Prishja e pazareve të drogës i kushtoi me jetë

0

Prishja e pazareve të drogës i ka kushtuar jetën 37-vjeçarit nga Mirasi i Devollit. Trupi i pajetë u gjet dje në aksin rrugor Korçë-Bilisht, anës rrugës pranë fshatit Zëmblak. Sipas policisë, viktima është Jani Kollçinaku, person i njohur me nofkën “Landi i Mirasit”, i cili në momentin e këqyrjes së kufomës, rezultoi të kishte edhe shenja dhune në trup. 37-vjeçari ishte me precedentë të mëparshëm penal për trafik droge dhe vjedhje makinash. Nga ana tjetër po hetohen edhe lëvizjet e viktimës në shtetin fqinj Greqi, ku dyshohet se edhe atje është marrë me trafik të lëndëve narkotike dhe grabitje banesash. Ka qenë ekspertiza mjekoligjore, ajo e cila ka përcaktuar saktësisht se si kishte humbur jetën Kollçaku. “Landi i Mirasit” u ekzekutua me një plumb pas koke, ndërsa në morgun e qytetit, u zbuluan edhe dëmtime të tjera të trupit të shkaktuara me mjete prerëse (thikë). Sipas ekspertëve, viktima banor i fshatit Miras, nuk është vrarë në vendin ku u njoftua policia nga banorët e zonës, por dyshohet se është vrarë në një vend tjetër, dhe më pas, trupi i pajetë është transportuar në afërsi të Zëmblakut. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, viktima është gjetur i mbështjellë me një batanije dhe i hedhur në kanal dhe ky veprim, sipas policisë, është bërë për të humbur gjurmët e krimit nga ekzekutorët e 37-vjeçarit. Ende nuk dihen autorët e kësaj vrasjeje mafioze, ndërsa po hetohet edhe e shkuara kriminale e viktimës, i cili ka qenë i dënuar me disa vite burgim me akuzën e shitjes së drogës në qytetin e Korçës.

Ekzekutimi

 Ka qenë i vështirë identifikimi i 37-vjeçarit Jani Kollçinaku, pasi nuk ishte banor i zonës, teksa janë dashur më shumë se dy orë për të mësuar se kujt i përkiste trupi i pajetë. Pas këqyrjes së kryer nga ekspertë kriminalistë në Drejtorinë vendore të Policisë Korçë, u konfirmua se, 37-vjeçari, kishte dëmtime të shumta në pjesën e pasme të kokës, ku është qëlluar me një plumb, i qitur nga një armë zjarri tip pistoletë. Dyshimet e policisë lidhen me aktivitetin kriminal të viktimës, pasi sipas tyre, ai ka qenë person me tendenca kriminale, i identifikuar prej hetuesve si i përfshirë në shitjen dhe shpërndarjen e trafikut të droge, gjithashtu edhe në vjedhjen e automjeteve. Për shkak të problemeve që ai ka pasur me ligjin, Kollçinaku ka ndërruar herë pas here identitetin e tij. Policia ende nuk ka ndonjë emër të dyshuar për ngjarjen e djeshme, ndërsa ka shoqëruar disa persona në komisariat që kanë lidhje shoqërore me 37-vjeçarin. Pista kryesore që po hetojnë ekspertë e krimeve në policinë e Korçës për vrasjen e Jani Kollçinakut, është larje hesapesh për prishje të pazareve drogës. Viktima ka qenë i dënuar më parë me 6 vite burgim, për trafik të lëndëve narkotike, ndërsa edhe pas rehabilitimit të tij, ai përsëri ka qenë i skeduar si person, i cili shiste kanabis dhe heroinë. Pavarësisht se 37-vjeçari nuk ishte nga qyteti i Korçës, por nga Mirasi i Devollit, ai kishte marrë një banesë me qira në zonën e “Radanecit”, pranë konvikteve të Universitetit të Korçës, ku dyshohet se kishte bazën për shpërndarjen e drogës. Pista e dytë që po heton policia e qytetit juglindor lidhet edhe me grabitjet e automjeteve që ka kryer viktima. Kështu efektivët blu, pohojnë se, Kollçinaku dyshohet të jetë autori i vjedhjes së disa automjeteve luksoze në qytetin e Korçës, ndërsa vrasja është cilësuar e tipit mafioz.

Dëshmitarët

 Kanë qenë dy banorë të zonës së fshatit Zëmblak, ata të cilët kanë gjetur të parët trupin e pajetë të shtetasit Jani Kollçinaku, i cili ishte hedhur pranë kanalit të aksit rrugor Korçë-Bilisht. Menjëherë u morën në pyetje nga policia 2 personat që kishin gjetur trupin e 37-vjeçarit. Në deklaratën e tyre, dëshmitarët theksuan se, nuk kishin parë asnjë njeri që mund ta identifikonin në vendin e ngjarjes, ndërsa shtuan se nuk njiheshin me viktimën, pasi ai nuk ishte banor i zonës së tyre. Efektivët blu gjetën edhe një batanije, me të cilën vrasësit e kishin mbështjellë trupin e Jani Kollçinakut. Sipas ekspertëve, batanija është e vetmja provë materiale që kanë nga kjo vrasje, pasi plumbi me të cilën dyshohet se i mori jetën 37-vjeçarit nuk është gjendur ende./Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here