Prokurori i përgjithshëm i Maqedonisë nuk pranon hetim ndërkombëtarë për ngjarjet e Kumanovës

0

Po shtohen zërat që kërkojë hetim ndërkombëtar për ngjarjet në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Kjo bëhet edhe më e theksuar për faktin se deri tash autoritetet shtetërore në Maqedoni nuk kanë ndërmarrë ndonjë nismë për hetime serioze për ngjarjet dramatike, për të cilat janë ngritur shumë pikëpyetje.

Së fundi, kërkesa për hetim ndërkombëtar është përmendur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndërsa më herët për këtë çështje ka folur dhe ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

Por, Prokurori Publik, Marko Zvërlevski nuk ka dashur të komentojë propozimet për të nisur një hetim ndërkombëtar për rastin e Kumanovës.

“Zyra e Prokurorit Publik dhe institucionet shtetërore kanë kapacitetin për të zbatuar hetim absolutisht të pavarur dhe kompetent”, ka deklaruar Zvërlevski, për REL.

Në anën tjetër, prokurori Zvërlevski është në qendër të kritikave dhe kërkohet dorëheqja e tij për shkak se përmendet në disa prej incizimeve të publikuara nga opozita. Gjithashtu, ai kritikohet për shkak se nuk ka ngritur ndonjë akuzë ndaj zyrtarëve të etiketuar për keqpërdorime, që përmenden në bisedat e publikuara nga LSDM-ja. /SHENJA/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here