Pse duhet të jenë të tronditur shqiptarët e Maqedonisë

0

DIONIS XHAFA

Në hapësirat e banuara nga shqiptarët, sidomos në Shqipëri dhe në Maqedoni “kanë plasur bombat” që dëftojnë për “skandale, biseda, pushtet të shfrytëzuar” sipas interesave klanore, e një mijë të liga të tjera. Edhe në Kosovë së fundmi ka patur deklarata të ashpra në Kuvend, sidomos të Ramush Haradinajt kundër Thaçit dhe Mustafës. Të thënit e deklaratave krejt befasuese dhe shfaqja e videove dhe e audiove ka të bëjë jo pak dhe me faktin se ka opozita të dobëta. Por, se edhe deklaratat që dalin nga opozitat kanë nevojë të shqyrtohen në ato hapësira sa ata mund të jenë të vërteta. Të fundit deklarata shpërthyese dhe të cilësuara si “bomba” ishin ata të liderit të LSDM-së Zoran Zaev. Përtej asaj ç’ka i interesojnë Zaevit politikisht meqë është në opozitë, për shqiptarët kjo është një kohë jo e mirë dhe ka një sërë arsyesh për këtë gjendje. Shitja e patriotizmit dhe gjendja politike Një lideri politik i duhet të sillet si patriot në sytë e popullit të vet, si për të treguar se përfaqëson njerëzit që e kanë zgjedhur. Gjithnjë në rast se përgjimet e Zaevit janë të vërteta dhe rezultonka se Menduh Thaçi bën çdo gjë që ia kërkon Sasho Mijallkovi, kjo do fliste për dyfytyrësi, ku përpara njerëzve kemi një Menduh që sillet si patrot dhe në hapësirën private nxiton drejt interesave pushtetare. Sërish në rast se përgjimet e Zaevit janë të vërteta, njëjtë duhet gjykuar edhe zv.kryeministri Musa Xhaferi. Në rast se realiteti i plotë është ai që përcillet në përgjime, ku flitet për interesa politike, të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni kanë marrë fund. Shteti është bërë pushtet? Shefi i Shërbimit Sekret të Maqedonisë Sasho Mijallkovi mban një post shtetëror dhe jo post politik. Ai, si në videot që posedon Zaevi, por edhe në raste të tjera ku jemi mësuar ta shohim, duket se ka marrë përsipër të kryejë edhe politikbërjen. Kur shteti bëhet pushtet, kjo do të thotë se shteti është i politizuar skajshmërisht, se njerëzit më së pari mendojnë për interesa partiake se për interesa shtetërore, se një person sot në Maqedoni pa një parti është i humbur dhe i pambrojtur. Potencial më të lartë rreziku që shtetin ta kthejë në pushtet e ka VMRO-ja e Gruevskit, por jo më pak edhe LSDM-ja e Zaevit, e cila sillet kështu sepse është në opozitë. Në një shtet ku politika hyn thuajse kudo, siç ndodh në Maqedoni, çdo parti në pushtet përbën rrezik. BDI-PDSH duhet të bashkëpunojnë në interes të shqiptarëve – JO faktorit të tretë politik në vend Ajo që ngjan në mënyrë kaq bajate prej kohësh është se BDI-ja akuzon PDSH-në për antishqiptarizëm dhe PDSH-ja nga ana e vet akuzon BDI-në po për antishqiptarizëm. Duke qenë se dy partitë politike shqiptare kryesore e shohin njëra-tjetrën si “vlera antishqiptare”, këtu lind fondamentalizmi ideologjik, i cili nuk dërgon në bashkëpunim. E vërteta është se bashkëpunimi mes BDI-së dhe PDSH-së për interesa strategjikë kombëtarë është i nevojshëm. Sa i përket formimit të një poli të tretë politik në vend, i cili shfaqet si një faktorpolitik kundër BDI-së dhe PSDH-së, ai nuk është i nevojshëm. Popper vlerëson se që demokracia të jetë sa më e shëndoshë, më së miri do të ishte një sistem dypartiak, për shkak se ata përmirësojnë njëra-tjetrën, kur njëra është në pushtet, tjetra rritet në opozitë. Ajo ç’ka nevojitet realisht është bashkimi i faktorit politikshqiptar në mënyrë të sinqertë për interesa strategjikë kombëtarë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here