PROBLEMI I SUBJEKTEVE TË TJERA DHE VETËVENDOSJE SI PROBLEM

0

URAN KRASNIQI

Lëvizja Vetëvendosje mbajti zgjedhjet për Kryesinë e re. Trajtimi që iu bë nga analistët e mediave tona faktit që kandidat për kryetar ishte vetëm Visar Ymeri ishte thumbues, tallës e përqeshës, me qëllim të vënies vulë të mungesës së demokracisë së këtij subjekti dhe dëmtimit të saj si opsion i mundshëm për t’u përqafuar nga qytetarët kurdo që mbahen zgjedhjet.  Në fakt letra në të cilën do të votonin antarësia e këtij subjekti pos votës për kishte edhe dy mundësi të tjera, që ishin vota kundër dhe abstenimi. Rezultati zgjedhor mund të paragjykohet dhe të thuhet se Visar Ymeri do të zgjidhet kryetar, por  pavarësisht një kandidati, gjasat teorike janë që i njëjti të mos mund të fitojë ta zëmë mbi 40 përqind. Në rast se nuk do të bëhej Ymeri kryetar, atëherë këtij subjekti do t’i duhej që ta organizonte procesin e ri zgjedhor për të ardhur deri tek kryetari. Përvoja e dështimit do të mund të ndikonte që në lojë të futeshin dy kandidatë. Pra nuk është që situata me vetëm një kandidat në një proces zgjedhor ilustron mungesën e demokracisë së brendshme, sa do që format edhe mund të tingëllojnë ashtu.

Por a brengosen në të vërtetë për demokracinë e brendshme të Vetëvendosjes klubi i analistëve të kafeterive të Prishtinës? Me sa u kam lexuar qëndrimet mund të them se jo. Kur dihet që shumë prej analistëve bëjnë ekskursione nëpër profesione , ku në mesin e tyre është edhe ai i politikanit, atëherë një shqetësim i tillë është sikur uji me identitet të ngatërruar meqë është përzier me materie të ndryshme. Disa prej tyre kanë padurueshmëri me krerët e Vetëvendosjes edhe para ekzistencës së këtij subjekti politik, disa të tjerë janë konfrontuar me Vetëvendosjen nën petkun e politikanit duke qenë pjesë e një subjekti të caktuar e disa të tjerë ndajnë deklarime të ndryshme për sa i takon perspektivës së kombit shqiptar. Pastaj hapësira e medias ka njerëz me formime të ndryshme dhe secili, duke e njohur veten po edhe shpalljet e Vetëvendosjes për  sundimin e ligjit, ka të drejtë në frikën e tij për të ardhmen, por shpallja e dikujt si subjekt antidemokratik dhe të rrezikshëm për vendin me një lehtësi aq të padurueshme, nuk është që bindë. Më shumë bindë dëshira e autorëve të caktuar për ta parë Vetëvendosjen si subjekt me mungesë demokracie të brendshme dhe të rrezikshëm për vendin. Duke qenë një situatë e këtillë, duke pasur një grup analistësh politikë me disponim anti-Vetëvendosje dhe një subjekt politik të gjallë që e ushtron aktivitetin e tij, ku gjithëherë propabiliteti për të gabuar ekziston, atëherë përfundimi është në situata të tilla si kjo me vetëm një kandidat për kryetar, ku Vetëvendosje prezantohet si problemi më i madh në Kosovë dhe për të ardhmen e vendit. Unë nuk jam me Vetëvendosjen, por as frikën nuk ia kam nëse vjen në qeverisje, se gjë të keqe nuk i kam bërë as këtij vendi, as ndonjë subjekti politik dhe as atyre.

A është në të vërtetë Vetëvendosje problemi më i madh në Kosovë? Unë nuk mendoj që një subjekt politik i cili nuk ka udhëhequr me vendin ka si të jetë problemi më i madh në Kosovë. Problemet me të cilat sot ballafaqohen qytetarët e Kosovës janë prodhim i një kombinimi faktorësh: kalimi i një pjese të madhe të botës në një krizë me sistemin dhe udhëheqjes së Kosovës nga subjekte politike në krye të të cilëve gjenden persona që interesin personal e kanë para atij që është i përgjithshëm. Pra të gjitha ato që sot ndodhin në Kosovë, si varfëria, papunësia, krimi i organizuar, korrupsioni, marrëveshjet me Serbinë, asnjë nuk mund t’i faturohet lëvizjes Vetëvendosje dhe të gjitha mund t’u faturohen subjekteve që kanë qeverisur.

Në listën e problemeve që i ka Kosova, ku qëndron Vetëvendosje? Unë nuk e shoh njëherë në tabelë si problem Vetëvendosjen, por mendoj që lëvizja Vetëvendosje në rast se nuk i fiton zgjedhjet e ardhshme parlamentare, atëherë kjo do të varej nga sjellja e saj, por do të shndërrohej në problemin e dytë të Kosovës, menjëherë pas subjeketeve që aktualisht janë problemi i parë. Deri më tash ka dështuar dy herë në zgjedhje dhe arsyetimi i saj çfare ka qenë është kuptuar. Në rast se edhe pas herës së tretë dështon, atëherë e drejta e saj për t’u thirrë në fajin e të tjerëve e në pagabueshmërinë e saj nuk do të pijë më ujë. Prandaj është mirë që ky subjekt politik të angazhohet, të kuptojë që strategjitë që nuk kanë dhënë rezultate duhet ndryshuar (nuk mendoj që ishte strategji e qëlluar hapja për LDK-në, AAK-në, Nismën për Kosovën dhe rezervat me shtetet perëndimore) , dhe të synojë fitore në zgjedhjet e ardhshme, duke iu hequr qafesh qytetarëve subjektet politike që nuk e kanë në plan të parë interesin e vendit. Në të kundërtën, pra nëse i humb zgjedhjet dhe vazhdon të insistojë se problemi është tek të gjithë dhe vetëm te ajo jo, atëherë ajo shndërrohet vetë në problem, dhe qytetarët që ndihen të papërfaqësuar kanë të drejtë që ta trajtojnë sikur subjektet e tjera, një grumbull subjektesh politike që secila në mënyrën e vet janë përgjegjëse për gjendjen në vend në të gjitha sferat.  Nuk është e mjaftueshme vetëm ta mendosh veten si alternativë, por duhet edhe të përqafohesh nga të tjerët si alternativë. Në rast se nuk mbështetet askush tek ti si alternativë, atëherë nuk je e tillë dhe duhet mbështetur vetë dikë që mund të jetë alternativë. Për interes të vendit, natyrisht.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here