Program i madh me ide të vogla

0

BESNIK PULA

Programi qeverisës është i gjithanshëm, por parcial – një grumbull idesh të vogla, të kombinuara brenda një kornize jo edhe aq të definuar. Kur lexon mbi detajet e politikave të caktuara, me përjashtim të ideve të aty-këtushme që mund të dalin të vlefshme po u zbatuan drejt, dalin në pah jokoherenca konceptuale, masat gjysmake dhe qëllimet kundërthënëse.

Sa premtues është Programi qeverisës i Qeverisë Mustafa në planin e zhvillimit ekonomik? Kuptohet, është vështirë të jepet një vlerësim i prerë mbi efektshmërinë e planeve, pasi një pjesë e mirë do të varen nga efektshmëria e zbatimit të disa nga politikave të propozuara. Mirëpo, ajo që mund të bëjmë në këtë stad është që t’i japim atij një vlerësim konceptual.

Në këtë rrafsh, Programi qeverisës është i gjithanshëm, por parcial – një grumbull idesh të vogla, të kombinuara brenda një kornize jo edhe aq të definuar. Në fakt, nëse shikon draft-dokumentin e Programit, sheh se edhe pjesë të dokumentit janë në fonte të ndryshme, çka tregon që gjatë copy-paste-it të copave të tekstit, nuk është kujdesur që të standardizohet as fonti, e lëre më të ndërtohet një lidhje e qartë midis kornizës konceptuale, synimeve strategjike dhe politikave konkrete të propozuara. Apo që ato synime strategjike janë të dhëna në formë aq të përgjithësuar, saqë nën to mund të fusësh çfarëdo politike. P.sh., edhe “ndërtimi i rrugëve rajonale dhe rurale” mund të konsiderohet pjesë e strategjisë për “integrime euro-atlantike” – tekefundit, rrugët janë të nevojshme për të arritur deri në Bruksel!

Sido që të jetë, le të hedhim një sy mbi pjesën e Programit për politikat ekonomike.

Jokoherencë konceptuale, masa gjysmake dhe qëllime kundërthënëse

Fillimisht, bëhet vështirë ta kuptojmë seriozitetin e politikave të propozuara, sepse draft-Programi qeverisës na paralajmëron se qeveria do ta hartojë “Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit 2015-2020″. Nuk është e qartë nëse ky dokument do ta komplementojë Programin qeverisës apo shërben për ndonjë qëllim tjetër. Natyrisht, partitë zakonisht shfrytëzojnë kohën sa janë në opozitë, ose para zgjedhjeve, që të nxjerrin dokumente strategjike që i sjellin për t’i implementuar në qeveri, e jo të shpenzojnë gjashtë muaj të kohës në qeveri për hartim dokumentesh, thua se qeveria është institut studimor.

Sidoqoftë, në hapje, Programi premton rritje ekonomike bazuar në nxitjen e investimeve të jashtme dhe nga diaspora, nxitjen e ndërmarrësisë, përmirësim të infrastrukturës, privatizim dhe zvogëlim të barrëve fiskale ndaj biznesit. S’ka asgjë këtu që nuk e kemi dëgjuar më parë. Por, kur lexon mbi detajet e politikave të caktuara, me përjashtim të ideve të aty-këtushme që mund të dalin të vlefshme, po u zbatuan drejt, dalin në pah jokoherenca konceptuale, masat gjysmake dhe qëllimet kundërthënëse.

Ta nisim me politikat fiskale. Së pari, synohet luftimi i ekonomisë joformale dhe rritja e efikasitetit të mbledhjes së tatimeve përmes luftës kundër evazionit fiskal. Këto janë politika që kanë të bëjnë me rritjen e kapaciteteve institucionale të shtetit, e jo politika që lidhen me realizimin e synimeve të rritjes ekonomike, siç prezantohen në dokument.

Në lidhje me luftën kundër ekonomisë joformale, nuk përkufizohet qartë se cilat aktivitete përfshihen në të ashtuquajturën “ekonomi  joformale”. Ekonomi joformale është që nga një pastrues këpucësh në rrugët e Prishtinës, që nuk i paraqet të ardhurat e veta, e deri te kontrabandimi i naftës së cilësisë së dobët dhe shitja e saj në tregun e Kosovës. Të dy këto dukuri mund të quhen pjesë e ekonomisë joformale, por rregullimi i tyre implikon mekanizma të ndryshëm institucionalë (për të mos thënë se prek interesa thellësisht të pabarabarta ekonomike e politike). Një dallim i tillë nuk bëhet dhe lufta kundër ekonomisë joformale në Programin qeverisës përfshin që nga lufta kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit e deri te informaliteti në sektorin e ndërtimtarisë. Të gjitha këto kategori veprimesh futen nën një ombrellë. Kështu, na del se informaliteti është “dëshmi e rregullimeve dhe burokracive të tepruara” (me sa duket edhe financimi i terrorizmit bie nën këtë grup!), ndërkohë që për luftimin e informalitetit në ndërtimtari propozohet “të vendoset një sistem kompleks i mbikëqyrjes së kompanive”. Këto kundërthënie dhe paqartësi tregojnë se këto politika nuk janë as mirë të konceptuara e as nuk kanë qëllime krejt të qarta, pjesërisht për faktin se këto, me gjasë, janë përvetësuar nga Banka Botërore dhe institucionet e tjera që nga lart tregojnë se cilat duhet të jenë prioritetet e politikave ekonomike në Kosovë. Këtë e kemi parë edhe në qeverinë e kaluar, kur Ministria për Tregti dhe Industri preokupohej më shumë me rangimet e Kosovës në listat e BB-së për “bërjen e biznesit” sesa me faktin se investimet e jashtme ishin në rënie vit pas viti.

Mungesë e përkufizimit të qartë të prioriteteve sektoriale

Për zhvillimin e biznesit, Programi prezantohet me kornizën liberale se qeveria shërben vetëm në “ofrimin e kornizës institucionale” për tregun e lirë dhe sektorin privat, ndërkohë që planifikohet krijimi i një “fondi të veçantë për bashkëfinancimin e projekteve investive”. Fjala këtu është për Fondin për Investim dhe Punësim, i diskutuar po ashtu si koncept. Por, hartuesit e programit sikur harrojnë se kur shteti ndërmerr aktivitete investuese në sektorë ekonomikë ai nuk është më vetëm një “ofrues i kornizës institucionale” por një aktor i drejtpërdrejtë ekonomik! Në fakt, qeveria këtu propozon një element të shtetit zhvillimor, por shihet se ky element është kontrabanduar këtu brenda gjoja një koncepti liberal të qeverisjes ekonomike, pa e ndërlidhur atë me kornizën e përgjithshme të politikave të zhvillimit ekonomik. Po kjo gjen shprehje me “Trepçën”, ku synohet pak a shumë një shtetëzim i plotë i ndërmarrjes me investime nga shteti. (Parimisht unë nuk e kundërshtoj një masë të tillë, por dua ta vë në dukje jokonsistencën konceptuale.)

Kjo mosndërlidhje është e qartë edhe në mungesën e përkufizimit të qartë të prioriteteve sektoriale, që do të duhej të jenë në fondament të çfarëdo aktiviteti investues shtetëror. Në prioritetet sektoriale disa herë përmendet teknologjia informative (IT), ndërkohë që kalimthi përmenden edhe sektori minerar dhe energjetika, ku gjithashtu jepet një mishmash propozimesh, që nga hapja e tregjeve e deri tek të ashtuquajturat “partneritete publiko-private”. Sa për IT-në, sikur harrohet se megjithatë ky është një sektor margjinal dhe për zhvillimin e të cilit kërkohet një bashkëdyzim me politikat arsimore. Ndërkohë që kur shikon prioritetet në fushën e arsimit, nuk gjen as edhe të vetmen fjalë për rëndësinë e mbështetjes së fushave studimore që kontribuojnë drejtpërsëdrejti në krijimin e burimeve njerëzore për këtë sektor.

Për ta shtuar konfuzitetin, Programi thotë se do të themelohet “një fond i veçantë për zhvillim të Teknologjisë Informative dhe Komunikuese”. Pra, përveç Fondit për Investim dhe Punësim, a planifikuaka qeveria ta themelojë edhe një fond tjetër vetëm për këtë sektor? Ndërkohë që, sipas dokumentit, qeveria po ashtu do të formojë një Fond për Garantimin e Kredive, por edhe do t’i shtojë subvencionet për bujqësi! Dhe gjithë këto fonde me burime të pafundme na u përputhkan me qëllimin e dhënë paraprakisht për stabilitet dhe qëndrueshmëri fiskale!

Është vënë re nga kritikë të tjerë se Programit i mungojnë numrat, por ç’është më kryesorja i mungojnë projektimet kohore të implementimit të politikave dhe të rezultateve të matshme të tyre. P.sh., nëse synohet lidhja e marrëveshjeve bilaterale tregtare e ekonomike, sa marrëveshje të tilla shpreson t’i ketë lidhur kjo qeveri deri në përfundim të mandatit? Nëse planifikohen investime nga diaspora në biznese, cili është trendi i deritanishëm dhe çfarë pritet të ndryshojë? Nëse planifikohet trajnimi i fuqisë punëtore, deri në sa punëtorë do të ritrajnohen, ku do të trajnohen ata dhe për cilët sektorë? Ka shumë pyetje të tjera të tilla që mund të bëhen. Me këtë dokument qeveria nuk ka dhënë ose ka dhënë fare pak standarde të përcaktuara saktë të asaj se me çfarë do të matet suksesi në realizimin e politikave të veçanta dhe të përmbushjes së qëllimeve strategjike.

Ka edhe shumë që mund të thuhen mbi Programin. P.sh., nuk jepet ndonjë ide origjinale e as konkrete për reformën e sistemit financiar dhe lirimin nga barra e kamatave të larta, pa të cilin çdo synim për rritjen e shkallës së investimeve është iluzor. Ndër të tjera, Programi propozon që kjo të arrihet përmes “mobilizimit të kursimeve”, por nuk precizohet se për çfarë modaliteti bëhet fjalë, duke marrë parasysh se problemi  nuk qëndron te shkalla e vogël e kursimit, por te rentierizmi i bankave.

Mbi të gjitha, Programi shpreh mungesën e analizës së themeltë të situatës së brendshme dhe të jashtme, problemeve dhe perspektivës socio-ekonomike të vendit, përtej vënies re të problemeve të ndryshme, qoftë të karakterit administrativ, qoftë tjetërfarë. Është pikërisht kjo që na jep një Program me synime të përgjithësuara, të spërkatur aty-këtu me ndonjë nismë ose ide të vogël, dhe në rastin e politikave zhvillimore edhe jo krejt koherent e të harmonizuar. Kosova ka nevojë për transformime strukturore në ekonomi, dhe ky Program është larg së konceptuari se cilët janë faktorët dhe aq më pak se si do të arrihet ndryshimi.

Në rastin më të mirë, qeveria mund të realizojë disa nga nismat e pjesshme të propozuara, siç janë përshkallëzimi i TVSH-së, nisma për arsim parashkollor apo ndonjë sukses eventual në lidhjen e ndonjë marrëveshjeje ekonomike ndërkombëtare. Në këto pika, mund të thuhet se ka dallime në qasje, jo fondamentale por në nuanca, nga qeverisjet e kaluara.

Megjithatë, me nuanca të vogla ndryshimi, por vazhdimësi të përgjithshme me politikat e deritanishme, nuk do të arrihet asnjë ndryshim radikal i kursit të gjertanishëm ekonomik. Programi tregon se qasja zhvillimore edhe në këtë qeveri vuan nga mungesa e një koncepti gjithëpërfshirës, qasjet e pjesshme dhe një koordinim jo i plotë strategjik i prioriteteve. Të gjitha këto janë imperativ i domosdoshëm për riorientimin e ekonomisë kosovare drejt një cikli zhvillimor, e që nuk duket fare në horizont.

Ekonomia

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here