Prokuroria e Shtetit dhe Oda e Avokatëve, krijojnë favore në punë dhe pagesa sipas detyrës zyrtare për disa avokatë

0

Prokuroria e Shtetit dhe Oda e Avokatëve të Kosovës kanë krijuar favore për një numër të caktuar të avokatëve në punë dhe pagesa sipas detyrës zyrtare. Kjo e dhënë del nga një Raport Financiar nga Prokuroria e Shtetit për pagesat e bëra për Avokat mbrojtës sipas detyrës zyrtare i cili raport i është përcjellur KD të Odës së Avokatëve të Kosovës “që të nxjerrë përfundime përkatëse”. Në raportin, një kopje të të cilit e posedon Portali Online vërehet se peshorja e drejtësisë ka marrë anë. Aty shihen favorizime dhe privilegje që u ofrohen një numri të kufizuar të avokatëve përkundër asaj se të gjithë avokatët e Kosovës e paguajnë anëtarësinë e barabartë në organin e tyre – Odën e Avokatëve të Kosovës e cila është treguar për dikë nënë e për dikë njerkë. Derisa nji numër i caktuar i avokatëve sipas të dhënave mezi e sigurojnë mbijetesën, një numër tjetër i tyre vetëm me përfaqësime zyrtare përmes favorizimesh e preferencash arrijnë një pagë standarde të vendit. Sipas raportit zyrtar, pagesat vjetore në përfaqësime sipas detyrës zyrtare të disa avokatëve arrijnë edhe mbi 4.300 euro kurse një pjesë e madhe e avokatëve ose nuk dijnë fare për pagesa sipas detyrës zyrtare nga prokuroria ose pagesat e tyre janë krejt simbolike. Kështu për shembull në Rajonin e Prishtinës sipas shifrave zyrtare një avokat i ka patur gjatë vitit 16 përfaqësime prej të cilave ka përfituar 4 mijë e 374.2 euro kurse një tjetër vetëm një përfaqësim ku ka fituar vetëm 20 euro e 45 cent. Janë të paktën 10 avokatë nga ky regjion që nuk kanë arritur të marrin gjatë vitit më shumë se një përfaqësim e as 100 euro përfitim për punën e tyre sipas detyrës zyrtare. Procedura e përfaqësimeve sipas detyrës zyrtare është e përcaktuar nga Oda e Avokatëve të cilët janë të obliguar të mbajnë një renditje të përfaqësimit të anëtarëve të tyre nëpër të gjitha komunat e Kosovës por si duket kjo renditje nuk ruhet pasi sipas raportit një numër i caktuar i avokatëve janë të privilegjuar deri me 16 përfaqësime nga të cilat nxjerrin para të majme, kurse një numër tjetër i avokatëve në përfaqësime në Prokurori thirren me nga një përfaqësim apo fare. Të dhëna të besueshme flasin se ka patur raste kur edhe vetë prokurorë të prokurorive apo zyrtarë policorë e kanë ftuar avokatin e caktuar në përfaqësime sipas detyrës zyrtare ose u kanë krijuar hapësirë një numri të caktuar të avokatëve duke e bërë kështu diskriminimin e pjesës më të madhe të avokatëve. Raporti Financiar i Prokurisë së Shtetit nxjerr në pah edhe të dhënat mbi shpenzimet sipas detyrës zyrtare sipas rajoneve kurse duket se më dorëlirë në pagesat sipas detyrës zyrtare kanë qenë Rajoni i Gjilanit, Prishtinës, Mitrovicës si dhe ai i Prizrenit. Kështu Prokuroria e Rajonit të Gjilanit gjatë vitit 2014 për shpenzime zyrtare të avokatëve ka shpenzuar 58,576.05 euro dhe nga kjo shumë kanë përfituar vetëm 51 avokatë të këtij regjioni, Prokuroria e Regjionit të Prishtinës 54.381,03 euro nga e cila shumë kanë përfituar vetëm 86 avokatë të regjionit, Prokuroria e Regjionit të Mitrovicës 46.729, 91 euro nga e cila shumë kanë përfituar vetëm 25 avokatë të këtij regjioni dhe në këtë regjion pagesat sipas detyrës zyrtare kanë qenë më të lartat. Prokuroria e Regjionit të Prizrenit ka bërë pagesa prej 39.958, 65 eurosh për vetëm 35 avokatë të këtij regjioni ku poashtu përfitimet e këtyre avokatëve kanë qenë mjaft të larta. Prokuroritë nga regjionet tjera të vendit kanë shpenzuar më pak mjete për shpenzime zyrtare të avokatëve por as aty nuk ka munguar favorizimi i disa avokatëve të cilët nuk dihët nëse detyrën e tyre zyrtare e kanë ushtruar sipas thirrjes nga Oda e Avokatëve të Kosovës apo thirrja e drejtëpërdrejtë e prokurorëve të lëndës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here