Pritet që së shpejti të hapet një linjë transporti publik Prishtinë-Aeroport

0

Një linjë transporti në drejtim të aeroportit pritet të hapet shumë shpejt, dhe kjo mund të jetë linjë autobusi pasi që më lehtë mund të realizohet.

Drejtues të aeroportit “Adem Jashari” thonë se kjo gjë iu ishte ofruar nga qeveria e kaluar por nuk ishte realizuar deri tani. Kurse ministri aktual i transportit, Lutfi Zharku thotë se do të shikojë të realizojë këtë ide sa më shpejt.
Në çdo aeroport rajonal e botëror ka linja transporti me çmime të ulëta për qytetarët, kurse në Kosovë për të shkuar apo për t’u kthyer nga aeroporti duhet paguar taksi me vlerë shpesh më të lartë se gjysma e biletës së aeroplanit, që sot mund të gjendet edhe me 30.00 euro. Drejtori i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Haldun Firat Kokturk për Radio Kosovën ka deklaruar se janë duke pritur realizimin e një iniciative të tillë të qeverisë.

“Qeveria e kaluar ka marrë iniciativë se do të sigurojë një autobus pa pagesë, ne po presim rezultatin e kësaj. Nëse sigurohet ky transport, problemi do të zgjidhet. Nëse nuk marrim një përgjigje pozitive, ne padyshim që me qëllim për të siguruar një qasje më të lehtë në aeroport, kemi në plan për të marrë masa. Por, pasi që një hap i tillë ka ardhur nga qeveria ne jemi ndalur. Supozoj se qeveria, ashtu si na është thënë, shumë shpejt do të sigurojë një linjë me çmim shumë të arsyeshëm, ose pa pagesë”.
Por ministri aktual i Transportit Lutfi Zharku nuk ishte i njoftuar me një iniciativë të tillë. Ai për Radio Kosovën tha se do të interesohet për këtë gjë, sepse sipas tij, linja e autobusit është më lehtë e realizueshme sesa linja hekurudhore të cilën e ka në plan:
“Me gjithë qejf. Të jem i sinqertë, autobus jo por më shumë kam mendua ndoshta me pas me tren, me gjet një mundësi për të ndërtuar një vijë hekurudhore.”
Ministri Zharku tha se linja e autobusit në drejtim të aeroportit mund të realizohet shumë shpejt. “Tash si vijë po e marrë përsipër për me e realizua. Kjo mund të bëhet shumë shpejt. Nuk e di pse nuk është bërë se s’më ka shkua ndërmend.”
Me linjën e autobusit pritet lehtësimi i lëvizjes së qytetarëve të Kosovës, të cilëve sot më lirë iu kushton të udhëtojnë me autobus nëpër aeroporte të rajonit, sesa me taksi në aeroport të Prishtinës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here