Prokurori finlandez thotë se kryeprokurori i ri i Kosovës është i ndërlidhur me vrasje e korrupsion, Lumezi e quan këtë shpifje e hallkës së fundit në zingjirin e rrenave

0

Sot në opinion ka dalë një letër të cilën një prokuror finandez ia kishte drejtuar presidentes Atifete Jahajaga para se të dekretonte Aleksandër Lumezin për kryeprokuror, ku emri i kryeprokurorit të ri ndërlidhet me një vrasje dhe me korrupsion. Menjëherë pas publikimit të letrës, kryeprokurori Lumezi ka dalë me një letër publike ku i ka demantuar akuzat dhe ka kërkuar hetim urgjent për këtë çështje.
Porkurori i EULEX, Heikki Wendorf, e dërgoi letrën ditën e hënë, një ditë para se Presidentja të dekretonte Aleksandër Lumezin si kryeprokuror të Kosovës.
“Kemi marrë informacion rreth kandidatit Z Lumezi me dyshime për përgatitje vrasjeje/korrupsioni. Verifikimi i dyshimeve është në punë e sipër”, Wendorf shkroi në letrën që e ka parë BIRN.
“Pa marrë një qëndrim nëse informacioni është korrekt apo jo, ne dëshirojmë t’jua kalojmë ju këtë informacion Zonja Presidente në dobi të drejtësisë”, shkruhet në letër.
Wendorf drejton një task forcë të pavarur që po heton dyshimet që zyrtarë të EULEX morën ryshfete për të shtrembëruar kursin e drejtësisë.
Kjo task forcë u formua në vitin 2013 nga EULEX dhe autoritetet e Kosovës, dhe operon nën autoritetin e prokurorisë së shtetit.
Mandati i saj përfshin hetimin e akuzave të ngritura nga një ish-prokurore britanike e EULEX, Maria Bamieh, sipas së cilës, një gjykatës dhe një prokuror morën ryshfet.
Letra e Wendorf nuk jep detaje mbi dyshimet ndaj Lumezit, emërimi i të cilit vjen pas një beteje 8-mujore me Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Lumezi i ka hedhur poshtë dyshimet duke thënë se ato përfaqësojnë një përpjekje për ta penguar që të bëhet kryeprokuror i Kosovës.
“Ka pasur një fushatë aktive për të njollosur kandidimin tim si prokuror i Shtetit”, Lumezi i tha BIRN. “Në këtë mënyrë, mendoj se këto grupe mund të kenë mbjellë informacione false në skuadrën e Wendorf – por po pres për informata të tjera”.
Shefi i EULEX Gabriele Meucci veproi me shpejtësi për ta distancuar misionin nga letra e Wendorf.
“Përmbajtja e korrespondencës nuk pasqyron qëndrimin e Misionit”, Meucci shkroi në një letër dërguar Jahjagës ditën e hënë, e cila gjithashtu është siguruar nga BIRN.
Në një sqarim të mëvonshëm për median, ai shtoi se ligjet e Kosovës parashikojnë mekanizma për adresimin e pohimeve kundër personelit gjyqësor të Kosovës. “Këto pohime do të duhej të paraqiteshin para organeve gjyqësore të Kosovës”, vërejti Meucci.
Ai sugjeroi se Lumezi ishte verifikuar sakaq. “Vlen të përmendet se deri më tash, sikundër Misioni është në dijeni, gjithë shqyrtimet dhe verifikimet e nevojshme janë kryer më parë në procedurë, në pajtim me ligjin e Kosovës, dhe nga institucionet relevante të Kosovës”, tha ai.
Deri të mërkurën, pyetjet e BIRN mbi letrën nuk morën përgjigje nga zyra e presidentit dhe Wendorf.
Dyshimet ndaj Lumezit kërcënojnë ta destabilizojnë më tej sistemin e drejtësisë në Kosovë në një kohë që kjo e fundit po merr përsipër një barrë më të madhe ndërsa EULEX po zvogëlon rolin e tij.
Lumezi po merr kontrollin e një sistemi prokurorial që tani ka rolin kryesor mbi çështje shumë sensitive korrupsioni që më parë trajtoheshin nga EULEX.
Kryeprokurori i mëparshëm, Sylë Hoxha, tha se nuk ishte në dijeni të dyshimeve ndaj Lumezit, pavarësisht se task forca e hetimit ishte nën autoritetin e tij deri më sot.
“Jam i habitur që ata më kapërcyen për të komunikuar me Presidenten e Kosovës mbi informacionin që në radhë të parë e medoemos duhet të më ishte dhënë mua”, tha Hoxha.
Hoxha tha se nëse ai dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës do të ishin në dijeni të hetimit mbi Lumezin, ai nuk do të ishte emëruar kurrë. Hoxha ishte ndër anëtarët e këshillit që e kanë kundërshtuar me forcë Lumezin.
Dyshimet gjithashtu nxjerrin në pah tensione të mundshme ndërmjet lidershipit të EULEX-it dhe një prokurori të ngarkuar me detyrën e hetimit të misionit, në vijim të akuzave të Maria Bamieh.
Një raport i pavarur, publikuar këtë muaj nga akademiku francez Zhan Pol Zhak, kritikonte mënyrën sesi EULEX kishte trajtuar akuzat e ngritura nga prokurorja britanike, në veçanti, faktin se ato nuk u hetuan që në fillim nga misioni.
Letra e Wendorf, gjithashtu hedh dyshime të reja mbi korrupsion brenda EULEX.
“Ka dyshime se disa zyrtarë të mëparshëm dhe aktualë të EULEX kanë pasur kontakte të shpeshta me të dyshuar vendas me akses në pothuajse 200 milionë euro”, shkruhet aty.
Zëdhënësi i EULEX, Roland Bless, vërejti se ndërsa Wendorf punon për misionin, ai nuk është në zinxhirin e komandës.
“Wendorf është pjesë e një hetimi, i cili është nën autoritetin e prokurorisë së Kosovës. Letra e tij nuk konstaton pozicionin e Misionit dhe as ishte ajo e autorizuar nga kreu i Misionit”, theksoi Bless.
Pasi u publikuan akuzat e prokurorit të EULEX-it, kryeprokurori Lumezi sot doli me një dekalaratë publike të cilën mund ta lexoni më poshtë të plotë:

Deklaratë e Kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezi

Shpifja e lansuar kundër meje në ditën kur e kam pranuar zyrtarisht postin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe vetëm një ditë pas dekretimit tim në këtë post nga ana e Presidentes së Kosovës, është hallka e fundit në zinxhirin e rrenave dhe trillimeve që e kanë përcjell nga fillimi procedurën e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Pas saj, padyshim, qëndron i njëjti grup i interesit që është përmendur për keq shumë herë deri më tash nga shumica e anëtarëve të Këshillit Prokurorial. Këtij grupi i konvenon status quo-ja që e ka paralizuar sistemin prokurorial nga viti i kaluar. Pavarësisht se kam ditur se çfarë është në gjendje të bëjë ky grup, më duhet të pranoj se, prapë se prapë, kam mbetur i befasuar me metodat e ulëta me të cilat ata shërbehen për të penguar kthimin e rendit në Këshillin Prokurorial dhe sistemin prokurorial të Kosovës.

Ky është kulmi i një lufte të fëlliqtë, e cila është hapur menjëherë pas konkursit të parë për postin e Kryeprokurorit të Shtetit në muajin mars 2014. Tashti të gjithë kanë rastin që të binden se kjo luftë ka për qëllim të prolongoj krizën e krijuar në një sektor vital të sistemit të pushtetit të ligjit, siç është sistemi prokurorial, dhe të siguroj pozicionet e privilegjuara për ata që kanë përfituar nga paraliza e këtij sistemi.

Pra, shpifjen e kanë bërë forcat që në paralizën e sistemit të pushtetit të ligjit e shohin të vetmen shpresë. Me trillimin e fundit ata kanë tentuar që të ushtrojnë presionin ilegal dhe të paparë deri më tani mbi Presidenten e vendit, vetëm një ditë para dekretimit tim në postin e Kryeprokurorit të Shtetit. Natyrisht, ky tentim nuk ka korrur sukses dhe dekretimi im është kryer sipas Kushtetutës.

Shpifja e fundit dëshmon se forcat e errëta dhe kundërshtarët e pushtetit të ligjit nuk janë dorëzuar. Ajo tregon për vendosmërinë e tyre që të vazhdojnë me sulmet dinake dhe me shpifje për të penguar forcën e ligjit në luftë kundër tyre dhe krimit të organizuar në përgjithësi.

Pa marr parasysh qëndrimit zyrtar të EULEX-it, që i hedh poshtë pretendimet e trilluara ndaj meje, si Kryeprokuror i Shtetit, kërkoj nga EULEX-i dhe Task-forca që është implikuar në këtë rast, që t’i japin prioritet të jashtëzakonshëm këtij rasti dhe t’i hetojnë pretendimet ndaj meje me urgjencë sa më të madhe të mundshme. Po ashtu, kërkoj nga ta që t’i publikojnë të gjitha njohuritë për rastin, sepse opinioni ka të drejtë të njoftohet me të drejtpërsëdrejti e jo përmes kanaleve ilegale të komunikimit. Për ta nuk ka punë më urgjente në këtë moment sesa hetimi i këtij rasti, nëse ia duan të mirën shtetit ku janë dërguar për t’i ndihmuar në mbrojtjen e pushtetit të ligjit. Në dijeni të një trillimi i tillë, ata këtë punë është dashur ta bëjnë që moti dhe gjatë gjithë këtyre muajve sa ka zgjatur procedura e përzgjedhjes dhe jo në momentin e fundit përmes adresimit të Presidentes nëpërmes kanaleve të pazakonta komunikimi dhe tentimit për të ushtruar në mënyrë të palejueshme influencën mbi vendimet e saj.

Ata, sipas mandatit të tyre, kanë obligim që tani dhe menjëherë ta kryejnë këtë obligim që e kanë para qytetarëve të Kosovës dhe jo të lejojnë të kthehen në dorën e zgjatur të grupeve joformale dhe ilegale, që synojnë përmbysjen e sistemit të pushtetit të ligjit përmes interferimit ilegal në nxjerrjen e vendimeve nga kreu i shtetit.

Të vetmen gjë, të cilën unë mund t’ju premtoj që në ditën e parë të ushtrimit të postit tim, është se lufta ime dhe e gjithë sistemit prokurorial të Kosovës kundër shkelësve të ligjit dhe të gjithë atyre që përfitojnë nga shkelja e tij do të jetë pa kompromis.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here