pjesërisht i pavërtetë. I vërtetë sepse cilësitë që e bëjnë dikë protagonist në një masë njerëzish lidhen shpesh me atë pjesë të personalitetit që gjendet te njeriu shumë herët, ndoshta që në moshën e kopshtit. Kështu, jemi shumë më të tërhequr nga fëmijët e talentuar sesa ato me aftësi të mësuara në shkollë; na pëlqen më tepër dikush që di vetvetiu të këndojë bukur, pra, e ka talent të lindur muzikën, sesa dikush që studion për muzikë për të përmirësuar aftësitë… Po, por, nga ana tjetër historia ka treguar se kategoria e dytë, domethënë fëmijët që studiojnë ose ata që në fëmijërinë e hershme etiketohen si “peshkopë”, janë gjithnjë më të avantazhuar në vitet e mëvonshme të jetës profesionale.

Disiplina dhe studimi janë çelësi që njeriu të përmirësohet, e madje të bëhet edhe i shkëlqyer në profesionin që zgjedh. Nëse do t’i referoheshim kinematografisë:  i pari film që më vjen në mendje, e që manifeston pikërisht idenë e mësipërme, është “The King’s Speech”, fitues edhe i disa Oscars përfshirë: filmi më i mirë dhe aktori më i mirë në rol protagonist, për vitin 2011. Mbreti Xhorxhi i VI i Britanisë së Madhe në vitet ’30- ’40, i cili interpretohet prej aktorit Colin Firth, detyrohet të zëvendësojë të vëllanë në fronin e Anglisë. Kjo nuk ështe aq e thjeshtë në fakt, sepse ai ka kaluar një fëmijëri traumatike që i ka shkaktuar belbëzim: një sëmundje nervore fatale për një kandidat për Mbret.

Filmi, që ka natyrë biografike, vijon me përpjekjet e Xhorxh- it për të përmirësuar problemet me elokuencën, duke takuar një psikolog- terapeut australian, i cili nisë ta udhëzojë në një mënyrë tejet origjinale që një njeri me ngërçe të mëdha emocionale si ai, të bëhej në fund një mbret i dashur për vendin. Në përfundim, Xhorxh arrin të mbajë një fjalim të gjatë…

Kjo histori, është një përshkrim mjaft i qartë se si dikush i cili jo vetëm nuk ka talent në oratori, por përkundrazi, vuan pasojat e një problemi jo të vogël mbartur prej një fëmijërie të keqe, mundet të bëhet edhe mbret. Morali është universal dhe gjen vend kudo: Lider nuk lind, por bëhesh!

Nëse do duhet të bënim pastaj dallimin mes liderit dhe politikanit, do të shihnim se shumë politikanë në Shqipëri janë teknicienë të mirë, por jo liderë të mirë. Ata janë efiçentë por jo efektivë; të saktë, por jo origjinalë; mediatikë por jo karizmatikë. Cfarë i pengon këta politikanë të jenë efektivë, origjinalë dhe karizmatikë? Pse kur i shohim na duken gjithnjë politikisht korrekt, por sërish nuk na ngulin përpara ekranit, nuk na shtyjnë t’i shohim edhe një herë tjetër dhe madje as t’i komentojmë; shpesh as për mire, as për keq?!

A ka të bëjë aftësia, shkollimi, media- trajnimi i munguar apo rënia në nivel taktik që kërkon përpjekje rutinore dhe jo përpjekje strategjike që e kthejnë “bretkosën” në “mbret”?! Këtë, shpesh, nuk mundet ta përcaktojmë qartë, edhe sepse Shqipëria duke qenë vend i vogël, paradoksalisht bëhet edhe më kaotik në preferencat që qytetarët kanë ndaj politikanëve përsa i përket imazhit të tyre publik.

Nëse do u referoheshim gjithashtu shembujve nga jashtë, liderë të mëdhenj si Winston Churchill, Abraham Lincoln apo Margaret Thatcher, në periudhën e pikut të lidershipit të tyre, ushtroheshin çdo ditë dhe sidomos përpara shfaqjeve të tyre publike. Këtë e bënin kryesisht përmes këshilltarëve që si psikologë të mirë, i ndihmonin për një paraqitje perfekte, duke vënë më tepër në pah pikat e forta që ekzistonin në personalitetin e tyre.

Në Shqipëri, aktualisht, po rritet përherë e më tepër modeli anglo- sakson dhe amerikan i lidershipit. Problemi i politikanëve shqiptarë është adoptimi i njëjtë ose e thënë më thjeshtë: imitimi “mot a mot” i taktikave amerikane të imazhit. Aq flagrant është ky imitim “pikë për pikë” saqë rrjetet sociale shpesh gëlojnë nga “tallja” që u bëhet politikanëve  kopjacë, që nuk i heqin asnjë presje stilit të huajtur.

Në këtë pikë, na pëlqejnë shumë më tepër çorapet e kuqe të Kryeministrit Rama apo imazhi atipik me shall i liderit të ndjerë Ibrahim Rugova, sesa fotot e riprodhuara të Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj gjatë aktiviteteve të tij publike. Ideja për binjakëzimin e stilit të Veliaj me Presidentin e SHBA Barack Obama është pa dyshim, ose mungesë idesh, ose përpekje për të rënë në sy shpejt dhe pa shumë “harxhim idesh”. Për fat të keq, kjo shkakton humbjen e identitetit si politikan dhe të krijon idenë se kemi të bëjmë me një “politikan- ndjekës”, pa vizion dhe pas ndonjë mesazh të qartë në arenën politike. Të tillë efekt ka ky lloj imazhi!

Ajo që nuk dimë është nëse ky është faji i vetë liderit, këshilluesve të tij, apo populizmit në përgjithësi që tenton të kapërcejë origjinalitetin dhe stilin autentik për t’u bashkuar me “trendin”…

Pra, pse kopjojnë disa politikanë tanët?

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here