Problemet e sistemit arsimor në Kosovë dhe lidhshmëria e tyre me sistemin aktual politik

0

ALBERT KRASNIQI

Arsimi me të drejtë llogaritet si një ndër shtyllat kryesore të një shoqërie dhe një shteti. Nuk ka nevojë të hulumtojmë për thëniet e mendimtarëve e filozofëve të njohur botërorë për rëndësinë e arsimimit dhe edukimit të një populli, sepse këtë fakt e vërejmë kudo që shkojmë. Për fat të keq, në Kosovë më shumë bien në sy rastet kur cilësia e arsimit nuk është në shkallën e duhur, sesa që magjepsemi nga rezultatet e larta të ndonjë institucioni arsimor, qoftë ai publik apo jopublik. Mungesa e zbatimit të reformave, mosvlerësimi sistematik i mësimdhënësve, punësimi i stafit akademik pa kritere të rrepta e me ndërhyrje politike, numri i madh i studentëve në raport me numrin e profesorëve dhe prodhimi i kuadrove tepricë në fusha të caktuara si mungesë e politikave të duhura afatgjate janë disa nga problemet kryesore që edhe sot e përcjellin zhvillimin e procesit arsimor në mbarë vendin. Edhepse është folur dhe flitet shumë për reformat në arsim, mund të thuhet se më shumë është folur sesa është bërë. Mësimdhënësit edhe më tutje vazhdojnë të punojnë me sisteme të vjetëruara, të mësuara në kohën e shkollave normale të paraluftës, ku nuk përdorin metodat bashkëkohore të mësimdhënies dhe vlerësimit të nxënësve e studentëve. Si rrjedhojë, nxitet të mësuarit mekanik, i cili pastaj nuk është aspak frytdhënës kur kuadrot e diplomuar futen në tregun e punës. Sektorë të ndryshëm të ekonomisë kanë mungesë të punëtorëve, sepse ata që aplikojnë nuk janë të gatshëm dhe mirë të përgatitur që njohuritë dhe shkathtësitë e fituara gjatë shkollimit të tyre t’i zbatojnë në praktikë në vendin e punës. Ndaj, Ministria e Arsimit do të duhej që të këmbëngulte më tepër në zbatimin e reformave në mënyrë më rrënjësore e jo vetëm sipërfaqësisht. Mosvlerësimi sistematik i mësimdhënësve është një tjetër problem në sistemin e arsimit. Përpos intervistës së punës dhe dorëzimit të planprogrameve tek udhëheqësit e institucionit shkollor, mësimdhënësit nuk është se iu nënshtrohen ndonjë testimi të shkathtësive apo vlerësimeve të formave tjera, si për shembull monitorimi nga afër i orës mësimore. Kjo lë mundësinë e qëndrimit të një mësimdhënësi të dobët në vendin e tij të punës për një periudhë të gjatë kohore, ndoshta deri në pensionim. Zakonisht, mësimdhënësit me përvojë të gjatë respektohen si “të paprekshëm” dhe të tillët nuk mërziten shumë për metodat që përdorin. Edhe ashtu, ato zakonisht janë të njëjtat, të pandryshuara nga koha dhe si të tilla jo fort të përshtatshme për mësimdhënie moderne. Në këtë rast, faktori politik do të mund të ndikonte përmes krijimit të komisioneve të ndryshme vlerësuese të pavaruara dhe të paanshme dhe rritjes së numrit të inspektorëve të arsimit. Problem tjetër jo i vogël është edhe punësimi i stafit akademik përmes ndërhyrjeve politike, e jo në bazë të meritave profesionale. Kjo çështje është e lidhur kryekëput me sistemin politik, i cili përmes mekanizmave komunalë gëzon të drejtën e përzgjedhjes së mësimdhënësve. Shumë shpesh, ata që aplikojnë për punë në institucione arsimore ankohen se iu është bërë e padrejtë në vlerësim gjatë intervistave për punë, e ç’është më keq, hallin nuk ua ka zgjidhur as gjykata, sepse edhe sistemi i drejtësisë është i varur nga qarqet politike në pushtet. Ky fakt përbën padrejtësi shoqërore në nivel vendi dhe është përgjegjësi e drejtpërdrejt e politikës që ta luftojë këtë dukuri. Si duket, vet udhëheqësit më të lartë të arsimit e kanë të vështirë ta kundërshtojnë këtë problem, pasi që ky lidhet me një çështje tjetër – korrupsionin. Përderisa ka korrupsion në arsim, ka pak mundësi që të ketë drejtësi, sepse zingjiri i keqpërdorimeve është i gjatë dhe nuk këputet lehtë. Një problem që më shumë është i shprehur në nivelin universitar sesa atë parauniversitar, është numri i madh i studentëve në fakultete dhe drejtime të caktuara në një anë dhe numri i vogël i profesorëve dhe asistentëve të caktuar për ato njësi, në anën tjetër. Sipas një studimi, Kosova ka numrin më të vogël të profesorëve universitarë për kokë studenti. Sigurisht, ky fakt ndikon në cilësinë e arsimit dhe paraqet problem për studentët. Do të ishte mirë që Ministria, në bashkëpunim me universitetet publike dhe kolegjet, të ndërmarrë masa për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Këto masa do të përfshinin ngritjen e buxhetit shtetëror për arsim dhe rritjen e numrit të profesorëve nëpër njësi akademike, si dhe zvogëlimin e numrit të studentëve të pranuar, sidomos në ato drejtime ku tanimë ka shumë të diplomuar të papunë. Të gjitha problemet e përmendura më sipër janë të lidhura ngushtë me qeverisjen politike, e cila nuk ka ngurruar t’i fusë hundët edhe në sistemin e arsimit, duke e shkatërruar kështu të ardhmen e të rinjëve të këtij vendi, i cili edhe ashtu përballet me shumë probleme tjera. Sistemi i arsimit në Kosovë ka nevojë për ndërhyrje të fuqishme dhe të menjëhershme. Shenja të mira për këtë janë vendosmëria e dy-tre udhëheqësve që të vënë rregull dhe ligj, por vetëm roli i tyre është i pamjaftueshëm që të ndryshohet gjendja për të mirë. Shtrëngimi i kritereve të punësimit të mësimdhënësve, shtrengimi i kritereve të pranimit të studentëve në universitete dhe ndëshkimi më i ashpër i keqpërdoruesve të pozitave publike që kanë të bëjnë me arsimin janë tre hapa që do ta nisnin rrugën e mbarë të zhvillimit të këtij sektori aq të rëndësishëm për shoqërinë tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here